“A na jep këto çika për një natë?” – Dëshmitaret rrëfejnë si nisi konflikti që përfundoi me plagosjen e tre personave

Në Gjykatën e Prizrenit ka vazhduar të enjten, më 23.07.2026, gjykimi ndaj Elijon Hoxhajt, Erion Susurit, Arbër Hoxhajt dhe Orhan Ademajt, lidhur me rastin e tentim-vrasjes së rëndë.
Sipas aktakuzës, Elijon Hoxhaj akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë, ndërsa Erion Susuri, Arbër Hoxhaj dhe Orhan Ademaj akuzohen për – ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë në tentativë.
Në seancën e sotme para trupit gjykues dëshmuan tre dëshmitarë, të cilët dhanë versionet e tyre lidhur me rastin.
Dëshmitarja Y.Z. e pyetur nga prokurorja Ervehe Gashi tha se derisa po kthehej në shtëpi me F.P. u takuan me të akuzuarin Elijon Hoxhaj, i cili u afrua t’i përcillte për në shtëpi pasi ato njiheshin me të dhe ishin miq.
Sipas saj, pranë “ABI Çarshisë” një veturë e zezë me pesë persona iu afrua dhe njëri prej tyre u tha: “A na jep këto çika për një natë?”. Pas reagimit të Hoxhajt, të njëjtët u kthyen, dolën nga vetura dhe njëri e goditi atë me grusht në fytyrë, ndërkohë që të dyja u munduam ta qetësonim situatën.
“Elijoni i ka thanë: ‘A jeni normal çka jeni tu thanë?’”- tha Y.Z.
Dëshmitarja Y.Z. tha se më pas pesë personat i ndoqën me veturë deri në afërsi të Komunës së Prizrenit, duke i sharë, ofenduar dhe duke u bërë shenja që të ndalonin automjetin.
Gjatë pyetjeve të përfaqësuesit të të dëmtuarve, avokatit Blerim Mazreku, dëshmitarja konfirmoi se gjatë ndjekjes me veturë, Elijon Hoxhaj kishte telefonuar dikë duke kërkuar ndihmë dhe duke thënë: “A mundeni me ardhë se janë duke na ndjekur disa djem?”.
“Po e ka thirrë dikë, por nuk ka përmendur emra”- tha dëshmitarja Y.Z.
Ndërsa, në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Orhan Ademaj, avokatit Valdrin Gashi, dëshmitarja deklaroi se edhe nëse do të ballafaqohej sot me personat që i kishte parë atë natë nuk do të mund t’i identifikonte, sepse kishte qenë e emocionuar duke u munduar ta ndalonte të akuzuarin Hoxhaj.
Ndërsa dëshmitarja F.P. dha një version të ngjashëm të ngjarjes. Ajo deklaroi se sulmuesit tentuan ta godisnin Hoxhajn, ndërsa grushti kaloi pranë fytyrës së saj dhe e goditi atë. Sipas dëshmitares, personat e njëjtë më pas i ndoqën me veturë duke i kërcënuar me fjalë fyese dhe duke u kërkuar të ndalonin.
“Zhdrypni ju tregojna se kush jena na, nale kerrin, ku të njëjtit na kanë sharë e na kanë ofenduar”- tha dëshmitarja F.P.
Tutje, dëshmitari Y.Z. tha se kishte ndërhyrë rastësisht pasi pa disa persona duke tentuar ta sulmonin një djalë që ishte me dy vajza. Ai deklaroi se u kishte bërë thirrje të largoheshin dhe i kishte paralajmëruar se do të vinte Policia, me qëllim që të qetësonte situatën. Sipas tij, pas ndërhyrjes së tij, Hoxhaj dhe dy vajzat u larguan me veturën e tyre.
“Largohuni se po vjen Policia, dhe kam reagu tu u mundu që fizikisht t’i ndali këta pesë persona, të cilët ishin në drejtim të personit i cili ishte me dy femra, e i janë drejtu me fjalë fyese”- tha dëshmitari Y.Z.
Prokurorja Ervehe Gashi, avokatja e palës së dëmtuar, Raima Elezi, si dhe të akuzuarit së bashku me avokatët nuk kanë paraqitur vërejtje mbi dëshminë e dhënë.
Seanca e radhës vazhdon më 24 korrik 2026.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, më 29 dhjetor 2024, rreth orës 01:45, pas një mosmarrëveshjeje të ndodhur më herët në parkingun e Qendrës Tregtare “ABI Çarshia”, i akuzuari Elijon Hoxhaj dyshohet se ka thirrur Erion Susurin, Arbër Hoxhajn dhe Orhan Ademajn, me të cilët është takuar në afërsi të pompës së derivateve “Shell” në Prizren.
Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit me dy automjete kanë ndjekur Muharrem Elshanin, Lutfi Bislimajn dhe Albin Elshanin.
Prokuroria pretendon se pranë objektit të IPKO-s u kanë bllokuar rrugën të dëmtuarve, ndërsa Eljon Hoxhaj ka dalë nga vetura i armatosur me thikë dhe ka goditur Muharrem Elshanin në shpatullën e djathtë, Lutfi Bislimajn në pjesën lumbale të majtë dhe Albin Elshanin në këmbë dhe në parakrah, duke u shkaktuar lëndime trupore.
Për këto veprime, Eljon Hoxhaj akuzohet për veprat penale – vrasje e rëndë në tentativë dhe – mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Ndërkaq, Erion Susuri, Arbër Hoxhaj dhe Orhan Ademaj akuzohen se kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale, duke marrë pjesë në ndjekjen e të dëmtuarve, bllokimin e automjetit të tyre dhe sulmin fizik, duke krijuar, sipas Prokurorisë, kushtet që Hoxhaj të kryente sulmin me thikë ndaj tre të dëmtuarve. Ata ngarkohen me veprën penale – ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë./Kallxo.



































