LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e Princ Vidit dhe Protokolli i Korfuzit

Qeveria e Princ Vidit dhe Protokolli i Korfuzit

Nga: Andriola Kambo

Sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në 29 korrik të vitit 1913, Fuqitë e Mëdha caktuan si Princ të Shqipërisë gjermanin, Vihlelm Vidin (Wilhelm Friedrich Heinrich Wied). Në këto rrethana, qeveria e Ismail Qemalit dha dorëheqjen në datën 22 janar 1914, ndërkohë që po kështu veproi në marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit edhe Esat Pashë Toptani në Durrës.

Princ Vidi mbërriti në Shqipëri, në Durrës më 7 mars 1914. Qeveria që ai krijoi do të ushtronte detyrën e saj në kushte tepër të vështira ekonomike dhe politike dhe do të ndodhej nën kontrollin e presionin e drejtpërdrejtë të dy Fuqive: Italisë dhe Austro-Hungarisë. Një nga sfidat e para e më të mëdha me të cilat u përball që në fillim Princ Vidi, ishte lëvizja për të ashtuquajturën autonomi të “Vorio Epirit”

Qarqet shoviniste greke nxitën organizimin e një kongresi në Gjirokastër në 2 mars 1914. Ky kongres shpall autonominë e “Vorio-Epirit”, që sipas tij përfshinte Gjirokastrën, Sarandën, Delvinën, Përmetin, Himarën por edhe Korçën.

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate të ndërlikuar, Vidi do të ndërhynte duke emëruar si komisar të jashtëzakonshëm për Shqipërinë e Jugut, oficerin holandez Tomson. Në emër të qeverisë së Vidit, ai shkoi në Korfuz ku do të zhvillonte bisedimet me përfaqësuesit vorio-epirotë. Kjo shënon fazën e parë të bisedimeve formale me autonomistët. Përfundimi i këtyre bisedimeve ishte në dëm të Shqipërisë, sepse në parim u pranua autonomi e këtyre krahinave. Qeveria e sapoformuar me në krye Turhan Pashë Përmetin, do t’i kundërshtonin lëshimet nga koloneli Tomson dhe i kërkoi Princ Vidit largimin e tij.

Situata në jug të Shqipërisë, solli një shqetësim të madh tek fuqitë evropiane. Ato disa herë i kishin bërë thirrje me gjysmë zëri Greqisë, për të tërhequr forcat ushtarake nga ky rajon. Por, situata gjeopolitike kishte pësuar ndryshime në Evropë, fuqitë e mëdha të ndara në dy blloqe kundërshtare po përgatiteshin për luftë e kërkonin aletaë. Çështja shqiptare nuk e kishte më atë rol në ruajtjen e baraspeshës midis Fuqive të Mëdha në Ballkan, ndaj edhe vëmendja ndaj saj erdhi duke rënë.

Fuqitë evropiane, do t’i bënin presion qeverisë së Durrësit për tu tërhequr nga pozicioni kundërshtues dhe të pranonte rinisjen e bisedimeve me palën Vorio-epirote për një marrëveshje të plotë. Në këto rrethana të vështira, qeveria e Durrësit, u mblodh dhe vendosi t’i rikthehej edhe një herë linjës së bisedimeve, por këtë herë duke e deleguar zgjidhjen e problemit tek Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit që të negocionte me vorio-epirotët.

Në 5 maj KNK-ja, ra në një mendje që të vepronte si ndërmjetës me kushtin që të dyja palët ndërluftuese, të ndalonin veprimet ushtarake. Pas kësaj KNK-ja, do të ishte e gatshme të komunikonte lëshimet e bëra nga qeveria shqiptare. Më 6 maj 1914 Këshilli i Ministrave, autorizoi në mënyrë zyrtare KNK-në në emër të saj të fillonte bisedimet me të ashtuquajturin kryeministër vorio-epirot Zografos.

Delegatët e KNK-së, pranuan rolin e ndërmjetësimit midis qeverisë shqiptare dhe asaj vorio-epirote. Takimi i parë formal midis KNK-së dhe delegatëve vorio-epirotë ndodhi në Korfuz në datën 9 maj 1914. KNK-ja, i prezantoi Zografos, projekt-programin e miratuar nga qeveria shqiptare. Ky program u refuzua në mënyrë kategorike nga përfaqësuesit vorio-epirotë. Ata parashtruan platformën e tyre që synonte të krijonte një shtet brenda shtetit.

