LAJMI I FUNDIT:

Me tregime, për humanizimin e “tjetrit”

Me tregime, për humanizimin e “tjetrit”

Nga: Elif Shafak
Përktheu: Telegrafi

Viti 2020 nuk përcaktohet veç nga pandemia, nga rritja e papunësisë, thellimi i pabarazive ekonomike dhe një kohë kritike për urgjencat klimatike. Kishte gjithashtu një rritje alarmante të krimeve nga urrejtja, në të gjithë botën.


Në Poloni, komunitetet LGBTQ janë bërë armiku numër një. Në Hungari, turmat neo-naziste organizojnë demonstrata për të dëbuar komunitetet rome. Më shumë se gjysma e krimeve nga urrejtja në Nju-Jork, vitin e kaluar prekte qytetarët hebrenj. Në Gjermani ka pasur shtim të rrezikshëm të sulmeve kundër minoriteteve dhe refugjatëve. Në Britani të Madhe, shifrat e Ministrisë së Brendshme tregojnë rritje të krimeve nga urrejtja, përfshirë ato kundër pakicave seksuale dhe qytetarëve transgjinorë. Në Turqi, në Brazil dhe në Indi, një formë e rrezikshme e dogmatizmit vazhdon të rritet. Të gjitha këto ngjarje, në dukje të ndryshme, kanë një gjë thelbësore të përbashkët: urrejtjenn sistematike dhe paragjykimin ndaj njerëzve që vlerësohen si të ndryshëm; dehumanizimi i “tjetrit”.

Historia na ka treguar se nuk fillon me kampe përqendrimi ose vrasje masive, ose luftë civile ose gjenocid. Gjithmonë fillon me fjalë: stereotipa, klishe, figura. Lufta kundër dehumanizimit, pra, duhet të fillojë me fjalë. Me tregime. Është më e lehtë të bëjmë përgjithësime për të tjerët nëse nuk dimë asgjë për ta; nëse ata mbesin një abstraksion. Për të ecur para, duhet ta kthejmë mbrapshtë procesin: t’ia nisim duke rihumanizuar ata që janë dehumanizuar. Dhe, për këtë kemi nevojë për artin e tregimeve.

Datat dhe informacionet faktike janë thelbësore, por jo të mjaftueshme për të rrëzuar muret e mpirjes dhe indiferencës, e për të na ndihmuar të kemi empati me njerëzit jashtë fiseve tona. Kemi nevojë për një lidhje emocionale. Por, më shumë se kaq, ashtu siç kemi nevojë për motër kundër patriarkales, kemi nevojë për tregime kundër fanatizmit. Në Lindje ose Perëndim, teksa lidhemi me të tjerët këtë ne e bëjmë përmes tregimeve. Literatura mund të jetë tepër e fuqishme, relevante, universale dhe, më e rëndësishmja, një forcë shëruese.

E vërtetë, Doris Lessing kishte të drejtë kur ka thënë se letërsia ishte analiza pas ngjarjes. Shkrimtarëve u duhet kohë për t’i përpunuar, për t’u tretur, për t’u analizuar. Por, në botën e pas-Kovidit, kur gjithçka po zhvendoset me shpejtësi mahnitëse, dhe ka kaq shumë lëndime, dhimbje e padrejtësi kudo, letërsia gjithashtu duhet të jetë analiza gjatë këtyre ngjarjeve.

Nën masat shtrënguese kemi parë biblioteka të mbyllura, qendrat kulturore të lëna pas dore. Tani, me ndikimin e koronavirusit, artet dhe kultura rrezikohen edhe një herë. Në një kohë kur pabarazitë po thellohen dhe paragjykimet përshkallëzohen, urgjentisht kemi nevojë për mbështetje publike dhe private për kreativitet, veçanërisht në mesin e komuniteteve të anashkaluara. Është një lidhje e drejtpërdrejtë midis bashkëjetesës, përfshirjes, demokracisë në një shoqëri dhe asaj se sa mirë mbështeten industritë e saj krijuese. Ky nuk është luks, por diçka e rëndësishme dhe urgjente sa ajri që thithim.

Arti i tregimit është një nga hapësirat tona të fundit të mbetura demokratike. Tashti ajo duhet të jetë një nga aktet tona kryesore të rezistencës kundër dehumanizimit. /Telegrafi/

“Inteligjenca e re emocionale do të na shpëtojë”
Lexo po ashtu “Inteligjenca e re emocionale do të na shpëtojë”
NATË
Lexo po ashtu NATË