LAJMI I FUNDIT:

Të shkruaje shqip në Arbërinë e Skënderbeut dhe Formula e Pagëzimit

Të shkruaje shqip në Arbërinë e Skënderbeut dhe Formula e Pagëzimit

Genciana Abazi-Egro

Dokumenti më i vjetër, i mbijetuar, që shqiptarët kanë shkruar shqip është Formula e Pagëzimit (1462). Ai është përkthimi shqip (unë të pagëzonj pr emënit Atit et birit et shpertit shenjt) i shprehjes latine të shkëputur nga Ungjilli i Mateut e cila përdoret gjatë ritualit të pagëzimit te besimtarët katolikë. Ky dokument shënon jo vetëm fillimin e periudhës së shqipes së shkruar, por edhe përdorimin e parë të shqipes në ritualet fetare. Edhe pas saj, për gati një shekull shqiptarët vazhduan të përkthejnë pjesë nga Bibla dhe të përdorin shqipen në liturgjinë e krishterë. Edhe Perikopeja e Ungjillit të Pashkëve (shekulli XV) është përkthim i një pjese të Ungjillit të Mateut dhe i përshëndetjeve që kori këndon në të dielën e Pashkëve sipas ritit ortodoks; kurse Meshari i shkruar nga Gjon Buzuku më 1555, krahas lutjeve dhe riteve fetare që kryhen përgjatë vitit, ka dhe shumë pjesë të përkthyera nga Bibla.


Përkthimi i Biblës dhe liturgjisë së krishterë i diferencon këto tri tekste nga veprat që do të shkruajnë më pas shqiptarët (Lekë Matrënga më 1592, Pjetër Budi më 1618, 1621, Pjetër Bogdani më 1685 …), të cilat përqendrohen te katekizmi, d.m.th. manuale mësimi të doktrinës së krishterë. Kështu Formula shqip e Pagëzimit fillon procesin e përkthimit të Biblës dhe liturgjisë së krishterë te shqiptarët, ndërsa Meshari i Gjon Buzukut shënon fundin e këtij procesi i cili do të rifillojë në mënyrë sistematike në shek. 19, në epokën e nacionalizmit, me përpjekjet e qarqeve protestante.

Pavarësisht se për këto tri dokumente të shqipes (Formulën e Pagëzimit, Perikopenë e Ungjillit të Pashkëve dhe Mesharin e Gjon Buzukut) nuk vërtetohet një lidhje e drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, ato dëshmojnë se te shqiptarët në Mesjetën e vonë ka patur një çështje të gjuhës amtare. Kjo çështje e gjuhës është zhvilluar në të njëjtat paralele që ka patur diskutimi mbi gjuhët amtare në Evropë.

Në mesin e shek. 15 Evropa kishte filluar të zbulonte çështjen e gjuhës dhe po vetëdijesohej gjithnjë e më shumë për ekzistencën e një diversiteti gjuhësor. Madje në fillim të shekullit XVI, çështja e përdorimit të latinishtes në liturgji shërbeu si vijë demarkacioni në zhvillimet fetare dhe u bë pjesë e reformave që prekën strukturën e kishës katolike dhe i hapën rrugë lindjes së mendimit protestant. Përdorimi i latinishtes në liturgjinë katolike u legjitimua në Konsilin e Trentit me dekretin e datës 17 shtator 1562 dhe ajo vazhdoi të përdorej në liturgji deri më 7 mars 1965 (Konsili ekumenik Vatikani II). Kështu, Konsili i Trentit promovoi uniformitetin e liturgjisë, ndërsa për Katekizmin vendosi që të përkthehej në gjuhët amtare me përkthime të kontrolluara dhe të autorizuara nga Kisha Katolike. Katekizmi i Koncilit të Trentit (Katekizmi Roman) u hartua në latinisht e italisht dhe menjëherë u përkthye në frëngjisht, gjermanisht dhe polonisht.

Formula shqip e pagëzimit, është një ndër vendimet që Pal Engjëlli, kryepeshkopi i Durrësit, këshilltar dhe emisar i Gjergj Kastriot Skënderbeut mori në Kuvendin fetar, të zhvilluar në një kishë të Matit më nëntor 1462. Ajo u artikulua në një aktivitet zyrtar të Kishës Katolike dhe u përfshi në dokumentin zyrtar që doli nga kjo veprimtari. Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli ishte një aktor i fuqishëm fetar dhe politik në Arbërinë e Skënderbeut. Duke patur një personalitet të tillë të fuqishëm me akses të fortë dhe në Vatikan, ai kishte të gjithë autoritetin dhe mundësitë për të bërë një ndërhyrje të tillë në ritualet fetare të kohës.

