Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës me temën “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë”, ndërkaq lidhur me këtë ka publikuar një raport, ku prezantohen të dhëna mjaft shqetësuese.

ZKA thekson se qëllimi i këtij auditimi ishte të vlerësohet nëse institucionet përgjegjëse kanë vendosur dhe zbatojnë mekanizma efektivë për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e incidenteve të dhunës në shkolla.


Gjithashtu është vlerësuar nëse këto mekanizma kontribuojnë në krijimin e një ambienti të sigurt për nxënësit.

Fushëveprimi i këtij auditimit ka përfshirë periudhën 2022-2025, pjesë e auditimit ishin drejtoritë komunale të arsimit në tri komuna: Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, si dhe Drejtoria për Mirëqenie Sociale në komunën e Prishtinës.

Ndërsa në nivel qendror janë: Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit si dhe Policia e Kosovës.

Në raport thuhet se institucionet përgjegjëse kanë vendosur disa mekanizma dhe kanë ndërmarrë iniciativa për sigurinë në shkolla, megjithatë këto nuk funksionojnë si një sistem i koordinuar, i standardizuar dhe efektiv për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e dhunës.

Shkollat kryesisht reagojnë pas incidenteve, ndërsa masat parandaluese, trajtimi i rasteve dhe raportimi në ‘Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim’ nuk zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme.

Mungesa e të dhënave të sakta dhe analizave të mirëfillta ka kufizuar Ministrinë e Arsimit, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe Inspektoratit të Arsimit për të vlerësuar gjendjen reale të sigurisë dhe për të ndërmarrë masa të bazuara në rrezik.

“Si rezultat, nxënësit nuk përfitojnë gjithmonë mbrojtje, trajtim dhe mbështetje të duhur institucionale, ndërsa sistemi arsimor nuk ka siguri të mjaftueshme se rastet e dhunës dhe bullizmit parandalohen, trajtohen dhe përcillen deri në zgjidhje.

Gjatë zhvillimit të auditimit, disa nga institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprime për adresimin e mangësive të identifikuara. Policia e Kosovës ka ndërmarrë iniciativë për përmirësimin e formularëve që përdoren për komunikimin me shkollat dhe evidentimin e rasteve”.

Tutje, në raport bëhet e ditur se Komuna e Ferizaj, në qershor 2026, ka instaluar kamera të sigurisë në njërin nga gjimnazet që nuk posedonte kamera.

Po ashtu, në komunën e Prishtinës, tetë shkolla kanë filluar për herë të parë raportimin e rasteve të dhunës në ‘Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim’, duke raportuar gjithsej 27 raste gjatë periudhës janar–prill 2026.

Në komunën e Gjakovës, tri shkolla gjithashtu kanë filluar për herë të parë raportimin e rasteve në ‘’Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim’’.

Këto veprime paraqesin hapa pozitivë, por, për shkak të shtrirjes së tyre të kufizuar, nuk i adresojnë në tërësi mangësitë sistemore të identifikuara gjatë auditimit.

“Shkollat nuk sigurojnë zbatimin e vazhdueshëm të mekanizmave të paraparë për parandalimin e dhunës. Shkollat nuk kanë realizuar çdo herë kontrolle sistematike tek nxënësit në mënyrë që të shmangin bartjen e mjeteve të dëmshme dhe substancave të rrezikshme. Përderisa, aktivitetet apo ligjëratat sensibilizuese organizohen shumë rrallë dhe nuk janë gjithëpërfshirëse.

Nuk ka plane veprimi për sigurinë në shkolla e as analizë të faktorëve të rrezikut të shkollës. Nuk ka kontrolle të qarta të hyrje-daljeve duke mos u siguruar se ndalohet qasja e personave të pa autorizuar në hapësirat shkollore”, thuhet në raport.

Kutia e ankesave edhe pse ishte vendosur në 12 shkollat e vizituara vetëm në tri prej tyre apo 25% e shkollave të vizituara kishin procedurë të hapjes ku kutia përdorej nga nxënësit.

ZKA thekson më tej se rastet e dhunës në shkolla nuk trajtohen në mënyrë efektive.

“Shkollat dokumentojnë kryesisht rastet më serioze të dhunës, ndërsa rastet tjera si bullizmi, përjashtimet nga grupet dhe format tjera të dhunës psikologjike e sociale nuk evidentohen çdo herë dhe nuk trajtohen në mënyrë të dokumentuar.

Po ashtu, kishte raste serioze që nuk janë identifikuar nga vetë shkollat, por janë raportuar nga prindërit.

