Vizita e Vuçiqit në Luginë, Salihu: Shqiptarët po përballen me politikë selektive

Afaristi nga Medvegja, Muharrem Salihu, ka reaguar lidhur me vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në zonat e banuara me serbë në Luginën e Preshevës, duke kritikuar atë që e cilëson si politikë selektive ndaj shqiptarëve të Medvegjës.
Në një postim në rrjetet sociale, Salihu ka thënë se vizitat e Vuçiqit në Medvegjë nuk janë thjesht vizita, por kanë karakter politik.
“Vizita e Presidentit të Serbisë Vuçiq në fshatrat serbe të Luginës së Preshevës nuk është thjesht një vizitë. Ajo është një mesazh politik”, ka shkruar Salihu.
Ai ka theksuar se presidenti serb ka vizituar vazhdimisht zonat e banuara me serbë në Medvegjë, por, sipas tij, nuk ka vizituar fshatrat e banuara me shqiptarë.
Salihu e ka cilësuar këtë si “politikë selektive”, ndërsa ka kritikuar edhe, siç ka thënë, heshtjen e partive shqiptare që veprojnë në rajon.
Një pjesë të veçantë të reagimit të tij ia ka kushtuar kthimit të adresave të shqiptarëve të Medvegjës, duke e cilësuar këtë si kërkesë themelore.
“Kërkesa për kthimin e adresave të shqiptarëve të Medvegjës nuk është një kërkesë dytësore. Është pika e parë. Pa ekzistencë administrative, nuk ka barazi reale. Pa adresë, nuk ka të drejtë të sigurt”, ka deklaruar Salihu.
Ai ka thënë se pa rikthimin e njerëzve në evidencat zyrtare, premtimet për të drejtat e shqiptarëve mbeten vetëm deklarata.
Salihu ka kërkuar gjithashtu që Medvegja të mos mbetet jashtë vëmendjes së politikës shqiptare.
“Prandaj Medvegja nuk duhet të jetë më periferia e vëmendjes shqiptare. Medvegja është banka e provës”, ka shkruar ai.
Sipas Salihut, në Medvegjë do të dëshmohet nëse të drejtat e shqiptarëve në Serbi janë një parim i panegociueshëm apo vetëm deklarata politike. /Telegrafi/






































