Nga: Dorian Koçi
Kosturi është një nga qytetet në rajon i cili ka pasur një rëndësi të veçantë për mesjetën arbërore dhe historinë e Arbërisë. Kosturi – për një moment para pushtimit otoman – ka qenë nën zotërimin e Muzakajve. Gjin Muzaka në Kronikën e tij shkruan se Perandori Bizantin Joan V Paleologu i blatoi Muzakajve dhe qytetin e Kosturit që ishte nënë sundimin e djalit të Vukashint, Marko Kraleviqit. Qyteti i Kosturit që është një gjë fort e bukur dhe me të ardhura të mëdha, rrëfen Muzaka, u muar me forcën e armëve nga Mark Kraleviqi dhe mbeti zotërim i Muzakajve derisa u pushtua ashtu si zotërimet e tjera të Muzakajve, nga pushtuesit osmanë (Pëllumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Tiranë: 2009, Shtëpia Botuese 55, fq. 177).
Në betejën e Kosturit morën pjesë edhe disa fisnikë të tjerë arbër, si Balsha II, vjehërri i Andrea Muzakës, dhe dhëndri i këtij të fundit, zoti i Dibrës dhe Ohrit, Andrea Gropa. Si simbol i zotërimit të qytetit, familja Muzaka ndërtoi dhe kishën e Shën Thanasit duke marrë kështu edhe rolin e ktitorit, njëlloj si despotët dhe familjet e tjera fisnike në rajon. Kisha e Shën Thanasit në Kostur është një nga monumentet më të vjetra bizantine në krahinë. Ajo është një kishë të vogël, me një dhomë me çati të drunjtë me narteks të ndërtuar më vonë nga ana perëndimore. Në brendësi të saj është shumë e pasur me piktura murale me karakter rrëfimitar. Pikturat murale përmbajnë skena nga jeta e Krishtit si edhe shumë shenjtorë, në mes tyre zënë një vend të veçantë shenjtorët lokalë dhe ata të urdhrave ushtarakë.
Sipas shënimit të ktitorit(ndërtuesit) që ka ardhur deri në ditët e sotme në murin perëndimor të saj, kisha u ndërtua në vitet 1383-1384 nga vëllezërit Stoia dhe Theodhor Muzaka, së bashku me murgun Dionisi. Të dy vëllezërit ishin pjesëtarë të familjes fisnike Muzaka e cila sundonte Kosturin në ato kohë para pushtimit otoman. Mbishkrimi i stilizuar gjendet mbi portën në anën perëndimore të saj. Në të shkruhet:
Άνηγέρθη και ήνεκαινίσθη εκ βάθρου κ(αί) κόπου και μόχθου ό θείος // και πάνσεπτος ναός
οΰτος του έν άγίοις π(ατ)ρ(ός) ήμ(ών) Αθανασίου τοϋ Μεγάλου // κ(αί) άνιστορήθη παρά τους
κτιτόρους ήγου(ν) τους παν[ευγ]ενεστάτους κυ(ρ) Στώ // ϊα κ(αί) Θεοδώρου τοϋ Μουζάκη . κ(αί)
τοϋ έν Ίερο(μον)άχ(οις) Διονυσίου . αϋφθεν // τευόντ(ων) δέ τ(ών) αύτ(ών) αϋταδέλφ(ων)
πα[ν]ευγενεστάτους κυ(ρ) Στώϊα. και κυ(ρ) // Θεοδώρου τοϋ Μουζάκη. άρχιερατ[εύ]οντος δέ τοϋ πανιεριοτάτου έπισκό[που] // κυ(ρ) Γαβριήλ κ(αί) πρωτ[οθρόνου] εν [ετει ςω]^Β’.
U ngrit dhe u rinovua nga themeli, me mund dhe me vuajtje, ky tempull i atit tonë të shenjtë mes shenjtorëve , Thanasit të madh, si dhe u pikturua nga murgu Dionis të zgjedhur prej ktitorëve , zotërve shumë fisnikë Stoja dhe Teodor Muzaka, kur kryepeshkop i Kosturit ishte shumë i ndrituri zot Gavril, në vitin 1383/1384 (Mbishkrimi është përkthyer nga Pr.Dr. Pëllumb Xhufi).
