LAJMI I FUNDIT:

Roli i Gjermanisë së ribashkuar

– Bashkimi i Gjermanisë – fundi i konfrontimeve Lindje-Perëndim –

Pas përmbysjes së Gjermanisë naziste dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania për një periudhë u bë komb pa shtet. Administrimi i Gjermanisë nga katër fuqitë pushtuese- Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik- zgjati diçka më shumë se një vjet. Më 1949, në zonat perëndimore u krijua Republika Federale e Gjermanisë dhe në zonat e kontrolluara nga sovjetikët u krijua Republika Demokratike e Gjermanisë. Më vonë në skenën ndërkombëtare u njohën dy shtete të ndryshme gjermane dhe një komb gjerman.

Aspirata e ligjshme për ribashkim të gjermanëve u afishua edhe përmes Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë. Hartuesit e kësaj kushtetute në preambulë bashkëngjitën edhe detyrimin për ribashkimin e popullit gjerman.
Kundërthëniet midis aleatëve të Luftës së Dytë Botërore, para së gjithash, hendeku midis amerikanëve dhe sovjetikëve në Konferencën e Potsdamit (korrik-gusht 1945) kontribuuan në lindjen e Luftës së Ftohtë, e cila pesë dekada më vonë do të përfundonte krejt papritur ose thënë ndryshe, kur Perëndimi po përgatitej për t´i bërë ballë një periudhe të re konflikti të zgjatur.

Kahe të pakthyeshme

Gjermanët nga të dy anët e kufirit nuk hoqën dorë nga ëndrra e tyre për ribashkim në një shtet, edhe pse kjo dukej thjesht një ëndërr në kohën e ashpërsimit të Luftës së Ftohtë, e cila kulmoi me ngritjen e Murit të Berlinit në vitin 1961, që për tridhjetë vjet u bë sinonim i ndarjes së kombit gjerman, por njëkohësisht u bë edhe simbol i dështimit të politikës sovjetike për Berlinin dhe sovjetizimin e Gjermanisë Lindore. Megjithatë Henry Kissinger me të drejtë thotë se kriza e Berlinit shënoi një kthesë në Luftën e Ftohtë, ndonëse ajo nuk u perceptua si e tillë në atë kohë. Nuk pati sfida më për Berlinin, derisa Muri i Berlinit u rrëzua më 1989, duke shpënë në bashkimin e Gjermanisë.

Ndryshimi në Gjermaninë Lindore erdhi më i papritur sesa në vendet tjera të Evropës Lindore; vendimi u mor në rrugë e jo në shtabet e partisë apo në sallat e konferencave. Gjatë korrikut dhe gushtit të vitit 1989, me mijëra gjermanolindorë vërshruanë në ambasadat e Gjermanisë Perëndimore në Budapest, Pragë dhe Varshavë duke kërkuan strehim politik. Pas një ngurrimi fillestar, në shtator hungarezët dhe më pas çekët dhe polakët ranë dakord t´i lejonin ata të shkonin në Perëndim. Gjatë muajve të fundvitit 1989 dhe fillimvitit 1990 vala e gjermanolindorëve që largoheshin për në Perëndim vazhdoi me ritme edhe më të mëdha edhe pse diktatori stalinist Erich Honeker kishte dhënë dorëheqje. Qyteti i Lajpcigut u kthye në skenën kryesore të demonstrimit të protestës kundër regjimit komunist. Pika e kthesës arriti më 6 dhe 7 tetor, kur në mbarë RDGJ ishin planifikuar të bëheshin festime të mëdha me rastin e dyzetvjetorit të themelimit të regjimit komunist. Festimet filluan me parada të zakonshme, por në mbrëmje u njoftua se në mbarë Gjermaninë Lindore kishin filluar demonstratat antiqeveritare, në të cilat kërkohej reformimi i sistemit politik, zgjedhjet e lira, liria e fjalës, liria e lëvizjes dhe kërkesa të tjera politike.

Katër javë më pas, Muri i Berlinit ra, sepse gjermano-lindorët dëshironin të braktisnin RDGJ. Që nga mbrëmja e 9 nëntorit dhe në vazhdim, me miliona gjermano-lindorë vërshuan në Berlinin Perëndimor dhe Gjermaninë Perëndimore.

