LAJMI I FUNDIT:

Për breza të tërë Britania paqen e merrte si të mirëqenë – por, Putini gjithçka mund të ndryshojë

Për breza të tërë Britania paqen e merrte si të mirëqenë – por, Putini gjithçka mund të ndryshojë

Nga: Gaby Hinsliff / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Për sa kohë mund të mbijetosh pa celularin tënd? Jo vetëm për përdorimet e kota për ta humbur kohën në një udhëtim të mërzitshëm, por për jetën që në mënyrë të pasigurt e mban peng aty dhe pa menduar fare për këtë. Për të menaxhuar llogarinë tënde bankare, për të lëvizur në një lagje të panjohur, për t’u lidhur me botën e jashtme; për një dritë në errësirë, për të kontaktuar miqtë dhe gjithashtu – potencialisht në skenarin më të keq – për të siguruar shpejt informacionet rreth vendit më të sigurt për t’u strehuar.


Nëse rregulli i vjetër thotë se çdo shoqëri është vetëm katër vakte të humbura larg anarkisë, atëherë cili do të ishte ekuivalenti i orëve të ndërprerjes së telekomunikacionit të shkaktuar nga sulmi kibernetik në rrjetet celulare, ndërprerja e papritur shkatërrimtare e energjisë elektrike, apo edhe – duke pasur parasysh Tajvanin që është furnizuesi kryesor në botë i çipave të vegjël kompjuterikë te të cilët mund të mbështetet celulari yt – pushtimi kinez i Tajvanit? Sa e hollë, saktësisht, është lustra e jetës së qytetëruar?

Pyetjet e tilla, çuditërisht mund të tingëllojnë si tepër dramatike. Por, janë një mënyrë e të menduarit për brishtësinë për atë lloj krize që vështirë mund të imagjinohet, e për të cilën qytetarët anembanë Evropës befas u ftuan të bëhen gati – dhe kjo jo vetëm duke grumbulluar radio dhe elektrikët me bateri. Qeveria suedeze, e cila do t’i bashkohet NATO-s, sapo ka rifutur një formë të shërbimin kombëtar. Javën e kaluar, kreu holandez i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer, paralajmëroi për mundësinë e luftës me Rusinë brenda 20 viteve të ardhshme, kur “e gjithë shoqëria do të përfshihet, pavarësisht nëse këtë e duam ose jo”.

Më vonë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, sugjeroi se kjo mund të ndodhë më shpejt: ndoshta për pesë deri në tetë vjet. Për dallim nga këta, apeli i kësaj jave i kreut të Ushtrisë [Shtabit të Përgjithshëm të Mbretërisë së Bashkuar], gjeneralit Patrick Sanders – për “hapat përgatitor për të mundësuar vendosjen e shoqërive tona në gjendje lufte” – duket krejtësisht modeste. Megjithëse paralajmëroi se civilët do të duhej të dilnin vullnetarë në vijën e frontit nëse Rusia fillon të pushtojë vendet e NATO-s, shkurtimisht u ndal te rikthimi i rekrutimit.

Ndoshta, te fjalët e tij disa do të dëgjojnë veçse përpjekjen tjetër për të nxjerr para nga Thesari, apo edhe ndonjë komplot të fshehtë të shtetit për të shpëtuar – përmes luftës – ekonomitë e dobësuara perëndimore. Por, Sandersi është njeri që ka pak për të humbur nga deklaratat e sinqerta, duke pasur parasysh se mandati i tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm është pothuajse i mbaruar, ndërsa fakti se thirrja e tij për të ndërtuar një ushtri të rregullt – dukshëm më të madhe – ashiqare e irritoi Kryeministrinë [Downing Street], kjo është edhe një arsye më shumë për ta marrë seriozisht. Ai mund të gabojë duke ngritur alarmin për luftën që mund të mos ndodhë kurrë por, sidoqoftë, nuk është i vetmi.

Ajo që ndodhi këtë javë duket si bisedë pan-evropiane – deri tash e mbajtur kryesisht prapa dyerve të mbyllura – me pasojat që ia vlen të analizohen jo vetëm për shpenzimet e mbrojtjes, por potencialisht për gjithçka, që nga tranzicioni i energjisë së gjelbër e deri te industria, prodhimi i ushqimit dhe rregullimi i platformave të mediave sociale përmes të cilave Rusia është përpjekur – në mënyrë të përsëritur – të nxisë ndjenjat politike ekstremiste dhe të manipulojë zgjedhjet demokratike.

Por, në aspektin më të gjerë, ka të bëjë edhe me mënyrën se si e shohin veten britanikët. Sandersi për muaj të tërë në heshtje ka argumentuar se nuk jemi më vend i pasluftës – një vend për të cilin luftërat botërore janë lëndë e mësimeve të historisë dhe e filmave nostalgjikë të Hollivudit – por, vend i paraluftës që duhet të përgatitet për telashet e ardhshme. Ajo që tash po e shtyn këtë frikë në plan të parë në të gjithë Evropën, është perspektiva e kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe tërheqja e prizës së mbështetjes ushtarake të ShBA-së për Ukrainën, duke ia dhënë kështu – në mënyrë efektive – fitoren Vladimir Putinit.

