LAJMI I FUNDIT:

Një çam në penën e një greku

Një çam në penën e një greku
Ali Dino (autoportret)
Dinastia shqiptare e patriotëve, ushtarakëve dhe intelektualëve: Karikaturisti i madh “grek” dhe piktori i madh “turk”! (Foto)
Lexo po ashtu Dinastia shqiptare e patriotëve, ushtarakëve dhe intelektualëve: Karikaturisti i madh “grek” dhe piktori i madh “turk”! (Foto)

Nga: Pirro Naçi

Për Ali Dino Bejin kam shkruar edhe më parë. Dino, siç nënshkruante skicat, ishte një figurë e veçantë e periudhës midis dy luftërave botërore. Artisti me origjinë nga Preveza lindi në ishullin Chios të Greqisë më 1890, me rrënjë nga Sajadha ku ishin edhe sarajet e gjyshit, në Lopës. Me skicën e thjeshtë dhe të mprehtë u bë i dashur jo vetëm nga admiruesit e shtypit, por edhe nga shoqëria greke. Ishte një kozmopolit dhe fisnik në gjithë kuptimin e fjalës. Studioi shkencat politike në Sorbonë, por ushtroi më vonë karikaturën. Punoi në shumë gazeta të kohës në Athinë. U zgjodh deputet në kuvendin e Greqisë më 1915 dhe kandidoi në zonën e Prevezës me Partinë “Muslimanët” në zgjedhjet e vitit 1926. Themelues i Shoqatës së Karikaturistëve dhe president i saj, anëtar i Bashkimit të Shoqatave të Arteve të Bukura… Nuk po ndalem gjatë me jetën dhe në lapsin e Ali Dinos, por do të ndalem në penën e një greku që ‘’pikturoi’’ aq bukur portretin e tij.


Edhe ai filloi studimet për mjekësi, por e përpiu gazetaria, peneli dhe pena. Zaharia Papantoniu lindi më 1877 në Karpenis. Një nga shkrimtarët grekë më të rëndësishëm të viteve 1920-30. Vepra e tij, “Malet e lartë”, një prelud për natyrën, është bërë e dashur për fëmijët, por edhe për të rriturit. Një libër që për 100 vjet lexohet dhe mësohet akoma në didaktikën arsimore.

Zaharia Papantoniu, gazetari, shkrimtari, piktori, prefekti, pedagogu i universitetit, drejtori i Galerisë së Arteve, dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, në morinë e madhe të punëve, gjeti kohë të merrej me penën e tij edhe me Ali Dinon. Ma tregoi edhe Safeti, vajza e Aliut, pak vite më parë që në moshë të thyer kalonte kohën midis Athinës dhe Prevezës. U mundova ta përkthej dhe ta ndaj me lexuesit dhe miqtë e mi, një nga punimet e tij të nëntorit 1938:

“Skicat e Dinos.

“Dino Bej ishte një shqiptar, që nuk kishte gjë tjetër shqiptare përveç një ngjyre të lehtë të dialektit. Të gjitha të tjerat i kishte kozmopolite. Që nga delikatesa e të sjellurit, veshja, mentaliteti dhe në përgjithësi linjat e tij ishin të veçanta. Skica humoristike ishin nga ato që nuk kishin vetëm karakter lokalist apo të tregonin unin a individualitetin e tij, cilësi të pakta në arenën ndërkombëtare të karikaturës. Pastërtia e skicave mund ta vendosnin atë në faqet më të mira të gazetave evropiane. Ky humorist i bazonte skicat te thjeshtësia. E sillte në përsosmëri deri sa s’mbante më. Ishte një maniak i së thjeshtës. Ishin gjithmonë të këndshme, freskuese dhe plot gjallëri. Asnjë nuk e vinte në dyshim humorin dhe finesën e vizatimeve të tij. Skica të mërzitshme nuk jepte asnjëherë Dino. Skiconte pak dhe saktë, me një prodhimtari të mundimshme, por me synime të qarta. Kur e kishte gati për botim ajo ishte e përkryer dhe nuk kishte për t’i shtuar apo për t’i hequr as edhe një gjë…

Për këto dhe shumë të tjera, linja e tij ishte gazmore dhe jam i sigurt që edhe Themos Anninos (një nga karikaturistët më të mëdhenj të Greqisë të fillimit të shekullit XX) që kishte pasion thjeshtësinë në të skicuar do ta vlerësonte shumë po të kishte parë punimet e kristalta të viteve të fundit të Dinos.

Në fushën e karikaturës politike hyri disa herë. Shumë pak e kënaqte kjo zonë. Temat e ditës nuk kishin asnjë interes për të. Ai nuk dëshironte të bëhej sarkastik, por edhe kur ngjarjet aktuale e bënin të nevojshme. Ai kujdesej të dilte sa më shpejt të ishte e mundur. Vetëm një herë mori mundimin të satirizonte një politikan trupvogël. Luajti aq shumë me zvogëlimin e figurës deri në një shkallë ekstreme dhe u “zhyt” mbi të sa e bërë këtë figurë të vogël pjesë e shumë karikaturave të mëvonshme. Krijoi kështu një tip të veçantë. Ndjente nevojën për ta paraqitur vazhdimisht si një shtojcë. E luajti këtë lojë satirike për një kohë të gjatë…

Prirja dhe talenti i tij ishin për karikaturën sociale. Me përvojën e njeriu të shumëdalë dhe mirësia e shpirtit, e pajisën me talentin e artit të rafinuar të dizajnit humoristik. Një nga temat e preferuara ishte përshkrimi i zakoneve dhe dokeve lokale shqiptare. Etnografia e skicave me temë Çamërinë nuk ishin vetëm gazmore dhe zbavitëse, por kishin shumë freski. Ishte një humor i bukur dhe i vërtetë social.