Futja në përdorim e shqipes në liturgji, krahas latinishtes që ishte gjuha zyrtare e Kishës Katolike, ishte një sintezë e zhvillimeve politike e fetare në Arbërinë e Skënderbeut dhe e frymës kryqtare që po sundonte në Evropë.

Më 1459 Papa Piu II kishte shpallur zyrtarisht fillimin e kryqëzatës së re kundër turqve osmanë. Pal Engjëlli, referuar Dhimitër Frangut, ka ndikuar vetë personalisht që Papa të merrte një vendim të tillë, madje ka qenë dhe një ndër hartuesit e planit të kryqëzatës. Në bulën papale që shoqëron aktet e Kuvendit të Matit shprehet qartë se Pal Engjëlli është ngarkuar që të marrë masa “me qëllim që të gjithë besnikët (besimtarët), të ndezur nga zjarri i fesë, të bashkohen me ne …” Madje dokumentet e kohës dëshmojnë se ai ka ndërmarrë dhe veprime të natyrës praktike, sikurse fortifikimi i mureve të Durrësit, ku pritej të zbarkonte ushtria kryqtare e drejtuar nga Papa Piu II.

Në fakt kryqëzatat në Evropën e shekullin XV ishin bërë pjesë e jetës fetare me implikime në politikë e kulturë. Ndërsa fryma e krijuar nga kryqëzatat dhe ndryshimet që ato sollën në ligjërimin fetar patën ndikim të drejtpërdrejtë në formësimin e shoqërisë evropiane, e cila po ndryshonte me shpejtësi në këtë periudhë. Kështu që ndërhyrja në liturgji dhe pasurimi i ligjërimit fetar me elemente të reja fitonte normalitet në këtë situatë të mbarsur lufte.

Një ndërhyrje në rituale dhe në liturgji realizoi dhe kardinali Basilius Bessarion, vetëm disa muaj më vonë nga Pal Engjëlli, në gusht 1463. Kardinali Bessarion harton instruksione të detajuara për zhvillimin e ritualeve që do të kryheshin në Venedik gjatë predikimit në meshën që do të mbahej në nisje të kryqëzatës. Madje shkon më tej duke formuluar edhe vetë një lutje që do të përdorej në një seksion të caktuar të ceremonisë.

Nga ana tjetër, në këtë periudhë kur Ballkani po luftonte kundër invazionit osman, roli i klerikëve të lartë merrte një rëndësi të veçantë. Krerët e Ballkanit shpresonin për mbështetje politike nga Vatikani, si fuqia më e madhe mobilizueze kryqtare në Evropë. Stefan Tomasheviçi, sundimtari i Bosnjës, në vitin 1443 u konvertua personalisht në katolicizëm dhe bashkë me këtë akt i kërkoi Papës që t’i dërgonte një peshkop për të mbajtur gjallë frymën kryqtare në territoret që kishte nën sundim. Po kështu kishte vepruar dhe kardinal Cesarini, pranë Janko Huniadit.

Favori i Gjergj Kastriot Skënderbeut ishte se marrëdhëniet me Vatikanin i kishte vendosur me ndërmjetësinë e klerikëve që ishin shqiptarë. Duke qenë të tillë ata njihnin zhvillimet politike në Evropë, zhvillimet lokale dhe situatën e praktikat fetare në vend. Përveç dobisë politike, një pozicion dhe njohje e tillë favorizonte dhe sillte një integrim e harmonizim shumë të mirë të zhvillimeve evropiane me kulturën vendase, arbre.

