LAJMI I FUNDIT:

Vepra e Jenkinsit për Kosovën, mirëpritet në Tiranë

Vepra e Jenkinsit për Kosovën, mirëpritet në Tiranë

Skena e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë është “pushtuar” nga instrumentistë nga Kosova. Ata janë shoqëruar edhe nga pjesëtarët e Korit.

Misioni i tyre ka qenë i përbashkët. Interpretimi i veprës “Njeriu me armë: meshë për paqe”, të kompozuar nga britaniku Karl Jenkins, është bërë shkak që Filarmonia Opera e Kosovës të shtunën mbrëma të performojë në kryeqytetin shqiptar. Vepra të cilin kompozitori e kishte shkruar në vitin 1999 dhe ua kishte dedikuar viktimave të luftës në Kosovë, u interpretua për herë të parë nga Orkestra e Kori i Filarmonisë së Kosovës më 15 mars.

Paraprakisht ishte interpretuar edhe në Gjakovë. Për ta dëgjuar veprën, në Prishtinë kishte ardhur edhe vetë Jenkins. E të shtunën mbrëma, vepra 13-pjesëshe, që zgjat fiks 60 minuta, është interpretuar para audiencës së Tiranës. Koncerti është realizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor të Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Violinisti Visar Kuçi, koncertmjeshtër i parë i Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se në koncertin në Tiranë kjo orkestër ka dhënë një prej interpretimeve më të mira të “Njeriu me armë…” deri më tani.

“Ka qenë një prej tri interpretimeve më të mira të kësaj vepre që Orkestra ka realizuar deri më tani”, ka thënë Kuçi, tek ka folur për publikun e mbledhur në TKOB.

“Publiku e ka pritur shumë mirë. Edhe pse s’kanë qenë shumë njerëz prezentë sa kemi pritur, aty kanë qenë njerëzit më të rëndësishëm të skenës kulturore në Shqipëri, duke përfshirë drejtorë institucionesh muzikore, që janë shumë të rëndësishëm”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, salla e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë i plotëson mjaft mirë kushtet për interpretimin e një vepre siç është ajo e Jenkinsit.

“Vërehej akustika e mirë e sallës dhe përgjithësisht ka qenë një rehati më e madhe. Në përgjithësi ishte një sukses”, ka shtuar ai.

Në koncertin në Tiranë, “Njeriu me armë…” është dirigjuar nga Baki Jashari, njëherësh drejtor i Filarmonisë Opera e Kosovës, derisa solistë kanë qenë sopranoja Besa Llugiqi, tenori Liridon Sadriu dhe kontratenori Safet Berisha.

Vepra e Jenkinsit për herë të parë është interpretuar në vitin 2000 në Angli, më 24 prill, dhe ka pasur për qëllim sensibilizimin e mbarë opinionit botëror që mileniumi i tretë të shënojë një ndryshim radikal në civilizimin njerëzor, ka qenë një thirrje kundër luftës. Si e tillë kjo vepër në vete përmban edhe një mesazh për tolerancë ndërfetare kudo në botë. Mbi 120 muzikantë të Orkestrës Simfonike bashkë me Korin e Filarmonisë së Kosovës u ngjitën në skenë për të interpretuar veprën, e cila deri më tani është luajtur më shumë se një mijë herë në mbarë botën. Këtë vit Filarmonia shënon 15-vjetorin e themelimit, dhe koncerti i 15 marsit kur u interpretua për herë të parë vepra e Jenkins është konsideruar si një prej më të rëndësishmëve jo vetëm në shënimin e këtij jubileu. /koha.net/