LAJMI I FUNDIT:

Historia e fisit Shala

Historia e fisit Shala
Luftëtarët e rinj të Shalës (foto: Kel Marubi)

Nga: Robert Elsie (pjesë nga vepra Fiset shqiptare: Historia, shoqëria dhe kultura, fq. 181-189)

Pozita e territorit të fisit


Trojet fisnore të Shalës gjendën në zonën e Dukagjinit në veri të lumit Drin, në Qarkun e tanishëm të Shkodrës në veri të Shqipërisë. Shaljanët jetojnë në pjesën më të lartë të luginës së lumit Shalë, rreth fshatit Theth, ku mbaron lugina, dhe është i rrethuar me bjeshkë të larta në të gjitha anët. Shala kufizohet, sipas rajonit tradicionale të fisit, në Perëndim me Bogën, Shkrelin, dhe Planin përtej maleve, në Veri me Kelmendin matanë maleve, në lindje me Krasniqen dhe Nikajn përtej maleve dhe në jug me Shoshin. Ngulimet kryesore të Shalës janë: Abat, Bregluma, Gimaj, Lekaj, Lotaj, Nderlysa, Nënmavriq, Pecaj, Thethin dhe Vuksanaj.

Popullata

Emri Shala haset në gjuhën italiane në raportin kishtar të të Bonaventura di Palakolo nga Verçelli Piemonte në vitin 1634. Ai e quante këtë rajon Sciala. Në raportin e tij kishtar, të vitit 1671, vizitori papnor në Shqipëri, Pjetro Stefano Gasparini, e përdori fjalën Sala dhe shënoi:

Në këtë anë të malit Agri, në fund të Pulatit të Epërm, gjendet fshati i Shalës, që përbëhet nga 32 shtëpi dhe 20 frymë. Ata janë të fortë dhe të armatosur, si me kushtet fizike ashtu edhe me pozitën e tyre janë tërësisht të pavarur. Ata i sulmojnë pareshtur rajonet fqinje turke dhe pothuajse, gjithmonë kthehen si ngadhënjyes.

Në hartën e vitit 1688, të hartografit venedikas, Francesco Maria Coronelli, rajoni quhej Scialia. Gjithashtu figuron dhe si “Scialia” në vitin1821, në hartën e diplomatit francez Hugues Pouqueville. Thuhet se ky term ka të bëj me fjalën shqipe shalë, shalësinë, që do të thotë “tokë jopjellore dhe e thatë“. Por, ky shpjegim nuk është aq bindëse nga pikëpamja etimologjike, sepse Shala është një ndër vendet e pakta në malet e veriut që është e pjellore dhe nuk është e thatë.

Shala është një fis që përbëhet nga një bashkësi që është e vetëdijshme për lidhjet e përbashkëta të gjakut, të historisë dhe të stërgjyshit.

Shala ka lidhje të ngushta me fisin e Shoshit. Te dy fiset janë kryesisht katolike dhe nuk kanë lejuar që të vendoset asnjë mysliman në luginë. Mbrojtësi i shenjtë i Shalës është Shën Gjoni, Evangjelisti, festa e të cilit kremtohet më 27 dhjetor. Megjithatë, siç ishte edhe rasti me fisin Nikaj, shumë pjesëtarë të fisit u kanë dhënë fëmijëve emra myslimanë. Famullia katolike e Shalës është themeluar më 1763, ndonëse disa herë është braktisur gjatë historisë. Fisi Theth është bërë famulli e pavarur më 1892.

Shala e kremton edhe festën e Shën Mikelit, më 29 shtator, me prerjen dhe pjekjen e një dashi në hell. Para darkës, në vigjilje të festës së Shën Mikelit, në meshë ndizet një kandil dhe pas lutjeve shtrohet darka për nder të të shenjtit. Dikush nga familja duhet të bëjë roje tërë natën deri të nesërmen, për të siguruar që kandili të mos shuhet.

Nëse shuhet kandili, atëherë fati i lig do ta njollosë tërë familjen. Në Informata të shkurtra për fiset e Shqipërisë së veriut, veçanërisht të Malësisë së pavarur, të botuar më 1841, Nikollai, Princi i Vasojeviqëve, pohon se Shala ka një popullatë prej 4 000 banorësh, prej të cilëve 1 000 janë burra të armatosur. Hajsint Hekardi, në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë, raportonte se Shala kishte 275 shtëpi dhe 2 500 banorë. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, thuhet se kjo trevë kishte 3 000 banorë.