Ndodhi ajo që pak kush e kishte pritur dhe planifikuar: rënia e Murit të Berlinit, i cili për afro 30 vjet me radhë kishte ndarë më dysh qytetin e Berlinit dhe kombin gjerman, përkatësisht Gjermaninë Perëndimore(kapitaliste) dhe Gjermaninë Lindore (komuniste ). Më 9 nëntor 1989, Gynter Schabovski, udhëheqës i lartë i Byrosë Politike të FDGJ-së, njoftoi zyrtarisht (në një konferencë shtypi) se tani është i mundshëm udhëtimi i qytetarëve të Gjermanisë Lindore në Perëndim dhe, natyrisht, në Gjermaninë Federale. Televizioni bënte transmetim direkt nga konferenca e shtypit dhe njerëzit para ekraneve nuk u besonin në fillim syve dhe veshëve të tyre.

Mirëpo, tani ngjarjet kishin marrë kahe të pakthyeshme: njerëzit ishin ngjitur mbi platon e betonit të Murit të Berlinit dhe thërrisnin "Ne jemi një popull ! ", " Hiqeni murin !", ndërkaq rojat kufitare, ushtarët dhe pjesëtarët e shërbimit informativ vështronin si në ankth, pa ditur se si të veprohej. Shteti I Gjermanisë Lindore po i numëronte orët e tija të fundit.

Slogan i ri u bë “unitet gjerman”. Kërkesat për bashkim gjerman gëzonte më pak popullaritet mes fqinjëve të Gjermanisë, veçanërisht të atyre lindorë. Aleatët perëndimorë të Gjermanisë, pas disa ngurrimesh fillestare, e pranuan këtë si një gjë të pashmangshme.

Bashkimi i Gjermanisë-fundi i Luftës së Ftohtë

Këto zhvillime të shpejta dhe dramatike duken si një ëndërr, por që në realitet ato ndryshuan zhvillimet e ardhshme në arenën ndërkombëtare dhe i dhanë fund Luftës së Ftohtë dhe konfrontimit Lindje- Perëndim. Rënia e murit të Berlinit hapi perspektiva për një kalim në një etapë paqësore të historisë botërore. Për këtë arsye, 9 nëntorin e vitit 1989 nuk e festojnë vetëm gjermanët, por të gjithë evropianët dhe njerëzit në botë. Me nënshkrimin në Moskë të Marrëveshjes “Dy-plus-katër” nga gjashtë ministra të jashtëm (dy ministrat e jashtëm të shteteve gjermane dhe ministrat e jashtëm të katër fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore) dhanë pëlqimin për bashkimin e Gjermanisë, që më pas u fuqizua edhe përmes ratifikimit të marrëveshjes për bashkim me 3 tetor nga ana e Bundestagu-t (Bon) dhe Kuvendit popullor (Berlini Lindor), kjo e fundi u shpërbë me 2 tetor, ndërsa me 3 tetor RDGJ iu bashkua edhe formalisht Republikës Federale të Gjermanisë. Kështu, Gjermanët në Lindje dhe në Perëndimit festuan bashkërisht 3 tetorin si Ditë të Bashkimin të Gjermanisë. Bashkimi i Gjermanisë u bë realitet përmes vendimeve demokratike dhe marrëveshjeve paqësore ndërkombëtare. Në ditët e bashkimit të Gjermanisë kancelari i atëhershëm gjerman Helmut Kohl, në një mesazh drejtuar të gjitha qeverive të botës, thoshte: “Vendi ynë me rifitimin e bashkimit do t´i shërbej paqes botërore dhe do të shpie përpara Bashkimin Evropian”.

Padyshim, rënia e Murit të Berlinit ishte një triumf i lirisë jo vetëm për gjermanët, por dhe për popujt tjerë të kontinentit, sepse nga ky moment filloi desovjetizimi i Evropës Lindore dhe triumfi i demokracisë, respektivisht ndërtimi i një rendi të ri demokratik në Evropën Lindore dhe Juglindore.

Me bashkimin e Gjermanisë u tejkalua edhe kjo ndarje e Evropës. Procesi i ribashkimit të dy shteteve gjermane, pas dy luftërave botërore, paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit XX. Kjo ngjarje historike preku jo vetëm rrafshin nacional gjerman, por ajo influencoi në mënyrë vendimtare edhe në integrimet evropiane.

Veç kësaj, rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë përshpejtoi përmbysjen e komunizmit në bllokun e shteteve të Lindjes si dhe në Shqipëri. Po ashtu, në mesin e shqiptarëve të Kosovës rriti shpresat për liri dhe demokraci, por zhvillimet e mëvonshme në Kosovë dhe në vise të tjera të ish-Jugosllavisë, federatës artificiale dhe të dominuar nga serbët – ndodhën luftërat më të përgjakshme që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Por ndryshimet në rendin botëror pamundësuan jetësimin e ëndrrës së Milosheviqit krijimin e Serbisë së Madhe. Në këtë plan, një kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe Gjermania e bashkuar, që krahas shpërbërjes së perandorisë sovjetike, ndikoi në ndryshimin e politikës evropiane. Tashmë Lufta e Ftohtë kishte mbaruar, ndërsa demokracitë kishin fituar.

