LAJMI I FUNDIT:

Rashiq: Kurti të kalojë nga bunkerizimi në fushën e dialogut politik

Rashiq: Kurti të kalojë nga bunkerizimi në fushën e dialogut politik
Foto: Arkiv

Kryetari i Partisë Demokratike Progresive (PDS) [Progresivno Demokratska Stranka], Nenad Rashiq, thotë se vizita e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Prishtinë, kishte për qëllim të bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që të pranojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për KosovaPress, Rashiq ka vlerësuar se për të avancuar dialogun, Kurti do të duhet të largohet nga pozicioni i aktual dhe të tregojë gatishmëri për ide dhe iniciativa të reja për të kaluar nga bunkerizimi, siç thotë ajo, në fushën reale të dialogut politik.


Kryetari i PDS-së mendon se temë e bisedimeve mes dy emisarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës mund të ketë qenë edhe mbajtja dhe organizimi i zgjedhjeve të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Ai thekson se mesazhi që Escobar ia konfirmoi apo premtoi kryeministrit Kurti, se koncepti i ardhshëm i AKS-së nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, do të jetë një hap përpara që mund të kontribuojë në vazhdimësinë dhe shtimin e dinamikës së dialogut.

“Vërtet mendoj se është shumë shqetësuese dhe irrituese që kryeministri Kurti është bunkerizuar politikisht dhe nuk tregon gatishmëri për asnjë ide, ndonjë risi dhe iniciativë që mund të rezultojë në një mirëkuptim të përbashkët, apo nga fusha e bunkerizimit të kalojë në një fushë tjetër të dialogut real që mund të rezultojë me ndryshime, ose së paku ofrim të ideve se si duhet të duket ai Asociacion i Komunave Serbe. Mendoj se kjo nuk i bënë dobi askujt, veçanërisht serbëve të Kosovës në planin afatgjatë, dhe jam gjithashtu i sigurt se as shqiptarëve të Kosovës dhe as kryeministrit Kurti nuk ju shkon në favor ajo që unë e quajta bunkerizim politik”, tha Rashiq.

Rashiq po ashtu thekson se nuk ka gatishmëri për të zbatuar rekomandimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2015, i cili thekson se AKS duhet të formohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ai thotë se është i sigurt se mund të gjendet një mënyrë për të sugjeruar se si duhet të duket një dokument i tillë që të jetë i pranueshëm për të dyja palët negociuese.

“Por prapë po kthehemi në fillim. Nuk ka vullnet nga asnjëra anë. Në këtë rast, mendoj se, po e përsëris, ky ‘bunkerizim’ nuk i shkon askujt në favor dhe mendoj se vetë Escobar, do të përdor termin tonë popullor, për t’i dhënë shtytje kryeministrit dhe të tjerëve nga ai pozicion, duke filluar nga Kryetari i Kuvendit dhe të tjerët, për t’ju bërë të qartë se kjo është një situatë serioze dhe se ndoshta është koha për të bërë diçka në këtë drejtim, sepse besoj se administrata Biden, e cila tani është e re, dhe kjo vizita e parë e Escobarit, besoj se do të jetë më konkrete se të mëparshmet. Shpresoj se kjo do të kontribuojë dhe së paku do të rrisë dëshirën për disa hapa më konkretë në drejtimin e mëtutjeshëm të formimit të AKS-së”, tha Rashiq.

Kreu i PDS-së kujton se serbët e Kosovës kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjet e të dyja vendeve sipas Kushtetutës së Kosovës dhe planit të Marti Ahtisaarit për shtetësinë e dyfishtë, dhe se një nga të drejtat themelore të njeriut është të votojë në zgjedhjet në vendin ku ai është shtetas.

Ai vlerëson se referendumi i Republikës së Serbisë më 16 janar nuk ishte mjaftueshëm i përgatitur për realizimin e tij në Kosovë, por se me rastin e zgjedhjeve të ardhshme të prillit duhet të ketë një kontekst më të gjerë të mirëkuptimit që do t’u mundësonte serbëve të votojnë.