Formula shqip e pagëzimit vendos një lidhje direkte dhe me personalitetin e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe formacionin e tij shtetëror. Gjergj Kastriot Skënderbeu përmendet dy herë në dokumentet e Kuvendit: një herë në akte si Zoti i Arbërisë, nën të cilin “dinjiteti kishtar gëzon më së forti lirinë dhe mbrojtjen” dhe së dyti, në bulën papale të datës 4 nëntor 1463 bashkangjitur akteve të Kuvendit, ku quhet “mbret i pathyeshëm i Arbërisë”. Përveç kësaj, Pal Engjëlli këtë kuvend lokal të dimensioneve të mëdha, zhvilluar me pjesëmarrjen e fisnikëve vendas dhe njerëzve të thjeshtë, nuk e organizoi në Durrës ku kishte dhe selinë e tij, por zgjodhi Matin, qendër e zotërimeve atërore të Gjergj Kastriotit. Lidhjen që Pal Engjëlli ka patur me politikën e konfirmon edhe fakti që në Kodikun e Pal Engjëllit, përmenden me emër sundimtarët e trojeve arbërore dhe fisnikët apo “dyert e mëdha” të shqiptarëve të Mesjetës.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është, shkrimi i shqipes a ka qenë një nismë politike? A po shkonte Skënderbeu dhe oborri i tij drejt hartimit të dokumenteve në gjuhën shqipe? Se çfarë do të sillte stabiliteti dhe vazhdimësia e shtetit të Gjergj Kastriot Skënderbeut është e pamundur të përcaktohet, por ajo që dihet me siguri është se Pal Engjëlli filloi një proces i cili nuk përfundoi me shtetin e Skënderbeut.

E parë në kuadrin e zhvillimit që pati ligjërimi fetar në gjuhën shqipe dhe konkretisht liturgjia e krishterë në shqip, kuptohet se Formula shqip e Pagëzimit nuk ishte një ngjarje rastësore. Studiuesit kanë përcaktuar se tek Formula e Pagëzimit gjejmë një trajtë të ngulitur përdorimi të shqipes e cila është tekstualizuar d.m.th. është hedhur në letër. Përkthimi fjalë për fjalë i shprehjes latine in nome Patris, në shqip do të ishte në emër të Atit. Ndërkohë që te Formula e Pagëzimit hasim trajtën pr emënit Atit. Pikërisht kjo shmangie dhe pavarësi nga teksti latin dëshmon se shprehja pr emënit Atit et birit et shpertit shenjt, ka njohur një përdorim të ngulitur në gjuhën shqipe. Ky fakt të shtyn të mendosh se shqipja ka qenë pjesë e ligjërimit fetar në Arbëri. Një mendim të tillë e përforcon edhe fakti se arbëreshët e Italisë, të cilët janë larguar nga trojet shqiptare përgjatë shek. XIV-XV e kanë përdorur shqipen në ritualet e tyre. Kleriku dhe historiani Girolamo Marafioti më 1601 gjatë një udhëtimi në Kalabri vërejti se arbëreshët e atjeshëm “I bëjnë shërbesat e kishës sipas zakonit të gjuhës së tyre, e cila është shumë e ndryshme nga zakoni latin e grek”. Ndërkohë që më 1592 Lekë Matrënga boton E mbsuame e krështerë (Doktrina e Krishterë) duke përvijuar kështu të njëjtën prirje zhvillimi që pati dhe ligjërimi fetar i krishterë në gjuhën shqipe, tek shqiptarët e Shqipërisë Mesjetare.

Këtu duhet thënë se përdorimin e shqipes në liturgjinë katolike e ka ndihmuar dhe fakti që, të krishterët ortodoksë në ritualet e tyre përdornin greqishten. Ky përdorim e bënte më familjar konceptin e diversitetit gjuhësor në liturgji dhe lehtësonte përdorimin e shqipes kundrejt latinishtes. Është interesant fakti se Perikopeja e Ungjillit të Pashkëve i përket ritit bizantin dhe në këtë rast kemi të bëjmë me përdorimin e shqipes në ritet ortodokse. Kjo është një temë që kërkon hulumtime të mëtejshme për të parë në se kemi një çështje të përdorimit të shqipes në liturgji tek shqiptarët ortodoksë, apo ky tekst duke qenë se është gjetur në Bibliotekën Ambroziana në Milano, ka lidhje me arbëreshët e Italisë dhe me mënyrën si e kanë zhvilluar ata ligjërimin fetar.

Në fund do të desha të vë në dukje që, në rast se në Evropë vetëdijësimi për diversitetin gjuhësor në shek. 15 u bë shkak për reforma në strukturën e Kishës Katolike, të cilat sollën reduktimin e hendekut midis sferës fetare dhe jetës së përditshme, tek shqiptarët vetëdijësimi për çështjen e gjuhës amtare pati një rezultante tjetër. Përdorimi i shqipes në liturgji/ ligjërimin teologjik u bë për të forcuar ndjenjën e përkatësisë fetare të krishterë, kundrejt rrezikut dhe kërcënimit osman në Ballkan. /mapo/