Bashkimi krejt i papritur i dy shteteve gjermane më 1990, e rriti peshën dhe përgjegjësinë e Gjermanisë në Evropë dhe në botë. Në të njëjtën kohë, edhe një herë shpërthyen kontradiktat e vjetra në Evropën Lindore dhe Juglindore, të cilat ishin mbuluar nga Lufta e Ftohtë.

Diplomacia gjermane dhe Kosova

Se Gjermania do të bënte pjesë në shtetet që do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, kjo ishte diçka që pritej. Shteti gjerman ishte në krye të listës së shteteve që e mbështesnin Planin për pavarësi të mbikëqyrur të përfaqësuesit të OKB-së, ish-presidentit Marti Ahtisari. Por, akti i thjeshtë diplomatik përmban një fuqi të madhe simbolike, pasi rasti i Kosovës është sinonim i ndryshimit rrënjësor të politikës gjermane, e cila përfundimisht hoqi dorë nga pozicioni i vetëpërmbajtjes. Gjermania njohu natyrën potencialisht eksplozive të problemit kosovar më herët se shtetet tjera evropiane. Që në vitin 1992, Gjermania e ribashkuar përkrahu dërgimin e vëzhguesve, të cilët ishin pjesë të Misionit me Kohëzgjatje të Gjatë në Kosovë. Qeveria gjermane gjatë tërë kohës ka ndjekur vazhdimisht qasjen tri-kahore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës: përpjekjet politike, ushtarake dhe humanitare.

Meqë, Gjermania e kishte hipotekën e fajësisë për njohjen e shpejtuar të Sllovenisë dhe Kroacisë, përmes së cilës njohu fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, në rastin e Kosovës ajo vazhdimisht u tregua më e përmbajtur, bile shpesh ndodhej në periferi të marrjes së vendimeve ushtarake dhe politike, të cilat ishin edhe refleksion i të kaluarës së shtetit gjerman. Por, pikërisht para nëntë vitesh, lufta e Kosovës, e cila solli gjer tek intervenimi i NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur në mars të vitit 1999, shenjoi një pikë kthese në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ishte një moment vendimtar edhe për politiken e jashtme gjermane. Derisa vetëm disa vite më parë, shteti gjerman kishte debatuar mbi atë se a duhej të lejoj që trupat e tij të angazhohen në një luftë të tillë, për të cilën mungonte edhe miratimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me 24 mars 1999 koalicioni qeveritar kuq/gjelbër i drejtuar nga Gehard Shrëder dhe Joshka Fisher mori përgjegjësinë që aeroplanët ushtarakë gjermanë u bashkuan fushatës bombarduese të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur me qëllim që të ndalojnë trupat serbe në një tentim tjetër për pastrimin etnik të dizajnuar për të përzënë shqiptarët jashtë Kosovës. I takoi qeverisë së kuq/gjelbër që të udhëheqë Gjermaninë në konfliktin e tij të parë të armatosur që nga përfundimi i Luftës së II –të Botërore. Me këtë hap qeveria gjermane hoqi dorë nga pozicioni “përmbajtjes”, qeveria kuq/gjelbër dëshmoi lojalitetin ndaj Aleancës Veriatlantike, duke vënë në plan të parë të drejtat e njeriut në raport me sovranitetin shtetëror, që në rrethanat e pas përfundimit të konfrontimit ideologjik Lindje-Perëndim kishte pësuar domethënie restriktive.

Në këtë fazë politikanët gjermanë, kancelari Gerhard Shrëder, ministri i Jashtëm Joshka Fisher dhe ministri i Mbrojtjes Rudolf Sharping në luftën e tyre për Kosovën përdorën edhe argumentin moral. Është e njohur thënia lapidare e Fisherit: “Kurrë më Aushvic”, “Kurrë më gjenocid”. Ky qëndrim dëshmonte se në fokus të angazhimit gjerman ishte mbrojtja vlerave humane përballë terrorit të Beogradit dhe jo e interesave nacionale.

