LAJMI I FUNDIT:

Në Vitin e Ri duhet të hyjmë me mendjen e fillestarit

Në Vitin e Ri duhet të hyjmë me mendjen e fillestarit
Ilustrimi nga: Ben Hickey

Nga: Jemima Kelly / The Financial TImes
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Në fillimin e Vitit të Ri, me gjithë këtë errësirë dhe zymtësi janareske, disa prej jush tashmë mund ta kenë humbur motivimin për t’i zbatuar premtimet që i keni bërë vetëm ca ditë më parë – për t’u bërë më të shëndetshëm, më të pasur, më të zhdërvjellët dhe me versionet krejt më mbresëlënëse për veten tuaj në vitin 2023. Nëse nuk keni hequr dorë tashmë prej tyre, 80 për qind prej jush ka të ngjarë të braktisin – deri në javën e dytë të shkurtit – çdo vendim që mund ta keni marrë.

Por, para se të tundoheni që ta braktisni këtë kolumne, më lejoni t’ju ofroj diçka pak më shpresëdhënëse. Mund të mos ia dilni mbanë të çoheni me gëzim nga shtrati, çdo mëngjes në orën katër, ose të bëni më shumë përparime për 10 mijë orët e mjeshtërimit të gjërave, por ka mënyra më pak të vështira për ta trajtuar vetëpërmirësimin, e kjo mund të kenë më shumë ndikim.

Në fakt, të qenit “mjeshtër” në diçka mund të jetë ndonjëherë disavantazh, duke ju larguar më shumë nga përndritja, jo duke ju afruar. Pra, në vend se të përpiqeni të bëheni eksperti më i madh në botë – në çdo gjë që keni vendosur se është e nevojshme për ta justifikuar ekzistencën tuaj këtë vit – ju mund të përqendroheni në diçka pak më të thjeshtë: kultivimin e një “mendjeje fillestare”.

Përkthimi i termit japonez “shoshin” është koncept që vjen nga zen-budizmi. Ideja është se të gjithë – pavarësisht sa të avancuar apo sa me përvojë janë – duhet të përpiqen t’ju qasen gjërave me të njëjtën çiltërsi, kureshtje, fleksibilitet dhe dëshirë për të mësuar, gjë që karakterizon qëndrimin e fillestarëve. “Në mendjen e fillestarit ka shumë mundësi; tek ekspertët ka pak”, shkroi murgu budist Shunryu Suzuki, në librin e tij të vitit 1970, Zen Mind, Beginner’s Mind.

Ekspertët, ndryshe nga fillestarët, me kalimin e kohës kanë krijuar një sërë supozimesh, paragjykimesh dhe zakonesh. Këto mund t’i kenë ndihmuar të arrijnë në nivelin e tyre të ekspertizës, por, mbajtja e tyre pa ndonjë pyetje ose rishqyrtim mund të përfundojë duke ua turbulluar mendjen.

Përgjatë viteve studimet e kanë identifikuar “mallkimin e ekspertizës”, duke treguar se kjo i shtyn njerëzit t’u mbivlerësojnë njohuritë e veta dhe të bëhen më të mbyllur. Edhe perceptimi se dikush është ekspert, pavarësisht nëse ky besim është i garantuar apo jo, mund ta ketë këtë efekt. Në një studim të vitit 2015, pjesëmarrësit të cilëve u është thënë se ishin ekspertë në një temë, u bënë më pak të gatshëm për t’i dëgjuar pikëpamje tjera. Studiuesit e përshkruan këtë si “efektin e fituar të dogmatizmit”: ideja se shoqëria beson se ekspertët kanë të drejtë të jenë mendjembyllur dhe dogmatikë në qasjet e veta.

Dhe, teksa ministri britanik Michael Gove mund të jetë kritikuar për komentin e bërë pak para votimit të Brexit-it, se “njerëzit në këtë vend u lodhën me ekspertë nga … organizatat me akronime që thonë se dinë se çfarë është më e mira”, qëllimi i tij ishte i drejtë – mbështetja në ekspertizën e supozuar shpeshherë mund të na shtyjë verbërisht të besojmë te njerëzit e gabuar. Do të duhej që bota e kriptos, për shembull, të kishte shtruar më shumë pyetje për ish-shefin ekzekutiv të FTX-it, Sam Bankman-Fried – që tani mund të përballet me dënimin prej më shumë se 100 vjetëve burg – ose për themeluesin e Terra/Luna-s, Do Kwon – që tashmë është duke u fshehur – sesa të supozohej se këta njerëz e dinin se çfarë po bëjnë.

Sigurisht, ekspertiza e ka vendin e vet – për të fluturuar me një aeroplan me disa qindra pasagjerë, ose për të kryer një kraniektomi sigurisht se ju duhet të arrini në një nivel të caktuar të gjërave. Kjo bëhet duke mësuar një sërë konceptesh, kategorizimesh dhe teknikash të përcaktuara më parë. Por, problemi vjen kur këto konstruksione gabimisht merren si të vërteta të përjetshme.

Kjo është ajo që Albert Einstein identifikoi në shkrimet e veta për filozofinë dhe epistemologjinë e shkencës. “Konceptet që janë dëshmuar si të dobishme në renditjen e gjërave, lehtësisht e arrijnë autoritetin e tillë mbi ne saqë ne e harrojmë origjinën e tyre tokësore dhe i pranojmë ato si të dhëna të pandryshueshme”, shkroi Ajnshtajni më 1916. “Shpeshherë, përmes gabimeve të tilla, rruga e përparimit shkencor për një kohë të gjatë bëhet e pakalueshme”. Ai sugjeroi se shkencëtarët duhet të vënë në pikëpyetje konceptet që ishin bërë të zakonshme dhe se këto duhet “të hiqen nëse nuk mund të legjitimohen siç duhet apo të korrigjohen nëse korrelacioni i tyre me gjërat e dhëna është mëse i panevojshëm”.

Progresi shkencor varet nga qasja e tillë, por ky është mësimi që të gjithë ne mund ta marrim në vitin 2023. Qoftë në punën tonë apo në jetën tonë personale, nxitja e kureshtjes pothuajse fëmijërore për atë që ndodhë rreth nesh, mund të korrë një gamë të tërë të përfitimeve – dhe kjo është më e këndshme sesa të përpiqesh të bëhesh një lloj makinerie e produktivitetit. Prandaj, këtë vit ndoshta mund të mendoni të bëheni ekspert për të mos qenë ekspert? Unë këtë do ta provoja. /Telegrafi/