Policia e Kosovës ka arrestuar të hënën në Ferizaj një person të kërkuar përmes INTERPOL-it, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Policisë, arrestimi është realizuar rreth orës 21:00 nga zyrtarët e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitet e tjera policore, përfshirë zyrtarët e Stacionit Policor në Ferizaj.


I arrestuari, me inicialet N.R., është shtetas i Kosovës dhe i Maqedonisë së Veriut. Ai kërkohej nga autoritetet maqedonase për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, pasi dyshohet se i ishte shmangur drejtësisë.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, N.R. është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.