“Mirëpo ta lëmë këtë anash, tani do të shohim se sa fuqi kanë BE-ja dhe SHBA-të tek kryeministri Kurti, sepse të paktën duhet të kemi një kontekst më të gjerë për të kuptuar se çfarë do të thotë në të vërtetë votimi i 4 prillit. Deri më tani, nuk e kam parë atë gjerësi të mirëkuptimit. Mendoj se kjo është gjithashtu e gabuar në planin afatgjatë. Mendoj se duhet të punohet në ruajtjen e komuniteteve që në këtë rast janë të ashtuquajtura hallka më e dobët në gjithë kësaj shoqërie, dhe nëse kryeministri nuk dëshiron të mbrojë komunitetet, atëherë realisht mendoj se është në kundërshtim me aspiratat e BE-së për të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e komuniteteve, të jenë një nga prioritetet e para e të gjitha vendeve, veçanërisht atyre që synojnë të jenë pjesë e BE-së”, theksoi Rashiq.

Ai vlerëson se vizita e Lajçakut dhe Eskobarit do t’i japë energji dialogut dhe se mbetet të shihet nëse kjo do të pranohet nga institucionet.

Duke komentuar informacionin se disa njerëz të afërt me SNS në pushtet në Serbi janë futur në listën e zezë, Rashiq thotë se Shtetet e Bashkuara janë të informuara nga çdo qeveri tjetër dhe se ata e kanë analizuar në detaje përpara se të marrin një vendim.
“Do të flas vetëm për ata, veprimet e të cilëve pata rastin t’i shihja, dhe ishte më se e qartë se po ndodhnin disa veprime të turbullta, se ishte krijuar në një farë mënyre që grupe të caktuara të fitonin vazhdimisht tenderë dhe të merrnin vazhdimisht miliona, por çfarë është më e rëndësishmja, unë do të doja shumë që Thesari të merrej edhe me këtë. Të shohim se cilat institucione evropiane i kanë financuar të njëjtat kompani dhe tani heshtin dhe nuk raportojnë se kanë financuar grupe të tilla njerëzish që në këtë rast janë në listën e thesarit amerikan”, thotë Rashiq.

Ai shton se do të pyeste përfaqësuesin e lartë të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, nëse e di se sa para nën kujdesin e BE-së u janë dhënë kompanive në veri pa dokumentacion të plotë.

“A e dini shumën dhe cilave kompani u janë dhënë nën patronazhin e BE-së në veri, dhe për të cilat nuk është bërë as mbyllja e dokumenteve dhe as përfundimi i projektit”, ka thënë Rashiq. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
NYT: Grenelli i kishte propozuar Trumpit ta vizitonte Thaçin në Hagë, por ai refuzoi

NYT: Grenelli i kishte propozuar Trumpit ta vizitonte Thaçin në Hagë, por ai refuzoi

Lajme
Raporti zyrtar: KFOR-i e negocioi largimin e terroristëve nga Banjska

Raporti zyrtar: KFOR-i e negocioi largimin e terroristëve nga Banjska

Siguri
Si e menaxhoi Qeveria e Kosovës sulmin kibernetik që erdhi nga Rusia?

Si e menaxhoi Qeveria e Kosovës sulmin kibernetik që erdhi nga Rusia?

Siguri
Asambleja Parlamentare e NATO-s thirrje për shtim të bashkëpunimit me partnerët demokratikë në Ballkanin Perëndimor

Asambleja Parlamentare e NATO-s thirrje për shtim të bashkëpunimit me partnerët demokratikë në Ballkanin Perëndimor

Siguri
Kush është Enver Sekiraqa i cilësuar si “gangsteri” i Prishtinës?

Kush është Enver Sekiraqa i cilësuar si “gangsteri” i Prishtinës?

Drejtësi
Ministri shqiptar i Mbrojtjes prezanton makinën e parë të blinduar ushtarake “Made in Albania”

Ministri shqiptar i Mbrojtjes prezanton makinën e parë të blinduar ushtarake “Made in Albania”

Lajme
Kalo në kategori