Fuqitë e Mëdha, si kompromis hartuan një projekt propozimesh, i cili kalonte caqet e lëshimeve të bëra nga pala shqiptare. Pas shumë bisedimesh do të arrihej të nënshkruhet marrëveshja që njihet në histori si Protokolli i Korfuzit më 17 maj 1914. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, Mehdi Frashëri dhe përfaqësuesit e qeverisë vorio-epirote, Zografos dhe Karapanos. Protokolli përmbante 13 dispozita dhe një dispozitë të veçantë për Himarën. Ky protokoll në përmbajtjen e tij, nuk ndryshonte shumë nga projekt-programi i paraqitur nga përfaqësuesit vorio-epirotë.

Një ndër pikat kryesore të këtyre dispozitave, kishte të bënte me organizimin e dy krahinave, Korçës dhe Gjirokastrës, ku KNK-së iu besua organizimi, administrimi në drejtësinë dhe financat e dy krahinave jugore. Ndërsa, qeveria shqiptare në koordinim me KNK-në, do të emëronte dhe pushonte guvernatorët dhe funksionarët e lartë, duke marrë parasysh rëndësinë numerike, në përputhje të barabartë me çdo besim fetar në vend. Për sa i përket kufirit administrative KNK-ja, do të caktonte dhe kishte të drejtë të merrej dhe me nënndarjet e dy krahinave, të cilat pasi ishin vendosur nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e Fuqive të Mëdha.

Për sigurimin e rendit në krahinën e Gjirokastrës dhe të Korçës, do të formohej një xhandarmëri vendase, e cila do të formohej me elementët e besimeve të ndryshme fetare në përpjesëtim të barabartë me komunitetet fetare në vend. Kjo xhandarmërinë nuk mund të shërbente jashtë kufijve të këtyre krahinave, përveçse një periudhe të caktuar dhe në rast të një ngjarje të shkaktuar prej forcave madhore të njohura nga KNK-ja. Në këto vendime, forcat e armatosura ndalonin sjelljen dhe përdorimin e njësive ushtarake jo vendase, me përjashtim në rastet e luftës ose shpërthimit të një kryengritje të brendshme në këtë zonë. Dispozita parashikonte se në shkollat e komunitetit ortodoks, arsimi do të zhvillohej në gjuhën greke, ndërsa gjuha shqipe do të mësohej në të tre klasat fillore. Arsimi fetar do të zhvillohej vetëm në gjuhën greke. Përdorimi i gjuhës shqipe dhe asaj greke do të jetë i garantuar në krahinat e jugut, nga të gjithë autoritetet duke përfshirë gjykatat dhe këshillat e zgjedhura.

Roli i Fuqive të Mëdha në këtë protokoll, do të ishte si garantuese e ruajtjes dhe zbatimit të dispozitave të mësipërme. Në fund të Protokollit të Korfuzit, ishte vendosur dhe dispozita në lidhje me Himarën, sipas propozimit vorio-epirot kërkohej që kjo krahinë të gëzonte privilegjet e vjetra që kishte pasur në kohën e Perandorisë Osmane.

Ky propozim gjeti kundërshtime por përfundimisht u ra dakord për vendosjen e një dispozite të veçantë në Protokollin e Korfuzit, për çështjen e Himarës. Sipas saj KNK-ja, do t’i parashtronte për miratim pranë qeverive të tyre dhe tek qeveria e Durrësit për të marrë miratimin e tyre. Protokolli i Korfuzit cenonte sovranitetin e shtetit shqiptar dhe si e tillë u kundërshtua nga shqiptarët.

Qeveria shqiptare e kryesuar nga Turham Pasha, pas mbarimit të bisedimeve e ndjehu veten midis dy zjarreve. Nga njëra anë Fuqitë e Mëdha, që kërkonin të ratifikonin këtë marrëveshje dhe nga ana tjetër, situata e brendshme paraqitej tepër e koklavitur për shkak se kishte shpërthyer kryengritja e Shqipërisë së Mesme. E ndodhur në këto rrethana më 23 qershor, qeveria e Vidit u detyrua kundër vullnetit të saj të ratifikonte Protokollin e Korfuzit.

Pas shumë diskutimeve të nxehta midis epirotëve, Kongresi Vorio-Epirot i Delvinës në korrik 1914 e ratifikoi Protokollin e Korfuzit. Vetëm përfaqësuesit e Himarës që kërkonin autonomi, nuk e dhanë pëlqimin dhe u larguan nga kongresi. Protokolli i Korfuzit, në thelbin e tij ka qenë një dokument i imponuar Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha dhe përbënte një shkelje të sovranitetit të saj. Protokolli i Korfuzit nuk arriti të zbatohej për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore.

Ky Protokoll me përfundimet që solli Lufta e Parë Botërore me vendimet e Konferencës së Paqes së Parisit 1919-1920 e sidomos me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në nëntor 1921 u bë nul e nuk pati asnjë vlerë e asnjë efekt.