Nuk mund ta merrni seriozisht Sandersin? Atëherë dëgjojeni ish-strategun kryesor të Trumpit, Steve Bannon, i cili në emisionin e kësaj jave të [Robert] Pestonit në ITV, ka thënë se “asnjë qindarkë më shumë” nuk të shkojë në përpjekjet e luftës së Kievit – asnjë kërcënim bosh edhe kur republikanët në muajin e kaluar bllokuan paketën e fundit të ndihmës ushtarake të presidentit [Joe] Biden. Bannon sugjeroi se shefi i tij i dikurshëm brenda 48 orëve mund të bëjë marrëveshje me Putinin, duke e lënë Ukrainën lindore në fatin e vet të tmerrshëm. Dhe, nëse kjo ndodhë, asnjë shtet baltik nuk mund të ndihet i sigurt nga ëndrrat e Putinit për perandorinë e ringjallur ruse.

Siç thekson ish-këshilltari i sigurisë kombëtare në Kryeministri, Kim Darroch, fitorja e Putinit në Ukrainë nuk do të thotë domosdo që tanket të nisen menjëherë në vendet fqinje të NATO-s. Por, mund të fillojë destabilizimi sistematik i vendeve të tilla si Letonia dhe Estonia – të cilat kanë popullsi të konsiderueshme minoritare ruse – me financimin e Moskës dhe me nxitjen e lëvizjeve separatiste për të krijuar një pretekst të rremë për pushtimin dhe “shpëtimin” e tyre.

Askush nuk është vërtet i sigurt nëse një politikan kaq kaotik sa Donald Trumpi do të qëndrojë ose jo pranë angazhimeve të ShBA-së ndaj aleatëve të saj të NATO-s – nëse do të nevojitej shfaqja e forcës për të penguar pushtimin e plotë. Por, a mund të vini bast se ai do ta bëjë gjënë e duhur? Apo, e bëni gati skenarin që të gjithë shpresojnë se ende mund të shmanget, duke dërguar mesazh publik si për Moskën ashtu edhe për fuqitë potencialisht armiqësore – nga Kina në Iran, të cilat mund të duan të përfitojnë nga rendi botëror tashmë i brishtë – se Evropa është gati të mbrojë veten me më pak ndihmë të çmuar përtej Atlantikut? Për këdo që është mësuar ta shohë ShBA-në si fuqi agresive perandorake, që gjithmonë përpiqej të tërhiqte Britaninë ngurruese në luftërat e saj keq të menduara, është veçse lehtësim mendor të shohësh tërheqjen e ShBA-së nga fusha e betejës. Por, kaosi dhe tradhtia e tërheqjes së vitit 2021 nga Kabuli ishte shenjë e hershme paralajmëruese e vuajtjes që superfuqia në tërheqje mund të lë pas.

Në këtë kontekst, adoptimi i mendësisë të paraluftës, pothuajse dhe me siguri do të thotë të shpenzosh më shumë për mbrojtjen sesa do të mundte një qeveri laburiste që trashëgon financat e gjymtuara publike. Por, gjithashtu mbështet rastin për gjërat që Britania patjetër duhet të bëjë, nga vendosja e sistemeve të raketave nën tranzicionin e energjisë e rinovueshme – pse duhet të ndikohet më shumë nga goditjet e çmimit të naftës? – e deri te pastrimi i platformave të mediave sociale të mbushura me akterë të këqij dhe me dezinformata sistematike politike. Mentaliteti i paraluftës nuk e lejon vdekjen e industrisë britanike të çelikut – duke pasur parasysh rolin kritik të çelikut në prodhimin për mbrojtje – ose të lëshohet në llojin e grindjeve të pakuptimta politike dhe ndjenjat e pamenduara antievropiane ndaj të cilave kjo qeveri është e prirë.

Ajo që Sanders përshkruan mund të duket kërkesë shumë e madhe për një vend në grindje e që aktualisht duket i paaftë për të përballuar rezistencën e lehtë ndaj ndërtimit të shtëpive në Sari [të Londrës], e lëre më të mobilizohet për luftën në Evropë. Por, mos asgjë tjetër, nga fjalët e tij duhet të marrim paralajmërimin për të mos u vetëkënaqur, si dhe mesazhin më ngushëllues se përgatitja për më të keqen mund të jetë mjet për t’u siguruar që ajo të mos ndodhë. Për çfarë duhet të fillojë të punojë një komb që papritmas – më shumë se gjithçka – e ndjen rrezikun? Jo për luftën, por për paqen të cilin prej shumë kohësh e kemi marrë si të mirëqenë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Drejtësi
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Gjiganti i Ligës Premier po konsideron seriozisht transferimin e Grealish

Gjiganti i Ligës Premier po konsideron seriozisht transferimin e Grealish

Premier League
Kur është koha më e mirë për të konsumuar mjaltë? Ka një ndryshim nëse e hani në mëngjes ose në mbrëmje

Kur është koha më e mirë për të konsumuar mjaltë? Ka një ndryshim nëse e hani në mëngjes ose në mbrëmje

Ushqim i shëndetshëm
Stano për strukturat paralele: BE në Kosovë mbështet një strukturë të vetme institucionale sipas kornizës së saj ligjore

Stano për strukturat paralele: BE në Kosovë mbështet një strukturë të vetme institucionale sipas kornizës së saj ligjore

Lajme
Krimea u trondit nga shpërthimet, u mbyll ura që shërben si një rrugë kryesore furnizimi për forcat ruse

Krimea u trondit nga shpërthimet, u mbyll ura që shërben si një rrugë kryesore furnizimi për forcat ruse

Botë
Kalo në kategori