Dino nuk ishte një nacionalist i papajtueshëm. Si shqiptar e donte Shqipërinë. Dëshironte që ai vend të përparonte. Nuk pajtohej që ai popull i lashtë të mbahej peng nga patriarkalizmi në mënyrën e jetesës. Ishte kundër fanatizmit dhe nuk pajtohej me konservatorizmin; i shikonte me çudi për kohën që jetonte, mendime që i shprehte sa herë fliste për problemet e Çamërisë. Në përshkrimet e tij fliste se si ishin zakonet e martesës akoma edhe sot. Përshkrime të fuqishme, dëshmitë e dhëndrit, nazet e nuses, prapaskenat, djallëzitë, sprova të paimagjinueshme të një shoqërie patriarkale që përpiqej të pengonte zhvillimin duke “mbrojtur” nderin e familjes nga çdo gjë e re…

Ai kishte drejtuar armën elegante të vizatimit humoristik drejt Çamërisë së tij të dashur. Një shoqëri e vuajtur dhe e prapambetur përshkruhej në skicat e tij gazmore. Opingat me majë, guna e leshtë, rripat e gjerë, thikat në brez, veshjet e rënda të grave, kombollojët, shegunet e gjata luajtën një rol protagonist në skicat për shoqërinë e asaj kohe. Vetë Dinua ishte një bej, por kjo nuk e pengoi të satirizonte beun e Çamërisë. Përuljet, shprehjet e servilizmit, nënshtrimi i fshatarëve të varfër përpara pronarëve të tokës, të veshur me kostumin tradicional të zonës, i ‘shikonte nga lart’ me një këndvështrim më të gjerë për t’i bërë këto figura interesante duke i zvogëluat për të dhënë mesazhin se ato duhet t’i lëmë pas si gjëra të vogla. Të gjitha këto që ngjanin edhe me stilin e karikaturistit të madh francez Kapi, përbënin një karikaturë gazmore, të veçantë të kompozuara dhe të ekzekutuara me thjeshtësi, qartësi dhe ndjeshmëri të madhe.

Besnik ndaj antipatisë së tij për përmbajtjen e elementit ‘folklorik’, megjithëse e përdori në skica vetën në formë dhe jo në përmbajtje; dikur skicoi një valle të ngadaltë greke. Si çamiko e konsideronte, në ‘juridiksionin’ e tij. Shkruante diçiturën poshtë valltarëve: ‘Një epilektik që tërheq një skuadër paralitikësh’. Një satirë e zgjuar. Dino nuk vë në dyshim bukurinë piktoreske të vallëzimin grek, por dëshironte të tregonte se kur valltari i parë nuk është virtuoz të tjerët i shkojnë nga pas me zor, kur vallja nuk ka art bëhet e mërzitshme. Kush do ta vinte në dyshim këtë të vërtetë? Dhe, dua të shtoj, se skicat e tij nuk mbështeteshin vetëm në titujt e zgjuar. Fliste edhe pa tituj; skica e tij kishte finesë të paparë. Kishte veçantinë e Dinos. Ai krijoi ‘vulën’ e tij që nuk ngjante me asnjë tjetër.

Vështirë mund të futemi në psikologjinë e një shqiptari bej musliman, i bredhur në bulevardet e Parisit, që la pasurinë e tij të madhe dhe u mor me karikaturën. Sidoqoftë, duke folur për Dinon, kjo nuk duket shumë e komplikuar. Ishte një njeri i thjeshtë dhe simpatik, një kozmopolit që i përshtatej çdo salloni; njeri i këndshëm elegant dhe i mirë. Nuk kishte asgjë të errët dhe orientale tek ky evropian i Çamërisë. Ishte një artist më shumë se sa një bej. Aq më tepër që vinte nga një familje me prirje poetike dhe artistike. Kush prej nesh nuk ka rastisur të lexojë gjatë viteve të tij studentore vargjet e pafund në greqisht të Abedin Dino Pashait, Valiu i Arkipelagut, gjyshi i artistit tonë. Për vite me radhë ishte Guvernator i Egjeut nën sundimin e Sulltan Abdul Hamitit. Madje shërbeu për një javë Vezir i Madh. Pas kësaj u kthye në detyrën e Valiut dhe në dy dobësitë e tij: gratë dhe poezinë. Vargjet ishin si të orës së keqe. Kjo nuk përbënte ndonjë rëndësi të veçantë për një Vali. I dërgonte për t’u shtypur në gazetat javore të Mitilinit dhe të Samos, me urdhrin e tij. Vajtonte si romantikët. Hera e parë shikonim një Vali që të qante për dashurinë…

Krijuesi, Valiu, që nuk kishte varur askënd dhe jetonte paqësisht në Egje, kishte nip të mirin tonë, Dino. Por, ndryshimi midis tyre ishte se Aliu ishte i lindur talent. Vepra e tij ndoshta e vogël në numër, pοr kishte mirësinë në gjithë prodhimtarinë e saj. Ishin nga veprat më të civilizuara, elegante dhe origjinale në rrugëtimin e skicës humoristike greke…

Ali Dino kultivoi këtë lloj skice si lulishtari lulet e rralla dhe të bukura në kopshtin e tij…”!

E përktheva me aq sa munda, e lexova dhe u ktheva disa herë, një gjë më mbeti në mendje dhe në zemër: lapsi i Dinos dhe pena e Zaharias.

A mund t’i gjejmë edhe sot?!