LAJMI I FUNDIT:

Plagoset një person në Prishtinë

Plagoset një person në Prishtinë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën mbrëma rreth orës 23:00 ka ndodhur një plagosje në Prishtinë.

Policia njoftoi se mbrëmë rreth orës 23:00, policia  ka marrë informacionin se në rrugën “5 maji” në Prishtinë, saktësisht në afërsi të Rrethit të Flamurit,  ka pasur të shtëna me armë zjarri.


Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje në tentativë ku  nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima: M. G, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor”, bëhet e ditur në njoftim.

Mbështetur në informacionet e mbledhura nga tereni dhe në bazë të hetimeve preliminare, dyshohet se një person i dyshuar i cili ishte në një veturë, e cila ishte në lëvizje, me armë  zjarri ka shtënë disa herë, në drejtim të viktimës dhe katër personave të tjerë, të cilët gjithashtu ishin në veturën e tyre, duke lëvizur në rrugën e sipërshënuar.

Aktualisht hetuesit policor janë duke punuar në sqarimin dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë rast, si dhe në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar. /Telegrafi/

Foto: Ilustrim