LAJMI I FUNDIT:

Prezantohet raporti i Auditimit për 2019, deputetët thonë se gjetjet janë shqetësuese

Prezantohet raporti i Auditimit për 2019, deputetët thonë se gjetjet janë shqetësuese

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani ka paraqitur sot në Kuvendin e Kosovës raportin vjetor të Auditimit 2019, ku tha se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se në fushën e raportimit financiar nuk janë identifikuar mangësi serioze të organizatave buxhetore.

Megjithatë, ai tha se në fushën e pajtueshmërisë me ligjet dhe me rregulloret ka dobësi të theksuara dhe se në ndërmarrjet publike, raportimi financiar dhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor kanë mangësi serioze.


“Konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se në fushën e raportimit financiar nuk janë identifikuar mangësi serioze të organizatave buxhetore, por në fushën e pajtueshmërisë me ligjet dhe me rregulloret ka dobësi të theksuara. Sa i përket ndërmarrjeve publike, raportimi financiar dhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor kanë mangësi serioze. Raporti është rezultat i auditimit të pasqyrave të Qeverisë dhe i 131 raporteve individuale nga të cilat 95 organizata buxhetore, 14 ndërmarrje publike, 9 projekte të donatorëve, 13 auditime të performancës. Në raportet e auditimit ne kemi dhënë 69 opinione të pamodifikuara me theksim të çështjes dhe 13 opinione të modifikuara. Sa i përket pasqyrave të buxhetit të shtetit kemi dhënë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes dhe kjo ka ndodhur për dy arsye: e para, të hyrat ishin mbivlerësuar për 23 milionë euro. Shkak i këtij gabimi ka qenë se e njëjta shumë e të hyrave është mbledhur gjatë vitit 2018, por është paraparë edhe në planin buxhetor 2019. Shpenzimet prej 15 milionë eurove ishin klasifikuar në kategori jo adekuate me ligjin e buxhetit. Përkundër që kemi një përmirësim prej 7 milionë eurove nga viti paraprak, nuk ka qenë i mjaftueshëm”, tha ai, raporton KP.

Në auditimet për 2019, ai tha se kanë dhënë 1 mijë 68 rekomandime, ndërkaq nga 1 mijë 174 rekomandime të dhëna në vitin paraprak përqindja e zbatimit të tyre ishte 41 për qind që paraqet përmirësim të lehtë krahasuar me vitin paraprak.

Deputeti i LVV-së, Enver Haliti, ka pasur kritika sa i përket gjetjeve të raportit vjetor të auditimit, ku tha se raporti konstaton një numër të lartë të gabimeve në raportin financiar vjetor të buxhetit të konsoliduar.

“Sipas konstatimit të auditorit, kjo është një e gjetur në vlerë mjaft të lartë të gabimeve në raportin financiar vjetor të buxhetit të konsoliduar, derisa opinioni është i pamodifikuar. Për më tepër, sipas raportit vjetor të auditimit kjo çështje e komplikon më tepër gjendjen për faktin se paraqitja jo e drejtë e të hyrave të bartura nga viti 2018 ka ndikuar edhe në kriteret e tjera të përcaktuara me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe buxhetin për 2019. S’i keni vlerësuar apo gjykuar këto çështje mjaft të ndjeshme me rastin e nxjerrjes së opinionit për raportin 2019”, tha ai.

Deputetja e LDK-së, Vlora Limani-Hajnuni, tha se vërejtjet e dhëna në raportin e Auditimit për 2019 janë shqetësuese.

“Opinioni i këtij raporti është i pamodifikuar, që do të thotë se pasqyrat financiare janë paraqitur drejt dhe saktë. Kjo nënkupton që gjithçka është në rregull me menaxhimin e një organizate buxhetore dhe menaxhimin financiar. Në fakt, ky raport flet për shumë shkelje dhe vërejtje duke nisur nga planifikimi i buxhetit, menaxhimi i tij e deri tek ekzekutimi, gjegjësisht shpenzimi i buxhetit nga Qeveria e Kosovës. Vërejtjet janë shqetësuese për vitin fiskal 2019, në veçanti ato që kanë të bëjnë me mos respektim të procedurave të prokurimit”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së Sejdi Hoxha, tha se në raport ka të gjetura që duhet të merren seriozisht nga institucionet e Kosovës. Ai tha se si PDK do ta mbështesin këtë raport.

“Në këtë raport janë disa të gjetura, të cilat duhet të merren seriozisht nga institucionet e Republikës së Kosovës, e veçanërisht duhet të punohet shumë më shumë nga institucionet që këto rekomandime të implementohen viteve në vijim. Në raport vërehet një progres i mirë i rritjes së numrit të rekomandimeve krahasuar me vitet e kaluara, por ky trend i rritjes së implementimit të rekomandimeve duhet të jetë më i madh në mënyrë që të rritet niveli i përgjegjësisë së menaxhimit të financave”, tha ai.

Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, u shpreh se do ta përkrahin Raportin e Auditorit për 2019.

“I përkrah të gjitha rekomandimet e dhëna nga Auditori i përgjithshëm, si dhe rekomandimin e dhënë nga Komisioni për mbikëqyrje të financave publike. Kolegët paraprakë përmendën të gjitha rekomandimet që janë të cekura edhe në raport, andej ne e përkrahim dhe e votojmë këtë raport”, tha ajo.

Raporti vjetor i Auditimit ka marrë mbështetje edhe grupi parlamentar Nisma-AKR. Shefi i grupit parlamentar Endrit Shala, tha se si Kuvend duhet të përkujdesen që Qeveria të fillojë t’i zbatojë të gjitha rekomandimet.

“Ne si Kuvend i Kosovës duhet të përkujdesemi që Qeveria të fillojë t’i zbatojë të gjitha rekomandimet të cilat kanë dalë nga raporti i Auditorit i vitit 2019”, tha ai./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Lajme
“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

Lajme
QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata

QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata "Alwaleed Philanthropies Global" në bashkëpunim me Fondacionin “Jahjaga”

Shëndetësi
Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Lajme
Kalo në kategori