LAJMI I FUNDIT:

Krijoni për shpirt, jo për para!

Krijoni për shpirt, jo për para!

Në vitin 2006, një profesoreshë e gjuhës angleze në një shkollë të mesme, kërkoi nga nxënësit t’ia shkruanin një letër ndonjë autori/e të famshëm dhe të kërkonin këshilla nga ai/ajo. Kurt Vonnegut ishte i vetmi që u përgjigj – dhe përgjigja e tij është kjo:

“E nderuar Shkollë e Mesme ‘Xavier’, dhe znj. Lockwood, dhe zotërinjtë Perin, McFeely, Batten, Maurer dhe Congiusta:


Ju falënderoj për letrat tuaja miqësore. Me siguri dini se si ta gëzoni një plak vërtet të moshuar (84) në vitet e tij të perëndimit të diellit. Nuk dal më në publik, sepse tani nuk ngjasoj me asgjë tjetër pos me një zvarranik.

Ajo që kam për t’ju thënë, mbi të gjitha, nuk është diçka e gjatë për ta kuptuar: Praktikojeni çdo art, muzikë, këndim, vallëzim, aktrim, vizatim, pikturë, skulpturë, poezi, letërsi, ese, reportazh, sado mirë apo keq, jo për të fituar para dhe famë, por për ta përjetuar krijimin, për të zbuluar se çfarë është brenda jush, për ta pasuruar shpirtin tuaj.

Seriozisht! Ajo që dua të them është: nisjani që tash të bëni art dhe ta bëni këtë për gjithë pjesën tjetër të jetës tuaj. Bëjeni një vizatim qesharak ose të këndshëm të zonjës Lockwood dhe jepjani asaj. Pas shkollës, vallëzoni në shtëpi dhe këndoni në dush e kështu radhë. Bëjeni një fytyrë nga pureja e patateve. Pretendoni se jeni Konti Drakula.

Ja një detyrë për sonte dhe shpresoj se zonja Lockwood do t’ju qortojë nëse nuk e bëni: Shkruajeni një poezi me gjashtë rreshta, për çdo gjë, por me rimë. Nuk ka tenis të mirë pa rrjetë. Bëjeni sa më mirë që të jetë e mundur. Por, mos i tregoni askujt se çfarë jeni duke bërë. Mos ia tregoni dhe as mos ia recitoni askujt, as të dashurës apo prindërve tuaj apo kujtdo tjetër, dhe as zonjës Lockwood. Në rregull? Ta preni atë në copa të vogla dhe ta hidhini në një kantë të madhe të bërllokut. Do të kuptoni se tashmë veçse jeni shpërblyer me lavdi për poezinë tuaj. E keni përjetuar krijimin, keni mësuar shumë më tepër për atë që është brenda jush dhe e keni bërë shpirti tuaj më të pasur.

Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Kurt Vonnegut”. /Telegrafi/

Çelësi i paqes mendore
Lexo po ashtu Çelësi i paqes mendore