Shkollat nuk kishin hartuar planet individuale të mbrojtjes dhe përkrahjes së nxënësve që janë viktima të dhunës si dhe nuk kanë hartuar plane për mbështetjen të nxënësve me sjellje problematike. Trajtimi i rasteve mbetet kryesisht reagues dhe afatshkurtër”, thuhet më tej.

Të dhënat e raportuara mbi rastet dhe incidentet e dhunës në shkolla nuk janë të sakta dhe të besueshme.

Deri në dhjetor të vitit 2025, vetëm 2% e shkollave në gjithë Kosovën kanë raportuar rastet e dhunës dhe bullizmit në shkolla. Brenda një viti shkollor ishin raportuar gjithsej 45 raste në ‘’Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim’’.

Në anën tjetër, në raportet e policisë së Kosovës ky numër sillet rreth 550 deri 600 raste të incidenteve të dhunës nga nxënësit në vit. Gjithashtu nga evidencat fizike të rasteve të dhunës që janë prezantuar nga 30 shkollat që ishin mostër auditimi janë identifikuar 535 raste të dhunës për periudhën 2022-2025.

“Kjo konfirmon se të dhënat e raportuara nga shkollat në sistemin ‘Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim’ nuk paraqesin situatën reale të numrit të rasteve të dhunës në shkolla.

Qendrat për punë sociale në Prishtinë nuk arrijnë të ofrojnë shërbimet e kërkuara nga shkollat”.

Po ashtu bëhet e ditur se është identifikuar mungesë e evidentimit dhe regjistrimit të rasteve nga Qendrat për Punë Sociale, ndërsa të dhënat për referimet nga shkollat nuk përputhen me evidencat e këtyre qendrave.

Po ashtu, në asnjërën nga tri qendrat nuk ishte caktuar zyrtar i specializuar për koordinimin e masave dhe ndërhyrjeve për mbrojtjen e fëmijëve. Përgjatë viteve 2022-2025 ishte mbajtur vetëm një tryezë multidisiplinare.

Gjithashtu, nuk është respektuar afati prej 30 ditësh për kthimin e përgjigjeve ndaj shkollave lidhur me rastet e referuara, ndërsa ka raste kur shkollat nuk kanë pranuar fare përgjigje.

“Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka kryer rolin e mbikëqyrjes dhe monitorimit. Komunat nuk kanë monitoruar shkollat lidhur me trajtimin dhe raportimin e rasteve të dhunës. Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk kanë realizuar kontrolle për të vlerësuar nëse shkollat zbatojnë Protokollin për Parandalimin, Trajtimin dhe Referimin e Rasteve të Dhunës. Gjithashtu, mungojnë mekanizmat efektivë, masat mbështetëse, si dhe masat disiplinore apo edukative për menaxhimin e nxënësve me sjellje asociale. Ndërsa sa i përket infrastrukturës fizike në shkolla, nga 12 shkollat e vizituara, të gjitha kishin rrethoja dhe kamera sigurie.

Megjithatë në 3 prej këtyre shkollave oborri i shkollës përdorej si transit për kalimtarë dhe komunitetin duke e bërë edhe më të vështirë menaxhimin e sigurisë së nxënësve në hapësirat e shkollës. Kamerat e sigurisë edhe pse ishin të instaluara në 12 shkollat, kemi vërejtur se nuk ishin të gjitha funksionale dhe mbulueshmëria me kamera është e ulët. Ndërsa në komunën e Ferizaj, shkolla me numrin më të lartë të rasteve të dhunës në raportet e policisë nuk posedonte kamera sigurie deri në qershor 2026”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka pasur zbrazëtira në aktet nënligjore si dhe nuk ka bërë inspektimin e sigurisë në shkolla. Kishte mungesë të harmonizimit mes akteve nën ligjore që rregullojnë trajtimin dhe raportimin e dhunës dhe dukurive tjera negative në shkolla. Kjo ka ndikuar që mos t’i jepet prioriteti i duhur kësaj çështje as në nivel lokal.

Për më tepër, Iinspektorati i arsimit asnjëherë nuk kishte bërë inspektim për sigurinë në shkolla, gjithashtu as ligji për inspektimin e arsimit nuk parasheh një inspektim të tillë.

“Gjithë kjo ka ndikuar që të mungojë llogaridhënia dhe mos të ketë siguri se shkollat trajtojnë gjitha rastet e dhunës dhe dukurive tjera negative.

Për të siguruar vendosjen dhe zbatimin e mekanizmave efektiv për parandalimin dhe trajtimin e dukurive negative në shkolla, ne kemi dhënë gjithsej 12 rekomandime”, thuhet në raport. /Telegrafi/