ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Pushkini vdiq që vrasësi të jetonte në rehati. Për gati dy shekuj, e vërteta është mbuluar me mite ...

Në historinë e letërsisë ruse ka dy kryekeqbërës. Njëri është personazh letrar, ndërsa tjetri është krejtësisht real. Dhe, nëse Salieri të paktën vuante nga brejtjet e ndërgjegjes në dramë, vrasësi i Pushkinit, Zhorzh Dantesi, duket se nuk u mundua aspak prej tyre. Për shumë vite e kemi përfytyruar si një francez të pashëm e të lëmuar, një aventurier mendjelehtë, që e shkatërroi gjeninë krejt rastësisht. Por, realiteti është shumë më i frikshëm dhe më i mbrapshtë.


Një nga sekretet më pikante që rrethojnë figurën e Dantesit ishte lidhja e tij me të dërguarin holandez, baronin Lui Hekern. Në vitin 1836, diplomati 42-vjeçar, i cili nuk ishte martuar kurrë, birësoi oficerin 24-vjeçar. Dhe, kjo, ndonëse babai biologjik i Zhorzhit ishte gjallë e shëndoshë.

Shoqëria e lartë e Peterburgut, që e kishte fort për zemër thashethemin, nxori menjëherë përfundimet e veta. Princi Trubeckoi shkruante hapur: “Nuk di si ta them: jetonte ai me Hekernin apo Hekerni me të ... Nga sa duket, në marrëdhëniet me Hekernin ai luante vetëm një rol pasiv”.

Kjo lidhje skandaloze i siguroi aventurierit të ri jo vetëm një mbiemër, por edhe hyrjen në shoqërinë e lartë, para dhe lidhje. Pikërisht Hekerni, “burri i rritur”, u dashurua me oficerin e pashëm dhe e bëri “birin e tij të adoptuar”, në mënyrë që ky të mund të shkëlqente në oborrin perandorak.

Ironia e fatit qëndron në faktin se vetë Pushkini, pa e ditur, përhapte për vrasësin e tij thashethemin më poshtërues për një burrë. Në ditarin e vet, poeti shkruante: “Unë isha i pari që mora vesh se Dantesi jepej pas mëkatit sodomit dhe, me kënaqësi të madhe, e bëra këtë lajm publik. Këtë e mora vesh nga vajzat e bordellos ku ai shkonte”.

Po, duke hedhur dritë mbi lidhjen e shthurur të francezit, vetë poeti, pa dashje, u shërbente atyre që po e shkatërronin, duke lënë të kuptohej, me nënkuptime pikante, natyra e vërtetë e marrëdhënies. Vetëm më vonë bashkëkohësit kuptuan se e gjithë kjo histori ishte veç maja e ajsbergut. Birësimi i Dantesit ishte kryer duke shkelur tri pika të legjislacionit francez. Hekerni kishte po aq nevojë për Dantesin, sa edhe Dantesi për të.

Në prag të vitit fatal 1837 shpërtheu skandali. Për ta mbyllur çështjen dhe për të larguar nga vetja dyshimet për lidhjen me gruan e Pushkinit, Dantesi bëri një veprim që të trondit me cinizmin e vet. Ai i kërkoi dorën Jekaterina Gonçarovës, motrës së madhe të Natalisë, gruas së poetit. Shpotitësit e salloneve mondane e quajtën menjëherë vajzën e gjorë “bishti i fshesës”, duke aluduar për pamjen e saj, që ishte larg idealeve të bukurisë.

Qëllimi i vërtetë i kësaj martese ishte i neveritshëm: duke u bërë zyrtarisht kunati i Pushkinit, Dantesi fitonte një arsye të ligjshme për të hyrë në shtëpinë e Gonçarovëve dhe për të vazhduar flirtin me Natalinë. Nëpër qytet nisën të qarkullonin zëra se martesa me “motrën e shëmtuar” ishte vetëm një mbulesë për lidhjen me bukuroshen më të madhe të Peterburgut. Pushkinit ia thoshin këtë thuajse hapur, dhe pikërisht ky tërbim, bashkë me ndjenjën e turpit publik, e shtynë drejt duelit fatal.

Por, fakti më tronditës për Dantesin gjendet përtej kufijve të kësaj drame: jeta e tij jashtëzakonisht e suksesshme pas vrasjes. Menjëherë pas duelit, baroni u çgradua dhe u dëbua. Sipas ligjeve ushtarake të kohës, atë e kërcënonte dënimi me vdekje, por u treguan të mëshirshëm me të. I trembur për vdekje, ai iku nga Rusia me aq ngut, sa arriti të përshkonte 800 versta në vetëm katër ditë.

Pasi u kthye në Francë, Dantesi bëri një karrierë të shkëlqyer politike. U bë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, deputet, kryetar i qytetit të lindjes dhe mik i ngushtë i perandorit Napoleon III. Më 27 mars 1852 u emërua senator i përjetshëm i Perandorisë së Dytë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1870.

Për më tepër, ky njeri, që i kishte lyer duart me gjakun e një gjeniu, punoi si agjent i ambasadës ruse. Deri në vitet 1880, ai i përcillte Peterburgut informacione tejet të çmuara. Vitet e fundit të jetës i kaloi në kështjellën e familjes, i rrethuar nga fëmijët dhe nipërit, dhe vdiq në moshën 83-vjeçare.

Dantesi nuk ndiente kurrfarë faji. Deri në fund të jetës mburrej se pikërisht dëbimi për shkak të vrasjes i kishte mundësuar të bënte karrierë. Sipas nipit të tij, Lui Metmanit: “Gjyshi ishte krejtësisht i kënaqur me fatin e vet ... dhe thoshte jo rrallë se karrierën e tij të shkëlqyer politike ia detyronte vetëm largimit të detyruar nga Rusia për shkak të duelit”.

Ai mendonte se “dielli i poezisë ruse” kishte perënduar për t’i hapur udhë mirëqenies së tij personale. Gjeniu vdiq që vrasësi të jetonte në rehati. Për gati dy shekuj, e vërteta është mbuluar me mite, por një gjë mbetet e pandryshuar: përpara nesh nuk qëndronte një dashnor i zjarrtë, as një viktimë e rrethanave, por një aventurier gjakftohtë dhe llogaritës, biografia e të cilit është ende e aftë të tronditë. /“Russkaja semerka”/Përkthimi: ExLibris/