Pamje nga kamerat e sigurisë kanë kapur momentin e frikshëm kur një numër i madh njerëzish tentojnë të largohen nga zona, vetëm disa sekonda para se një rrëshqitje masive dheu dhe uji t’i përfshijë.

Ngjarja ka ndodhur në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës, e cila të mërkurën u godit nga përmbytje të fuqishme dhe rrëshqitje dheu.


Pamjet tregojnë njerëzit duke vrapuar për t’i shpëtuar fuqisë së ujit dhe materialit që vërshoi me shpejtësi në zonën e pikës kufitare.

Katastrofa ka shkaktuar dëme të mëdha në vendbanime, rrugë, ura dhe infrastrukturë energjetike. Në Nepal, në orët e fundit janë raportuar 95 viktima, ndërsa qindra persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.

Në mesin e të zhdukurve janë edhe 384 turistë, prej të cilëve 291 shtetas të huaj dhe 93 shtetas nepalezë, sipas të dhënave të Bordit të Turizmit të Nepalit.

Përmbytjet prekën rëndë veçanërisht distriktin Rasuwa, përgjatë lumit Bhote Koshi, ndërsa dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në zonat e Timure dhe Syaphrubesi.

Ekipet e shpëtimit janë angazhuar në kërkimin e personave të zhdukur, por operacionet po vështirësohen nga dëmtimi i rrugëve dhe urave, komunikimet e ndërprera dhe kushtet e këqija atmosferike.

Në anën kineze, autoritetet gjithashtu kanë raportuar viktima dhe persona të zhdukur pas rrëshqitjeve dhe vërshimeve në zonën e Gyirong. Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë dokumentuar momentin kur uji dhe dheu përfshijnë zonën kufitare. /Telegrafi/