LAJMI I FUNDIT:

Papunësia në Kosovë gjatë tremujorit të dytë 2020 ishte 27.2 për qind

Papunësia në Kosovë gjatë tremujorit të dytë 2020 ishte 27.2 për qind

Shkalla e papunësisë në Anketën e Fuqisë Punëtore, për tremujorin e dytë 2020 ishte 27.2 për qind ku më e theksuar ishte te femrat me 31.4 për qind, krahasuar me meshkujt që ishte 25.7 për qind.

Kështu ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke shtuar se shkalla e punësimit ishte 24.1, punësimi me i lartë ishte te meshkujt me 36.2 për qind, kurse te femrat 12.1 për qind.


Sipas raportit, femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 57.4 për qind, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 42.3 për qind.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 18.7 për qind, arsimi me 11 për qind, prodhimi me 10.8 për qind, si dhe ndërtimtaria me 8.7 për qind.

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.9 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore.

Fuqia joaktive ishte mjaft e lartë, me 66.8 për qind me fokus të veçantë te femrat me 82.4 për qind krahasuar me meshkujt me 51.2 për qind. /Telegrafi/