LAJMI I FUNDIT:

Organizohet BarCamp Prishtina #26

Organizohet BarCamp Prishtina #26

Edicioni i 26-të me radhë i BarCamp Prishtina është afër! Ky edicion i sponsorizuar si rëndom nga IPKO Foundation do të mbahet të martën, më 25 nëntor 2014 në ora 17:30 në teatrin Oda.

Këtë herë do flasin sportistët, dhe jo për përvojat e tyre të zakonshme. Do flasim për përvoja ekstreme. Pra, fokus kryesor i këtij BarCamp-i janë sportet ekstreme.

Këto aktivitete shpesh përfshijnë shpejtësi, lartësi, një nivel të lartë të tendosjes fizike dhe veshje speciale. Duke qenë se kjo temë ka ngjallur interesim të madh tek prishtinasit, jemi siguruar që t’ia përshtasim kohën kur po i afrohemi dimrit. Si një vend ku pjesëmarrësit mund të ndajnë ide dhe eksperienca, ky BarCamp iu siguron një qasje më direkte ndaj personave të cilët mirren me sportet ekstreme për vite me radhë, e pse jo, edhe t’iu bashkangjiten në këto aktivitete që rrisin adrenalinën.


Nëse doni me pa e me dëgju histori ekstreme nga njerëzit që i kanë jetuar ato, dokuni.

Do ndajnë historitë më të frikshme të tyre:

Meriton Bobaj, themelues i shoqatës për sporte ekstreme "WOLF TEAM”. Meritoni sjell përvojat e tij në FreeDiving, ScubaDiving, Paragliding, MountainBiking, Hiking, Motorcycling, KiteSurfing e Snowboarding.

Shqipe Salihu, inxhiniere dhe kryetare e Shoqërisë Bjeshkatare Alpiniste “Blinaja” Lipjan. Shqipja sjell përvojat e saj në këtë shoqatë si dhe pushtimin e majave të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës.

Nol Turjaka, skiator ekstrem dhe ish-garues i skijimit alpik, do të fokusohet më shumë në skijim freeride dhe freestyle.