LAJMI I FUNDIT:

Në Tiranë hapet panairi me 200 artizanë nga trevat shqiptare

Në Tiranë hapet panairi me 200 artizanë nga trevat shqiptare

Në Tiranë është hapur Panairi Artizanal, me punime nga 200 artizanë të ndryshëm, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova, Mali i Zi dhe trevat tjera shqiptare.

Në panair ekspozohen produkte të shumta tradicionale shqiptare – veshje popullore, punime druri, qilima, objekte për dekorimin e shtëpisë e shumë të tjera.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka ofruar mbështetjen e saj për organizimin e panaireve të tilla, pasi, siç u shpreh zëvendës-ministrja Genta Sula, përveç ekspozimit të punimeve tradicionale shqiptare, ky panair është edhe një mundësi punësimi për gratë dhe vajzat shqiptare.


Hajrie Thaçi vjen nga Mitrovica në këtë panair. Ajo ka mbi 30 vjet që merret me punime dore, e ka traditë në familje dhe qysh e vogël i është dedikuar kësaj fushe. Thotë se autoritetet përgjegjëse duhet të bëjnë më shumë për këtë sektor, duke ngritur tregje të posaçme, pasi që vetëm me panaire nuk mund të mjaftohesh për t’i shitur produktet.

Ajo tregoi për Kosovapress disa nga punimet më të bukura të saj që prezanton në këtë Panair ndërsa shtoi se më shumë interes tregohet për veshjet popullore, të cilat kryesisht jepen me qira nga 5 euro deri ne 10 euro.

Panairi është hapur sot (e hënë) në Tiranë te sheshi para Piramidës dhe do të qëndrojë hapur vetëm dy ditë. /KP/