Shkronjat e mbishkrimit janë të mëdha, të shkruara bukur dhe të një madhësie, me përdorim paralel të gërmave të vogla. Ja vlen të veçohet përdorimi i llojit ou. Shkronjat e mbishkrimit duken se janë shkruar nga e njëjta dorë. Shën Athanasi, të cilit i është kushtuar ndërtimi i kishës, paraqitet i gjithi në këmbë, më i madh se shenjtorët e tjerë , në krah të hyrjes kryesore, brenda kishës (Eugenia Dhrakopulo. Qyteti i Kastorias gjatë epokës bizantine dhe post-bizantine (shekulli i XII-XVI). Historia; Arti, Mbishkrimet. Athinë; 1997, fq. 96-97).
Zakonisht në Mesjetë, familjet e mëdha feudale ndërtonin kishat e shenjtorëve që i konsideronin dhe si shenjtorët mbrojtës të familjeve të tyre. Në këtë rast edhe familja Muzaka nuk mund të bënte përjashtim, prandaj ka shumë gjasa që Shën Thanasi të ketë qenë shenjtori mbrojtës i kësaj familje feudale arbërore. Kisha e Shën Thanasit mbetet një monument shumë i rëndësishëm i kulturës arbërore jo vetëm për arsyen se dëshmon shtrirjen e pushtetit administrativ të familjes Muzaka në lindje të territoreve arbërore, por edhe sepse në afresket e saj mund të jetë shëmbëlltyra e princit Andrea Muzakës. Sipas librit “Nga Paleologët te Muzakajt”, në afresket e Kishës së Shën Thanasit të Kosturit gjendet i pikturuar dhe Shën Gjergji i cili në mënyrë krejt të pazakontë për ikonografinë bizantine mban një mantel që ka për dizenjo shqiponjën dykrenore, me yll në mes. Kujtojmë, vazhdon Pëllumb Xhufi, që pas fitores mbi Vukashinin në Perister, perandori bizantin Joan V Paleologu i blatoi fitimtarit Andrea Muzakës, stemën perandorake, shqiponjën me krerë dhe me yll në mes. Të jetë shqiponja në mantelin e Shën Gjergjit një jehonë e këtij episodi dhe pra të jetë figura e Shën Gjergjit, hyut luftëtar aq të dashur e të adhuruar ndër shqiptarët, një shëmbëlltyrë e Despotit Andrea Muzaka?
Do t’i përgjigjeshim pozitivisht kësaj pyetje edhe për faktin se që të njëjtën shqiponjë në mantelin e figurës së Shën Gjergjit në Kishën e Shën Athanasit në Kostur, e ndeshim në emblemën e Muzakajve , të ekzekutuar në basoreliev në altarin e kishës së Shën Mërisë së Mezanjës edhe ajo një fondacion i Muzakajve të emigruar në Itali pas rënies së Krujës (Pëllumb Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Tiranë: 2009, Shtëpia Botuese 55, fq 278-279).
Gjurmimi dhe rikrijimi i hartës së trashëgimisë kulturore shqiptare në rajon ndihmon në shpjegimin dhe rrëfimin e historisë së shqiptarëve dhe marrëdhënieve të tyre kulturore mes vetes dhe qytetërimeve të tjerë si dhe rolin që luajtën familjet fisnike arbërore në ushtrimin e pushtetit administrativ e kulturor në rajon. Portreti i Andrea Muzakës mund të jetë portreti i parë i një prijësi arbër në një afresk dhe kjo mund të përbëjë një risi për dokumentimin e prijësit të parë arbër në historinë shqiptare.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëInvestoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
E jotja është mu koncentru, e karriges Gaming me t’rahatu
Karrige që ta relakson mendjen dhe trupin
Knaqja zemrën vetit: Bli fustanin me zbritje në Melodia Px
Autobusi bon me t’ik, a kjo bluzë me zbritje hiç kërqysh!
Sako nga MelodiaPx që t’shton vetëbesim!
Më të lexuarat
John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri
"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani
Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion
Klopp e donte lojtarin që sot luan për Liverpoolin, por bordi kërkonte një tjetër - si nisi mosmarrëveshja mes tyre