"Kurti është gati, emrat i kemi", Konjufca: Propabilitet i madh për marrëveshje për presidentin/en

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar para mediave se takimi i radhës ndërmjet kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku pritet të fokusohet në propozimin e emrave konkretë për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Konjufca tha se kjo mënyrë e zhvillimit të takimit përbën një mundësi të re për arritjen e një marrëveshjeje mes subjekteve politike.
“Është paralajmëruar që takimi i radhës do të zhvillohet në formën e propozimit të emrave konkretë në lidhje me propozimin për president dhe e kemi kuptuar menjëherë që kjo është një shans i mirë dhe një mundësi e re”, u shpreh Konjufca.
Sipas tij, ekziston një probabilitet i madh që palët të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Ekziston një probabilitet i madh që të kemi president, në një marrëveshje për presidentin”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Konjufca bëri të ditur se në takimin e radhës, kurdo që ai të zhvillohet, Kurti dhe Abdixhiku pritet të paraqesin emra konkretë për postin e presidentit apo presidentes së ardhshme të Kosovës.
“Kurdo që të takohen Kurti me Abdixhikun, kjo do të jetë forma e takimit; do të takohen në formën e propozimit të emrave konkretë dhe njëri prej tyre do të jetë edhe presidenti apo presidentja e ardhshme”, deklaroi Konjufca.
Ai gjithashtu u shpreh se i vjen keq që takimi nuk u zhvillua gjatë javës së kaluar, duke theksuar se palët kanë pasur nevojë për kohë shtesë për të diskutuar një çështje të rëndësishme dhe komplekse.
“Mua më vjen keq që u humb java e kaluar pasi nuk kishte nevojë, mirëpo mirëkuptojmë dikë që ka pasur nevojë për kohë shtesë, pasi kjo nuk është një çështje kaq e thjeshtë”, tha ai.
Konjufca theksoi se tashmë partitë politike duhet të kalojnë nga diskutimet e përgjithshme te propozimet konkrete, pasi emrat që do të paraqiten do të jenë përfundimtarë.
“Partitë kanë nevojë që të vijnë tek emrat konkretë, pasi do të jenë përfundimtarë. LVV është gati, Kurti është gati, emrat i kemi”, përfundoi Konjufca. /Telegrafi/





































