LAJMI I FUNDIT:

Papunësia e lartë ndikon në të drejtat e punëtorëve

Papunësia e lartë ndikon në të drejtat e punëtorëve

Më 1 Maj 2016, 1 protestues humbi jetën dhe disa të tjerë janë lënduar shkaku i përleshjeve në Turqi. Të njëjtën datë edhe në Moskë, mijëra njerëz marshuan për të kërkuar paga më të mira dhe punë për të rinjtë, përderisa në Ukrainë 1 maji u shënua me një marsh thirrjeje për parqe në këtë rajon. Në Francë një grup i të rinjve kanë protestuar për ta kundërshtuar propozimet për ligjin e punës. Për paga më të mira, ulje të varfërisë, e reforma në punë qindra njerëz u mblodhën edhe në Spanjë e Azi.

Protesta ka pasur edhe në Gjermani, ku mijëra aktivistë të majtë marshuan në rrugët e Hamburgut duke krijuar situatë të tensionuar. Në Kosovë, dita e punëtorëve nuk shfrytëzohet për të kërkuar të drejtat e punëtorëve, ashtu siç veprohet në shumë vende të botës.


Ka disa vite që sindikatat e qytetarët më shumë festojnë se sa shprehin pakënaqësitë për gjendjen e punëtorëve dhe atyre që nuk punojnë. Organizimi i piknikëve të ndryshme nga të rinjtë dhe institucionet është një formë, tashmë, tradicionale për këtë ditë të shënuar për punëtorët. Koncentrimi i qytetarëve në festë është vetëm njëra nga arsyet që BSPK-ja e ka dhënë për të arsyetuar organizimin e protestave.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se vetëm 28 për qind e personave të aftë për punë janë të punësuar në Kosovë. Një pjesë e madhe e personave në moshë të punës janë në kategorinë e personave joaktiv, të cilët nuk kanë kërkuar punë në 12 muajt e fundit. Zyrtarisht 35 për qind e qytetarëve janë të papunë, por kjo shifër është edhe më e madhe nëse konsiderojmë se edhe personat që janë të zhgënjyer nga pamundësia për të gjetur një vend pune mund të konsiderohet si të papunë. Niveli i lartë e papunësisë është problemi kryesor sot në Kosovë.

Në raportin “Hulumtimi i Perceptimit dhe Qëndrimeve të Qytetarëve për shtetin social” të publikuar këtë vit nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, thuhet se punësimi në Kosovë është në favor të meshkujve. Sipas këtij raporti më të prekurat nga papunësia në Kosovë janë femrat. Kjo e gjetura i konfirmon të dhënat e publikuara edhe nga Agjencia e Statistikave, që tregojnë se niveli më i lartë i papunësisë është tek femrat e reja. Të gjeturat e Hulumtimit të IKS-it tregojnë se 48 për qind të anketuarve janë të papunë për një periudhë të gjatë, 5 për qind janë të punësuar përkohësisht. Ndërsa, vetëm 14 për qind janë të punësuar për një afat të gjatë.
Përqindja më e madhe del se punojnë në sektorin privat (75 për qind) ndërsa vetëm 19 për qind në sektorin publik. Në lidhje me arsyet se pse nuk janë të punësuar, 25 për qind e tyre thonë se nuk kanë ndonjë mik që punon në pozita të rëndësishme.

Sipas të dhënave 39 për qind thonë se janë të papunë për më shumë se 5 vjet ndërkaq vetëm 3 për qind kanë thënë se më shumë se 6 muaj janë të papunë. Ndërkaq, ekziston edhe perceptimi që njohja e njerëzve është parakusht për të gjetur një punë në tregun Kosovarë.

Shqetësuese është edhe niveli i edukimit të personave që konsiderohen të papunë, apo personave joaktivë. Shtresa e personave që konsiderohen si të papunë për më shumë se një vit kanë të kryer shkollën fillore apo në rastin më të mirë shkollën e mesme. Organizimi trajnimeve të ndryshme nga ministria e punës është hap që duhet të përkrahet, por është evidente ka nevojë të shtuar për trajnimin e punëtorëve. Hapi i ministrisë së Financave për trajnimin e studenteve dhe ai i ministrisë së punës për trajnimin (me pagesë) të 600 punëkërkueseve është një lëvizje pozitive për t’i dhënë një zanat personave të papunë.

Niveli i lartë i papunësisë, pra oferta e bollshme në tregun e punës ndikon që punëdhënësit të ndihen më rehat për shkak të lehtësisë të zëvendësimit të punëtorëve. Këtyre të fundit ju bëhet me e vështirë kërkimi i të drejtave të garantuara me ligj për shkak të rrezikut për tu larguar tërësisht nga puna.
Përveç problemeve që lidhen me papunësinë, në Kosovë ka një shkelje sistematike të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, të cilët nuk kanë edhe një sindikatë për t’i mbrojtur të drejtat e tyre.

Shumë nga bizneset, edhe pse në pronësi të deputetëve, nuk lejojnë organizime sindikale të punëtorëve. Organizimi Sindikal nëpër biznese dhe sidomos aktivizimi më i madh i inspektoratit të punës janë dy parakushtet për të filluar zbatimin më të madh të ligjit të punës edhe në sektorin privat. Gjithashtu është e nevojshme që bizneset që nuk e zbatojnë ligjin pas vërejtjeve të inspektoratit të gjobite, pra kompanitë recidiviste (që e përsërisin gabimin- shkeljen ligjore) duhet të marrin gjobën e merituar.

Hulumtimi i IKS-it po ashtu tregon se ka një nivel të lartë të informaliteti në tregun e punës. Një studim i bërë nga RIINVEST tregon se informaliteti në punësim është më i shprehur në sektorin e bujqësisë dhe atë të ndërtimtarisë. Ka një refuzim të qytetarëve për t’u përgjigjur nëse ata kanë kontrata të rregullta, siç parashihet në ligj. Të gjeturat tregojnë se 65 për qind e të anketuarve kanë refuzuar të përgjigjen, ndërsa vetëm 18 për qind kanë thënë se kanë kontrata. Në bazë të anketës vetëm 10 për qind kanë thënë se nuk kanë kontrata edhe pse janë në marrëdhënie pune. Mungesa e kontratave është shkelje e ligjit të Punës.

Në mungesë të kontratave, punëtorëve ju pamundësohen që t’i gëzojnë të drejtat e tyre të punës, madje ata e kanë shumë më të vështirë edhe t’i mbrojnë të drejtat e tyre nëpër gjykata nëse është e nevojshme. Sektori i ndërtimtarisë që karakterizohet me shkallën më të lartë të informalitetit ka edhe nivelin më të lartë të rrezikshmërisë në punë.

Përmirësimi i ambientit për të bërë biznes si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, është kushti kryesor edhe për të drejtat dhe mirëqenien e punëtorëve.

Kjo për faktin se krijimi i vendeve të reja të punës do të krijonte një ambient më të përshtatshëm për të kërkuar të drejtat e punëtorëve.

Hap tjetër i rëndësishëm është fillimi i themelimit të sindikatave nëpër kompani private, sepse është e domosdoshme që të ketë kontroll dhe zë të punëtorëve në më shumë se 90 mijë biznese sa janë të regjistruara në Kosovë. Këto janë parakushte që ligjet e aprovuara në Kuvend që kanë të bëjnë me punëtorët të gjejnë zbatim, e që për bazë kanë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. /Telegrafi/