LAJMI I FUNDIT:

KOSOVA, OZI, SHYTI, TAKI, TIKI, GOTO, PTHIRUS PUBIS DHE LABI

KOSOVA, OZI, SHYTI, TAKI, TIKI, GOTO, PTHIRUS PUBIS DHE LABI

Statistikat nuk përputhen me shtetet normale! Rekordet shënohen me numër të fakulteteve dhe të studentëve! Dije s’gjen, diplomë merr! Mendësia primitive thotë se shteti lehtë bëhet e lehtë mbahet! Ata që marrin pushtet janë “magjistarë”! Një algoritëm i çoroditur ngrit emanuelët, një tjetër e bën Labin “shpëtimtar”, i treti e bllokon shoqërinë – dhe shtetin e bën me njolla të turpshme… Pediculosis Pubis!

Shkrimtari anglez, Neil Gaiman, në një shkrim të publikuar para katër vitesh në ditoren Guardian, tregon se si kur ishte në New York, kishte dëgjuar për ndërtimin e burgjeve private. Për të ishte i vështirë ky biznes!? Thjesht, ai nuk e kuptonte se si investitori mund ta dijë se sa qeli duhet të ndërtohen? Apo, sa të burgosur mund të jenë p.sh. në 15 vitet e ardhshme?


Por, përgjigjen amerikanët e dinin përmes një algoritmi të bazuar në përqindjen e 10-11-vjeçarëve që dinë shkrim e lexim! Pra, niveli i edukimit e parashikon të ardhmen. Në rastin amerikan e parashikonte edhe numrin e qelive nëpër burgje. Ndaj, Gaiman thoshte se e ardhmja më e mirë varet nga bibliotekat, nga leximi dhe nga ëndrrat e përditshme syçelë. Veç kështu vendet do të kenë më pak burgje e një të ardhme më të mirë!

1. AMERIKA KA MË SHUMË TË BURGOSUR SE KOSOVA BANORË, E BANORËT AMERIKANË TË BURGJEVE KANË MË SHUMË SHPRESA SE SHQIPTARI NË “LIRI”

Shërbimi korrektues i Kosovës, sipas të dhënave që ka publikuar në internet, në 10 qendrat korrektuese dhe të paraburgimit ka kapacitete prej 2,395 shtretërve. Faqja World Prison Brief, që merret me burgjet dhe të burgosurit, në listën me 222 shtete, Kosovën – me 106 të burgosur në 100 mijë banorë – e radhit në vendin 144 në nivel global, ndërsa në atë evropian në vendin 31. Nga vendet e rajonit Kosova qëndron ma mirë se Shqipëria (190), Mali i Zi (182), Maqedonia (166), Serbia (142) e më keq se Greqia (91), Kroacia (78), Bosnja e Hercegovina (73) dhe Sllovenia (64).

Kur është fjala te Britania e Madhe, Irlanda e Veriut është në vendin 40 (79), Skocia në vendin 22 (138) dhe Anglia dhe Uellsi janë në vendin 20 (146). Mesatarja e tyre është 121 të burgosur për 100 mijë banorë.

Në nivel botëror, situata më e keqe është në SHBA, ku janë 2,145,100 të burgosur apo 666 të burgosur për çdo 100 mijë banorë. Pra, SHBA-të kanë më shumë të burgosur se popullata e Kosovës. Mirëpo, ia dalin t’i akomodojnë e t’i ushqejnë që të gjithë ata. Sepse, i kanë edhe universitetet më të mira në botë; sepse punojnë me plane; sepse kanë algoritme…! Bile, ata amerikanë që dalin nga burgu, qofshin analfabetë, e dinë se kanë shanse e mundësi të reja për jetë – më shumë se çdo shqiptar i lirë e i “shkolluar” i Kosovës!

2. KOSOVA “AVANCON” ME NUMRIN E UNIVERSITETEVE PËR KOKË BANORI, POR ME KUALITET MË TË KEQ SE UGANDA E IDI AMINIT

Faqja hulumtuese Webometrics, që krijon një listë me 12,100 institucione të nivelit të arsimit të lartë në botë, në 10 vendet e para i ka vënë nëntë universitete amerikane. Aty, si i ranguari më së miri nga Kosova, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (që figuron si i shtetit të Serbisë), është në vendin 3,960 – më keq se 122 universitete të Afrikës; më keq se universitetet nga Uganda e Idi Aminit, nga Kenia që s’ka shtresë të mesme shoqërore, Mozambiku që e ka kallashnikovin me bajonetë në flamur, Gana e kampit të shtrigave, Nigeria e Boko Haramit, Tanzania e Zanzibarit, Etiopia me kalendarin me 13 muaj, Botsuana me 3.7 banorë në një kilometër katror…

