LAJMI I FUNDIT:

Pse foshnjat “pështyjnë” pas ngrënies?

Pse foshnjat “pështyjnë” pas ngrënies?

Regurgitimi ose të vjellat janë nxjerrja e qumështit, ushqimeve të tjera ose pështymës pas një vakti

Mundimet nuk e shoqërojnë këtë gjendje dhe në shumicën e rasteve sasia e ushqimit të kthyer është e vogël, e lëngshme në konsistencë.


Arsyet e regurgitimit mund të jenë të ndryshme. Foshnjat vjellin kur hanë tepër, në rastin e lojës pas vaktit, kur gromësijnë, transmeton Telegrafi.

Arsyeja kryesore e të vjellave është sistemi i pamjaftueshëm i zhvilluar i organeve të tretjes, më saktë i muskulit që lidh stomakun dhe ezofagun, i cili mbyllet mirë në kushte fiziologjike te të rriturit.

Te fëmijët, për shkak të moszhvillimit të sistemit, muskuli nuk mbyllet mirë dhe kjo është një nga arsyet kryesore të kthimit të ushqimit.

Nëse foshnja vjell dy ose më shumë herë në ditë, për tri ose më shumë javë, por nuk ka simptoma të tjera si të vjella, humbje peshe ose probleme me ushqimin, besohet se foshnja vuan nga regurgitimi.

Natyrisht, çdo fëmijë është i veçantë, kështu që ne i afrohemi secilit fëmijë veç e veç.

Të vjellat janë karakteristike për muajt e parë të jetës dhe më shpesh gjatë periudhës kur foshnja ha ushqim të lëngshëm. Kjo do të ishte deri në 4 ose 6 muaj, në varësi të kohës kur foshnjave i jepen ushqimeve të ngurta.

Ushqimet e ngurta janë më të vështira për t’u kthyer nga stomaku në ezofag, pastaj në gojë, ndërsa përmbajtja e lëngshme sigurisht që kalohet më lehtë në këtë mënyrë. Megjithatë, ka fëmijë tek të cilët të vjellat vazhdojnë në një masë më të vogël.

Cili është ndryshimi midis refluksit dhe regurgitimit?

Refluksi

Refluksi gastroezofagal (GOR) ndodh kur qumështi ose ushqimi kthehet nga stomaku në ezofag. Quhet gjithashtu “refluksi i heshtur” dhe mund të keni vështirësi të kuptoni ç’ndodh, pasi fëmija nuk e nxjerr ushqimin.

Regurgitimi

Regurgitimi ndodh kur qumështi ose ushqimi kalojnë nga stomaku në gojë, shpeshherë duke përfunduar në supet tuaja!

Refluksi dhe regurgitimi janë të zakonshme tek bebet e shëndetshme. Për sa kohë që fëmija juaj nuk shfaq shqetësime ose humbje në peshë, nuk përbën problem.

Shkaqet e mundshme të refluksit dhe regurgitimit:

▪ Bebet rrinë shtrirë shumicën e kohës;
▪ Dieta e tyre përbëhet kryesisht nga lëngje;
▪ Bebet kanë një ezofag të shkurtër;
▪ Sistemi i tyre tretës është ende në zhvillim e sipër;
▪ Sasia e tepërt e ushqimit ose qumështit në një vakt mund të shkaktoje probleme.

Si ta menaxhojmë situatën?

Provoni këshillat dhe teknikat e mëposhtme:

Mbani shënim simptomat e bebes suaj dhe shpeshtësinë e tyre.

Nëse mendoni se bebja juaj po shfaq shenja refluksi apo regurgitimi, probleme ushqyerje apo humbje peshe, duhet të flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.

Si të lehtësojmë simptomat?

Ka disa ndryshime të vogla që mund të bëni në rutinën tuaj, duke filluar nga ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes dhe veshjes së bebes.

Vaktet duhet të jenë të vogla dhe të shpeshta në mënyrë që stomaku të mos mbushet. Pozicionimi i fëmijës drejt ndihmon që përmbajtja e stomakut të mbetet poshtë. Veshjet nuk duhet të jenë të ngushta, sidomos afër barkut.

Këshilla për të lehtësuar refluksin dhe regurgitimin

Këshillat e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë në mbajtjen e simptomave nën kontroll:

▪ Mos ushqeni me tepricë – ushqejeni beben me sasi më të vogla dhe më shpesh.
▪ Mbajeni fëmijën në pozicion drejt që të gromësijë para, gjatë dhe pas vaktit.
▪ Nëse ushqeni beben me biberon, sigurohuni që vrima e biberonit të mos jetë shumë e madhe, pasi kjo e bën beben tuaj ta gëlltisë shumë shpejt formulën.
▪ Mbajeni beben drejt gjatë ushqyerjes dhe 30 min më pas.
▪ Vishini bebes suaj rroba të lirshme.
▪ Nëse ushqeni beben tuaj me formulë, pyesni mjekun ose farmacistin për zëvendësimin e formulës normale me formulën speciale, e cila menaxhon nëpërmjet ushqyerjes refluksin dhe regurgitimin. Bima e karobit, e përdorur për trashjen e formulës, nuk ndikon në vlerat ushqyese të saj dhe redukton dukshëm refluksin.

/Telegrafi/