Për më tepër, lufta e Kosovës shënoi rikthimin e fuqishëm të Gjermanisë në parketin e diplomacisë ndërkombëtar dhe rritjen e rolit të sa në Ballkan, respektivisht ishte fillimi i asaj, çfarë më vonë kancelari Gerhard Shrëder e quante “detabuizimi” ushtarak. Kjo çoi në angazhimin e ushtrisë gjermane në rajonet të shumta të botës si dhe në një interpretim të ri të përgjegjësisë ndërkombëtare të shtetit gjerman, si dhe të interesave të saj të sigurisë. Se roli i Gjermanisë ka shënuar ngritje të ndjeshme në planin ndërkombëtar, kjo dëshmohet edhe nga fakti se ushtarët gjermanë aktualisht ndodhen në shumë vende të botës, nga Kosova e deri në Afganistan.

Por, në fund të një krize qëndron sfida për një fillim të ri. Vera e vitit 1999 gjeti ushtarët gjerman në një mision ushtarak në Kosovë, i cili nuk ishte mision përkrahës i vijës së dytë, siç ishte rasti në Kamboxhë, Somali, apo edhe gjatë misionit IFOR në Bosnje, por ushtarët gjerman kishin marrë pjesë aktivisht në një operacion ushtarak të udhëhequr nga NATO, me qëllime ushtarake—tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Veç kësaj, në implementimin e Rezolutës së KB 1244 Berlini, për herë të parë, ka “udhëhequr kombin” në një sektor të KFOR-it —në një nivel me amerikanët, britanikët, francezët dhe italianët. Kjo sinjalizon shumë qartë se Gjermania e ri-bashkuar është e vullnetit të marrë më shumë përgjegjësi dhe se aleatët dhe partnerët e Gjermanisë janë të gatshëm të pranojnë këtë rol të ri të tyre në mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Që nga fillimi, qeveria e re gjermane e koalicionit nuk ka lënë dyshime se Gjermania do të mbetet pjesë e Aleancës, e përcaktuar të bëjë çdo gjë që është e mundur —përfshirë edhe mundësinë e mjeteve ushtarake si ultima ratio—për të ndaluar fillimin e katastrofës humanitare në mes të Evropës.

Pesha e veçantë e diplomacisë gjermane u evidentua edhe në çështjen e definimit të statusit të Kosovës përmes pranisë së saj në kryes të institucioneve kryesore ndërkombëtare në Kosovë. Derisa gjermani Joachim Ryker, ndodhej në krye të UNMIK-ut, diplomati tjetër gjerman, Wolfgang Ishinger, ishte figura kyçe e përfaqësuese e politikës së jashtme evropiane në treshen negociuese për definimin e statusit të Kosovës. Berlini zyrtar gjithashtu kishte një detyrë të ndjeshme që në koordinim me Uashingtonin dhe Brukselin që të përgatis terrenit diplomatik për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Po kështu, etablimi i strukturave dhe institucioneve efektive është një proces i gjatë dhe i vështirë, prandaj kjo kërkon jo vetëm mbështetje të mëdha materiale, por edhe përgjegjësi politike. Në këtë plan, roli i Gjermanisë do të jetë esencial për suksesin e misionit evropian EULEX në Kosovë dhe për sigurinë e shtetit të Kosovës me prezencën e saj ushtarake në kuadër të KFOR-it.

Gjermania dhe të gjitha shtetet tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet të ndihmojnë qeverinë kosovare në rimëkëmbjen ekonomike, pasi pa progres ekonomik nuk do të ketë stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor. Po kështu, Gjermania dhe vendet evropiane do të mund të bënin shumë në drejtim të serbëve, duke ua bërë atyre të qartë se institucionet e Kosovës mund t´u ofrojnë atyre perspektivë për të ardhmen dhe jo Beogradi, i cili prej dekadash i ka përdorur për qëllime të politikës së brendshme.

Ky nuk është vetëm një rol i ri për Gjermaninë, por edhe një përgjegjësi e re ndërkombëtare e këtij shteti për krijimin e stabilitetit në Kosovë dhe krijimit të perspektivës evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjermani tashmë ka një rol të rëndësishëm dhe luan kjo fuqi e madhe evropiane18 vjet pas ribashkimit.

Angazhimi gjerman në Ballkan tregon mënyrën e një bashkëpunimi të ardhshëm të orientuar trans-atlantik—një partneritet i vërtetë nën udhëheqjen e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbajtjen dhe forcimin e sigurisë euro-atlantike. Ky angazhim politik në Ballkan ka ndikuar gjithsesi edhe si impuls për evropeizmin e politikës së jashtme gjermane.