SHBA-të kanë 3,281 institucione të nivelit të arsimit të lartë në 325 milionë banorë. Pra, një në 99 mijë banorë. Britania e Madhe me 65,5 milionë banorë ka 285 institucione të tilla. Pra, një në 230 mijë banorë. Kanada ka 352 universitete në 36.7 milionë banorë – një në 101 mijë banorë. Australia ka 199 universitete në 24.7 milionë banorë – një në 124 mijë banorë. Holanda ka 136 universitete në 17 milionë banorë – një në 125 mijë banorë. Këto janë shtetet që punojnë me algoritme e me mend, e që kanë më së shumti universitete në Top 100-shen e nivelit botëror.

Shqipëria ka 36 universitete në 2.9 milionë banorë, pra një në 80 mijë banorë. Kosova, sipas Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka nëntë institucione shtetërore të edukimit të lartë e 25 private. Në total janë 34 në 1,86 milionë banorë, apo një në 54 mijë banorë.

Kosova, ky vend i “etshëm për dituri”!

3. KOSOVA KA REKORD ME NUMËR STUDENTËSH DHE ME EMANUELËT QË PO VAZHDOJNË TË SUNDOJNË!

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar, në vitin akademik 2015/2016, ishte 120,429. Prej tyre, në universitetet publike 73,111 studentë, ndërsa në ato private 47,318 studentë. Pra, çdo i 15-ti banor është student. Në Britaninë e Madhe, në vitin akademik 2015/2016 ishin 2.28 milionë studentë, apo çdo i 29-ti banor student (duke i llogaritur të gjithë vendasit si studentë, sepse në këtë vend studiojnë edhe shumë të huaj).

E, kur është fjala te algoritmi amerikan për numrin e të burgosurve, Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, e ka radhitur Kosovën në vendin 68 në mesin e 70 shteteve të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi. Pra, e ardhmja veç më e keqe do të jetë, me më shumë të burgosur e me më shumë Emanuela në pushtet!

Për këtë realitet, autori i “Magjistarit të mrekullueshëm nga Ozi” – që flet për tokën e Ozit dhe sundimtarin që me mashtrime e bënte veten të madh e të rëndësishëm – L. Frank Baum, do të thoshte këtë algoritëm për shqiptarët: “Nuk mund të të jap tru, por mund të të jap diplomë”!

Kur është fjala te ministrat e Jashtëm, në Britani ndër shumë të tjerë ishin: Duka i Wellingtonit që gjunjëzoi Francën dhe Napoleonin në Waterloo, apo një Robin Cook i cili më 14 prill 1999 tha: “Më 1945, kur së bashku mbijetuam atë që pamë në Evropë – kampet e vdekjes, burokracinë e turpshme të programit të shfarosjes, të mbijetuarit e përçmuar dhe miliona viktima – atëherë thamë: ‘Kurrë më’! Ky është premtimi që duhet ta mbajmë në Kosovë”!

E, në Kosovë ministër është… Emanueli de?!

4. SHYT MARECI, REPUBLIKA “I MENÇURI”, “BUDALLA” DHE SHTETI FATI I TË CILIT VARET NGA LABI!

Në Kosovë, në vitet 1909-1947 ka jetuar një figurë sa reale aq edhe mitike. Është fjala për Shyt Marecin nga fshati më i madh i Kosovës – Mareci.

Për Shytin thuhet se ishte i shkurtë me trup, po trim i madh të cilit banorët ia kishin frikën. Nga frika, mbase, e konsideronin edhe fort të mençur. Kështu, si “njeri që i di sendet”, Shyti një ditë, në një takim burrash në odë, nga balli i oxhakut tha se duhet të shpallet Republika e Marecit. Katundi ishte i madh, kishin bagëti, fusha, male e ujë. Pra, i plotësonin kushtet!? Por, teksa të gjithë u pajtuan me këtë ide, meqë besonin se ishin edhe të denjë e të aftë për të udhëhequr një shtet, doli një person “jo i kthjellët” nga trapazani, që pyeti se si do t’ia bënin për krip e gaz? Meqë Shyti nuk kishte përgjigje, ra menjëherë edhe ideja e shtetit të Marecit.

