LAJMI I FUNDIT:

Ndotja e ajrit me materie grimcore

Ndotja e ajrit me materie grimcore

Pesë ndotësit kryesorë të ajrit janë ozoni (O3), dyoksidi i sulfurit (SO2), monoksidi i karbonit (CO), oksidet e azotit (NOx) dhe materiet grimcore (PM 2.5 dhe PM10)

Ass. Dr. Besim Morina


Ndotësit grimcorë apo materiet grimcore zakonisht njihen si PM (që është shkurtesë për termin në gjuhën angleze Particulate matter), paraqesin grimca shumë të vogla solide apo të lëngshme të cilat rrinë pezull në ajër. Ndotja me grimca më së shpeshti vjen nga makinat, djegia e drunjve dhe qymyrit, termocentralet, rrugët e paasfaltuara, dhe industria. Gjatë djegieve të pyjeve apo stuhive të rërës ndotësit grimcorë arrijnë përqendrime shumë të larta.

Disa grimca janë të mëdha sa shihen edhe me sy të lire, por disa tjera janë aq të vogla sa mund të shihen vetëm me mikroskop. Grimcat me diametër të madh janë më pak të rrezikshme pasi ato ndalen në hundë dhe rrugët e frymëmarrjes dhe këto nuk hyjnë në kategorinë e ndotësve të ajrit të cilët rregullohen me ligj.

Materiet grimcore më të vogla se 10 mikrometër (PM10) mund të futen thellë në mushkëri dhe disa madje mund të kalojnë edhe në qarkullimin e gjakut. Prej këtyre, grimcat më të vogla se 2.5 mikrometër (PM2.5) paraqesin rrezikun më të madh për shëndetin, pasi këto shpërndahen në tërë trupin, kështuqë efektet e dëmshme të tyre nuk kufizohen vetëm në mushkëri por edhe në organet tjera si zemër, enë të gjakut, tru etj. Sa për krahasim fija e flokut të njeriut është me diametër rreth 70 mikrometra.

Ndotja e ajrit me materie grimcore shkakton një sërë efektesh në shëndetin tonë. Ekzistojnë shumë studime të cilat e ndërlidhin ndotjen me materie grimcore PM2.5 dhe PM10 me sëmundjet e mushkërive dhe të zemrës.

Ekspozimi për një kohë të shkurtë, pra nga disa orë në disa ditë, zakonisht ndikon në përkeqësimin e sëmundjeve paraekzistuese. Kështu përveç irritimit të syve, hundës dhe fytit, ekspozimi afatshkurtër ndaj ndotjes me materie grimcore mund të shkaktojë keqësimin e sëmundjeve të mushkërive si astma bronkiale apo bronkiti kronik, rritë mundësinë e sulmeve në zemër, çrregullimin e ritmit të saj, dhe si përfundim e rrit numrin e të shtruarve në spital dhe të vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe të zemrës.

Në anën tjetër ekspozimi për një kohë të gjate (me vite) mund të shkaktojë paraqitjen e sëmundjeve të zemrës dhe frymëmarrjes dhe t’a përshpejtojë shkallën e zhvillimit te tyre. Ekspozimi i gjatë ndaj ndotësve grimcorë (PM10 dhe PM2.5) ҫon në zvogëlimin e funksionit të mushkërive dhe shkurtimin e jetëgjatësisë.

Për t’i evituar këto efekte të dëmshme, duhet t’i përdorim alarmet e cilësisë së ajrit në mënyrë që të mbrohemi kur PM arrin nivele të dëmshme. Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) na tregon se sa i pastër ose i ndotur është ajri. Dhe kështu na ndihmon të kuptojmë kur të ndërmarrin veprime për të mbrojtur shëndetin tonë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori