LAJMI I FUNDIT:

PARA LIGJIT

PARA LIGJIT

Nga: Franz Kafka
Përktheu: Arb Elo

Para ligjit  qëndron një portier. Te ky portier vjen një burrë nga rrethet dhe lutet për hyrje në ligj. Mirëpo, portieri thotë që nuk mund t’ia miratojë hyrjen. Burri mendohet dhe pyet pastaj, në i lejohet të hyjë më vonë. “Ka të ngjarë”, thotë portieri, “mirëpo tani jo.”


Meqenëse porta për te ligji rri hapur si gjithmonë dhe portieri mënjanohet, burri përkulet për të parë brenda nëpërmjet saj. Kur portieri e vë re këtë, qesh dhe thotë: “Nëse të ndjell kaq shumë, provoje atëherë të futesh brenda, pa çka se ta kam ndaluar. Ki parasysh, sidoqoftë: unë jam i fuqishëm. Dhe, unë jam veç portieri më i fundmë për nga rangu. Nga salla në sallë bëjnë rojë po ashtu portierë, njëri më i fuqishëm se tjetri. Vetëm pamja e të tretit prej tyre në radhë më bën të dridhem.”

Kaq  koklavitje nuk i ka llogaritur burri nga rrethet; ligji duhet të jetë për këdo dhe gjithnjë sidoqoftë i hapur, mendon ai, porse kur sheh tani më shkoqur portierin me pallto gëzofi, hundën majuce të këtij, mjekrën e gjatë, të hollë, të zezë tartare, vendos që të presë më mirë, gjersa të marrë lejen për hyrje. Portieri i jep një stol dhe e lë të ulet para derës. Rri ulur aty me ditë e vite. Bën shumë përpjekje për t’u lejuar dhe e lodh portierin me lutjet e tij. Portieri e merr shpesh në pyetje, e pyet mbarë e prapë për vendlindjen dhe për shumë gjëra të tjera, porse janë pyetje anashkaluese, të ftohta, ashtu siç i shtrojnë zotërinjtë e mëdhenj, dhe në fund i thotë gjithnjë e përsëri që nuk mund ta lerë të hyjë. Burri, i cili është pajisur për udhëtimin e tij me shumëçka, i përdor të tëra, qofshin këto edhe shumë të vlefshme, për ta korruptuar portierin. Ky i merr gjithçka që i jepet, porse thotë ndërkaq: ”Po e marr vetëm që të mos besosh se ke dalë ndoshta huq.”

Përgjatë shumë viteve burri e vëzhgon portierin gati pa ndërprerje. Ai harron portierët e tjerë, ndërsa ky i pari iu duk pengesa e vetme për hyrjen në ligj. Mallkon rastësinë e pafat, vitet e para pa bërë kujdes fare dhe me zë të lartë, më vonë, kur plaket, vetëm murmuron gjithë zhurmë me vete. Bëhet si kalama dhe, meqë e ka diktuar edhe pleshtin në jakën e portierit, i lutet deri edhe pleshtit që ky ta ndihë dhe ta bëjë portierin të ndërrojë mendje. Më në fund i dobësohet drita e syve dhe nuk e di nëse përreth tij errësohet edhe më, apo në e mashtrojnë sytë. Mirëpo, dallon tanimë në terr një ndrimë, e cila futet e pashuar nga dera e ligjit. Tani nuk do të jetojë më shumë. Para se të vdesë i bëhen bashkë në krye të gjitha përjetimet e tërë kohës në një pyetje, të cilën nuk ia ka shtruar akoma portierit. I bën një shenjë këtij, ngase nuk mund ta drejtojë më trupin e ngrirë. Portierit i duhet të përkulet kah ai, sepse dallimi i lartësive trupore ka ndryshuar në favor të burrit. “Çfarë po kërkon të dish akoma tani?” pyet portieri, “ti je i pangopur.” “Të gjithë duan drejtësi, duan ligj, apo?”, thotë burri, “për çfarë arsyeje nuk ka kërkuar askush përveç meje hyrje?” Portieri e vë re që burri tashmë po merr fund, dhe, për t’ia mbërritur dëgjimit të këtij, i gërthet: “Këtu nuk do të mundej askush të merrte leje, mbasi kjo hyrje ishte e përcaktuar vetëm për ty. Po iki tani dhe po e mbyll.”