Një hendek i thellë mes numrit real të rasteve të dhunës dhe raportimit zyrtar është identifikuar në shkollat publike të Komunës së Prishtinës, sipas raportit më të fundit të auditimit të performancës nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Gjatë periudhës 2022–2025, në evidencat fizike të 13 shkollave të audituara në Prishtinë janë regjistruar 230 raste të dhunës, raporton Telegrafi.


Megjithatë, në sistemin online të Ministrisë së Arsimit (SMIA) nga këto shkolla janë raportuar vetëm 37 raste, përderisa Policia e Kosovës ka pasur të evidentuara 127 raste që lidhen me të njëjtat institucione arsimore.

Sipas anketimit të kryer me 462 nxënës në Prishtinë, 21 për qind e tyre kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitarë të posedimit të armëve brenda mjediseve të shkollës.

Po ashtu, vetëm 38 për qind e nxënësve konsiderojnë se drejtoritë e shkollave reagojnë në mënyrën e duhur kur ndodh një incident.

Në shkollën "Ismail Qemali", nxënësit kanë ngritur shqetësime për praninë e lokaleve afër oborrit ku dyshohet se shiten substanca të palejuara, ndërsa në shkollat "Meto Bajraktari" dhe "Andon Z. Çajupi" janë raportuar pasiguri në tualete dhe raste të mbajtjes së thikave.

Raporti i ZKA-së veçon si dështim institucional funksionimin e Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Prishtinë.

Në asnjërën nga tri qendrat e QPS-së në kryeqytet nuk është caktuar zyrtar i specializuar për mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa përgjatë tri viteve është mbajtur vetëm një tryezë multidisiplinare.

Komuna e Prishtinës ishte e vetmja që nuk ka dërguar komente apo letër konfirmimi ndaj gjetjeve të auditimit. /Telegrafi/