Në Marecin e Shytit legjendar – ajo që dihet saktë për të është se ka qenë antikomunist dhe pjesëtar i Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare – lindi burri i cili për pak më shumë se një muaj, si president shteti, e çoi para ëndrrën e vendasve të tij për të sunduar me Republikën: Behgjet Pacolli, kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re. Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 qershor 2017, në Kosovë, kandidat i këtij subjekti ishte Labinot Tahiri, i njohur më shumë si Labi.

Më 2013, Labi, ky këngëtar i muzikës pa lidhje, ishte “kryelajm” kur në moshën 33-vjeçare vendosi t’i kryejë dy vitet e mbetura të Shkollës së Mesme. Një vit më vonë ai i shpalosi ambiciet e tij politike, duke marrë pjesë në protestat e organizuara për shqiptarët në Maqedoni. Në zgjedhjet e qershorit 2017, ai i siguron 15,563 vota, ndërsa bashkëpatiaku i tij, Korab Sejdiu – që studimet deri në doktoratë i ka kryer në SHBA – merr sa gjysma e votave të tij. Pra, shkollimi i mirë nuk ka rëndësi! “Gjynah” me humb kohë jashtë kur rezultat jep “shkolla e Kosovës”!

Labi – i cili për katër vite (nga viti 2013) u bë me shkollë të mesme e me diplomë të shkencave politike nga një kolegj privat në Prishtinë – është “çelësi” i krijimit dhe bllokimit të institucioneve. Të gjithë, edhe ata që thonë se nuk iu gjunjëzuan e nuk i gjunjëzohen madje as Serbisë, po bien para tij!

“Paramendo si ndjehem unë, gjendje kritike shumë e rëndë”, do të thoshte Labi, duke cituar “vargjet” e “hitit” të tij të fundit. E, Faik Konica do të thoshte: “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve”.

Algoritmi pra thotë: Të gjithë pas Labit!

5. SUI (DE)GENERIS DHE KTHIMI PRAPA NË “INPUT”

Neil Gaiman u kushtonte rëndësi ëndrrave me sytë e hapur, si shpresë për të ardhmen më të ndritshme. Të njëjtën e thoshte edhe shkrimtari L. Frank Baum: “Besoj se ëndrrat – ëndrrat gjatë ditës, me sytë e hapur dhe trurin që gumëzhin si makineri – mund ta përmirësojnë botën. Fëmija me imagjinatë do të bëhet burrë me imagjinatë apo grua e prirë për të krijuar, për të shpikur e për të nxitur qytetërimin”.

Por, ja që në Kosovë ëndrrat shihen natën. Edhe punët më të mëdha bëhen natën. Kjo është taktika!

Por, çka është tamam taktika këtu?

Në një odë, gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke folur për politikë e strategji, përmendet rastësisht fjala taktikë. Një plak në odë, që nuk e dinte kuptimin e kësaj fjale, po që i njihte shqiptarët e “shkollën e Kosovës”, tha: “Pa Tak e pa Tik nuk bën. Taki është rruga qysh me mbërri te pushteti. E, Tiki është strategjia qysh me mbajt atë pushtet. Taki o i lehtë, e për Tikin duhet me pasë k…”!

Ky është pra algoritmi i Kosovës sui (de)generis. Mësoje Takin e Tikin dhe je “In”! Shkolla e edukimi nuk kanë rëndësi! As shteti! Veç pushteti!

Algoritmet janë mësuar që në Greqinë e lashtë, nga Euiklidi. Këtë emër ua dha më vonë matematikani persian Muhammad ibn Musa al-Khwarizmi. Por, algoritmi që do t’i çonte shqiptarët para është ngatërruar moti. Përherë është një “Goto”, një kthim prapa në “Input”. Asnjëherë te zgjidhja. Gjithmonë në rreth, duke u pështjell andej-këndej, kot e pa dobi, bash si PP – Pthirus Pubis (për të bërë veç PP – Pediculosis Pubis)!

Porno mendësi, porno shoqëri, porno pushtet, porno shtet
Lexo po ashtu Porno mendësi, porno shoqëri, porno pushtet, porno shtet
ASHAK-u dhe “hoxha” i Tërstenikut: Kuku për mu, e kuku për ty!
Lexo po ashtu ASHAK-u dhe “hoxha” i Tërstenikut: Kuku për mu, e kuku për ty!
PISA, për pis e ma pis!
Lexo po ashtu PISA, për pis e ma pis!