Inxhinieri austriak, Karl Shtainmetc, i cili në gushtin e vitit 1903, i ka bërë vizitë rajonit të Shalës, ka lënë këtë vërejtje:

Shala është fisi më i fortë dhe më i njohur në Malësinë katolike. Përbëhet nga 500 shtëpi dhe afro 4500 frymë. Anëtarët e këtij fisi u përmbahen me një saktësi të madhe gjakderdhjes dhe tokave të vjetra. Dëshmia më e mirë për këtë janë ndërtesat e shembura të cilat i pashë derisa po kaloja rrugën nëpër këtë territor. Ky fis i ka lidhjet e ngushta me fisin e Shoshit, i cili jeton në pjesën jugore të luginës. Në tërë këtë luginë ka tre misionarë: njëri është në Abat, tjetri në Shosh dhe i fundit, që nga viti i kaluar, në Theth. Bajraktari i Shalës jeton në Pecaj, në truallin e Abatit.

Në regjistrimin e parë më të besueshëm i bërë në Shqipëri në vitin 1918 nën administratën e Austro-Hungarezëve, statistikat e popullsisë të fisit Shalë janë: 431 shtëpi me gjithsej 2 512 banorë. Në këtë rajon përfshihen edhe vendosjet në rrethinat e Abatit, Lekajt, Lotajt, Nenmarviqit, Nicajt, Pecajt dhe Thethi.

Pjesëtarët e fisit të Shalës janë të njohur si barinj, bujq dhe cuba. Lugina është e pasur me ujë dhe kullosa të mira. Misri është zakonisht ushqimi kryesor, ndërsa gruri përdoret për përdorim vendas.

Shumë familje të Shalës kanë mërguar në rajonin e Pejës, në Kosovën perëndimore. Fshati i Isniqit, afër Deçanit, thuhet se banohet tërësisht nga shaljanët. Johann Georg von Hahn, i cili në vitin 1858 udhëtoi nëpër Kosovë, të cilën e quante Shqipëria Dardane, kishte vënë re gjithashtu praninë e shaljanëve në periferi të Vushtrrisë, në Kosovën Verilindore:

Shala përbën popullsinë kryesore të rajonit të Vuçitërnës dhe ka lidhje me Shalën katolike të Alpeve të Shqipërisë në veri, të cilën e konsideron si fisin amë.

Tani, në Kosovë, pjesëtarët e fisit të Shalës janë të përqendruar kryesisht në rrethinat e Mitrovicës dhe të Trepçës, në rajonin kodrinor që i thonë Shala e Bajgorës. Bajgora është ngulimi më i madh i tyre, meqë ka 37 vendbanime. Ata ndahen në katër klane ose vllazni: Gima, Peci, Maleti (ka farefisni me fisin Lotaj në Shqipëri) dhe Lopçi. Po kështu ka një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të fisit të Shalës në Isniq, te Lluka e Epërme dhe në Strellcin e Ulët afër Deçanit, në Ujmirë në lindje të Klinës, në Kopiliqin e Epërm në Drenicë, në Rakosh dhe Çitak në Podgor, dhe në disa fshatra të tjerë të luginës së epërme të Lepencit. Ç’është e vërteta, në numra më të vegjël, ata janë të pranishëm në mbarë Kosovën. Shumica e tyre e kanë ruajtur ndjenjën e përkatësisë fisnore.

Legjendat për fisin, stërgjyshërit dhe historia

Stërgjyshi legjendar i fisit të Shalës quhej Zog Diti, i biri i Dit Murrit dhe nipi i Murr Detit, i njohur po ashtu si Murr Dedi. Vëllai i Zog Ditit, Mark Diti, ishte stërgjyshi i fisit të afërm të Shoshit, ndërsa vëllai i tij, Mir Diti, konsiderohej si i pari i fisit të Mirditës.

Sipas një tradite tjetër orale, të ngjashme me këtë, stërgjyshi i parë i Shalës quhej Nik Gjeku, i biri i Gjek Murrësit dhe nipi i Murr Dedid. Nik Gjeku pati katër djem: Pec Nika, Lot Nika, Lek Nika, dhe Ded Nika. Tre të parët themeluan ngulimet në Pecaj, Lotaj dhe Lekaj. Pasardhësit e Pec Nikës, më vonë, themeluan disa vendbanime me emrin pak të ndryshuar, Nicaj.

