LAJMI I FUNDIT:

Ndërtimi i AI-së me përgjegjësi, është e vetmja garë që vërtet ka rëndësi

Ndërtimi i AI-së me përgjegjësi, është e vetmja garë që vërtet ka rëndësi
Sundar Pichai (foto nga Reuters; fotomontazhi nga FT)

Nga: Sundar Pichai, drejtor ekzekutiv [CEO] i Google-it dhe Alphabet-it / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Këtë vit, AI-ja gjeneruese [inteligjenca artificiale] ka pushtuar imagjinatën e botës. Miliona njerëz tashmë po e përdorin, për ta shtuar kreativitetin dhe për ta përmirësuar prodhimtarinë. Ndërkohë – më shpejtë se kurrë më parë – bizneset e reja dhe organizatat po i sjellin në treg produktet dhe teknologjitë e fuqizuara nga AI-ja,.


Inteligjenca artificiale është teknologjia më e madhe mbi të cilën po punon sot njerëzimi; do ta prek çdo industri dhe çdo aspekt të jetës. Duke i pasur parasysh këto angazhime, sa më shumë njerëz që punojnë për ta avancuar shkencën e AI-së, aq më e mirë kjo do të jetë në aspektin e zgjerimit – kudo – të mundësive për komunitetet.

Teksa disa janë përpjekur që ta reduktojnë këtë moment vetëm në një garë konkurruese për AI-në, ne e shohim si shumë më shumë se kaq. Në Google e kemi sjell AI-në në produktet dhe në shërbimet tona për më shumë se një dekadë, dhe i kemi bërë ato të qasshme për përdoruesit tanë. Përzemërsisht kujdesemi për këtë. Megjithatë, ajo që ka edhe më shumë rëndësi është gara për ta ndërtuar AI-në me përgjegjësi dhe për t’u siguruar që ne si shoqëri do ta bëjmë atë ashtu siç duhet të jetë ajo.

Kësaj i qasemi në tri mënyra. Së pari, duke i ndjekur me këmbëngulje risitë, për ta bërë AI-në më të dobishme për të gjithë. Vazhdojmë ta përdorim AI për t’i përmirësuar ndjeshëm produktet tona – që nga kërkimi në Google dhe në Gmail e deri te Android-i dhe Maps [hartat]. Këto përparime nënkuptojnë se shoferët në të gjithë Evropën tashti mund t’i gjejnë rrugët për kursim të karburantit; dhjetëra-mijëra refugjatë ukrainas ndihmohen të komunikojnë në shtëpitë e tyre të reja; mjetet e parashikimit të përmbytjeve janë në gjendje që t’i paralajmërojnë më herët ato. Puna e Google DeepMindAlphaFold, në bashkëpunim me Laboratorin Evropian të Biologjisë Molekulare, rezultoi në njohjen novatore të mbi 200 milionë proteinave të kataloguara e të njohura për shkencën, duke hapur mundësi të reja për kujdesin shëndetësor.

Fokusi ynë është gjithashtu në aftësimin e të tjerëve, jashtë kompanisë sonë, për të inovuar me AI-në, qoftë përmes ofertave tona të të dhënave [cloud] dhe API-ve [Application Programming Interface], ose me iniciativat e reja si programi Google for Startups Growth që mbështet sipërmarrësit evropianë që ta përdorin AI-në për dobi të shëndetit dhe të mirëqenies së njerëzve. Po e nisim një fond të inovacionit social për AI-në, për t’i ndihmuar ndërmarrjet sociale për t’i zgjedhur disa nga sfidat më urgjente të Evropës.

Së dyti, sigurohemi se po e zhvillojmë dhe po e përdorim teknologjinë me përgjegjësi, duke reflektuar në angazhimin tonë të madh për ta fituar besimin e përdoruesve tanë. Kjo është arsyeja se pse i publikuam parimet e AI-së që më 2018, që janë të rrënjosura në besimin se AI-ja duhet të zhvillohet për të përfituar shoqëria nga ajo, duke shmangur ndërkohë aplikacionet e dëmshme.

Kemi shumë shembuj të zbatimit të këtyre parimeve, të tillat si ndërtimi me mbrojtje për ta kufizuar keqpërdorimin e përkthyesit tonë universal [Universal Translator]. Ky shërbim eksperimental i dublimit të videove, përmes AI-së, i ndihmon ekspertët që ta përkthejnë zërin e një folësi dhe që të përputhet me lëvizjet e buzëve të tyre. Ka potencial të jashtëzakonshëm për rritjen e aftësive të njohjes, por i dimë rreziqet që mund të paraqesë kjo në duart e akterëve të këqij, kështu që e kemi bërë të qasshme vetëm për partnerët e autorizuar. Teksa AI-ja po evoluon, po ashtu evoluon edhe qasja jonë: këtë muaj njoftuam se do t’i ofrojmë mënyrat për identifikim, se kur e kemi përdorur atë për ta gjeneruar përmbajtjen në shërbimet tona.

Së fundi, përmbushja e potencialit të AI-së nuk është diçka që një kompani mund ta bëjë si e vetme. Në vitin 2020 e shpreha pikëpamjen time se AI-ja duhet të rregullohet në mënyrën që balancon inovacionin me dëmet e mundshme. Me teknologjinë që tani gjendet në një pikë lakimi, dhe teksa këtë javë kthehem në Evropë, unë ende besoj se AI-ja është shumë e rëndësishme – për çfarë nuk duhet të ngelet e parregulluar dhe nuk duhet të rregullohet gabimisht.

Zhvillimi i kornizave të politikave që parashikojnë dëmet e mundshme dhe që hapin rrugën për përfitime, do të kërkojnë diskutime të thella mes qeverive, ekspertëve të industrisë, botuesve, akademive dhe shoqërisë civile. Ligjvënësit mund të mos kenë nevojë t’ia nisin nga e para: rregulloret ekzistuese ofrojnë korniza të dobishme për t’i menaxhuar rreziqet e mundshme të teknologjive të reja. Por, do të jetë i rëndësishëm investimi i vazhdueshëm në kërkimin dhe zhvillimin për AI-në, si dhe sigurimi i zbatimit të sigurt të AI-së, veçanërisht aty ku rregulloret janë ende në zhvillim.

Rëndësi të madhe ka rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar. ShBA-ja dhe Evropa janë aleatë dhe partnerë strategjikë. Është e rëndësishme që të dy ato të punojnë së bashku për të krijuar korniza të forta, pro inovacionit për teknologjinë në zhvillim, bazuar në vlerat dhe në qëllimet të përbashkëta. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ekspertët, me shkencëtarët socialë dhe me sipërmarrësit që i krijojnë standardet për zhvillimin e përgjegjshëm të AI-së në të dy anët e Atlantikut.

Momentalisht, AI-ja paraqet një mundësi që vjen njëherë në një gjeneratë, për një botë që do t’i arrijë caqet e veta klimatike, që të ndërtojë rritje të qëndrueshme, që do ta ruajë konkurrencën globale, dhe shumë më tepër se kaq. Megjithatë, ende jemi në ditët e para, dhe ka shumë punë përpara. Presim me padurim ta kryejmë atë punë me të tjerët dhe që së bashku ta ndërtojmë AI-në në mënyrë të sigurt dhe me përgjegjësi, në mënyrë që të gjithë të mund të përfitojnë. /Telegrafi/