Mirëpo, ndonëse kjo traditë nuk është aq e njohur, tradita orale e përshkruan Shalën me prejardhje nga një individ i quajtur Bal Shiroka.

Së bashku me fqinjin Shoshi, Shala ka pasur marrëdhënie të ngushta historike me Mirditën. Kështu, duket se ata kanë mbërritur deri në Luginën e Shalës nga jugu. Edith Durhami mendon se arritja e tyre në luginën e Shalës së Epërme është bërë më 1430. Sa për marrëdhëniet me Mirditën, Baron Nopça ka cekur se, në vitet e para të shekullit të njëzet, shumë më parë se kjo kohë, shaljanët ende mbanin dallama, që është një lloj përparëseje që arrin deri në gjunjë dhe është veshje karakteristike e fiseve të Mirditës. Në shekullin e tetëmbëdhjetë, shaljanët jetonin në shpella, duke i shpërfillur obligimet fetare dhe nuk punonin arat. Ata, padyshim ishin ndër fiset më të varfra të veriut, por njëherësh edhe mbrojtësit më të fuqishëm të dokeve të vjetra. Pikërisht këtu është zbatuar Kanuni i Lek Dukagjinit.

Dijetarja ruse, Julia Vladimirovna Ivanova (1922 – 2006), e cila në vitin 1956 dhe 1958 bëri disa kërkime shkencore në Shqipërinë e veriut, ia doli të mbledhë disa informata interesante mbi historinë e hershme të Shalës:

Në fund të shekullit të katërmbëdhjetë, u bënë dyndjet e popullatës në malin Pashtrik, rajon ky afër Prizrenit. Një pjesë e popullatës shkoi në pjesën veriore të rrafshnaltës së Dukagjinit (Metohija). Një grup tjetër, duke përfshirë familjen e Murr Detit, shkoi dhe u vendos në malet e Pukës, në anën e majtë të lumit Drin. Ky rajon, gjithashtu është i njohur si Dukagjini i Vjetër. Këtu, në shekullin e pesëmbëdhjetë ose të shtatëmbëdhjetë, ndodhi një shpërngulje tjetër. Një pjesë e popullatës u shpërngul mbi Qafën e Lokut dhe u vendos në rajonin që sot quhet Mirdita. Një pjesë tjetër e popullatës (të Shalës) u shpërngul dhe u vendos në brigjet juglindore të liqenit të Shkodrës dhe prej aty vazhdoi shpërnguljen drejt veriut, deri në luginën e Shalës. Kur arritën atje, ata gjetën popullatën vendase që quhej Mavriqi. [Morinasit – sipas një shkrimi të Nikoll Kimzës në vitin 1937, botuar në revistën Hylli i Dritës e të quajtur Hetime mí vjetersín e rrjedhën e Derës Gjomarkaj e të Mirditës, fisi Morina quhej edhe Marin – ishin fis në kuptimin klasik, pra një komunitet që është i vetëdijshëm për lidhjet e përbashkëta të gjakut dhe për historinë e përbashkët që arrin deri te një paraardhës i përbashkët mashkull dhe, sipas traditës gojore, ata duket se kanë një origjinë të përbashkët me fiset tjera si mirditorët, fisi Shala dhe me rajonin e Shoshit të cilët po ashtu e gjurmojnë origjinën e tyre në Malin e Pashtrikut në kufirin Kosovë-Shqipëri, jo shumë larg territorit të Morinës – shën. i Telegrafit.]

Shala përbëhet prej katër bajraqeve: Thethi, Pecaj, Lothaj dhe Lekaj; tre bajraqet ishin ndarë rreth vitit 1530. Te tjerët e ndajnë Shalën në tre bajraqe: vet Shala në lindje të bregut të lumit Leshnica , Gimaj dhe Thethi: këto dy fise të fundit nganjëherë konsiderohen si fise të pavarura. Edith Durhami, bie fjala, shkruan se bajraku i Thethit përbëhet prej 180 shtëpive. Edhe bajraku i Gimajt, zakonisht, konsiderohej si pjesë e Shalës, por herë pas herë e konsideronte veten te pavarur.

Shaljanët njihen në mesin e fiseve malësore për dinakëri dhe dredhi, ashtu si thotë fjala popullore:

Menja e Gashit, syni i Krasniqes, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, dredhia e Shaljanit, gjarpnia e Thaçit.

/Telegrafi/