LAJMI I FUNDIT:

Ndalojeni migrimin masiv – derisa ende mundemi

Ndalojeni migrimin masiv – derisa ende mundemi

Nga: David Frost / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

“E ardhmja u përket atyre që shfaqen”. Kështu thotë shkrimtari dhe komentatori Mark Steyn, një nga të paktët që paralajmëroi që herët për problemet demografike që ne të tjerët tash kemi filluar t’i diskutojmë. Por, nuk është fjala vetëm tek ai që shfaqet: jo nëse kemi fëmijë të mjaftueshëm. Fjala është edhe për vendin ku shfaqen. Për demografinë, janë të lidhura ngushtë migrimi dhe – në të vërtetë – problemet tona ekonomike.


Dr. Paul Morland, demograf, autor dhe ish-studiues i Oksfordit, si dhe ekonomisti Philip Pilkington, vitin e kaluar i parashtruan çështjet në një punim të titulluar “Migrimi, ngecja ose riprodhimi: Kuantifikimi i trilemës demografike”. Punimi tregon se në Britani, në fund të viteve 1970, ishin katër punëtorë për çdo person të varur. Tani janë vetëm tre, dhe nëse gjërat e tjera janë kështu, do të jenë dy deri në vitin 2050. Popullsia po plaket dhe normat e lindshmërisë tani janë rreth 1.5 fëmijë për grua: së tepërmi nën normën e zëvendësimit.

Argumentojnë se ka tri përgjigje të mundshme. E para është të kesh më shumë fëmijë: qasja “Izraeli”, ku mesatarisht çdo grua ka më shumë se tre fëmijë. Por, Izraeli është unik në Perëndim. Askush tjetër nuk ka gjetur një mënyrë të duhur për ta bërë këtë të mundshme, ndërsa vendet që janë përpjekur, si Franca dhe Hungaria, kanë pasur vetëm pak sukses.

E dyta është pranimi i popullsisë në tkurrje dhe në plakje: qasja “Japoni”. Problemi këtu është se tenton të rezultojë në ngecje dhe jo në dinamizëm – siç tregojnë normat e ulëta të rritjes së Japonisë.

Dhe, e treta është sjellja e një popullsie zëvendësuese për të shtuar numrat. E dimë se cili është problemi me këtë: çmimi në kohezionin social – dhe, më shumë se kaq. Megjithatë, kjo është ajo që pjesa më e madhe e Perëndimit, përfshirë Britaninë, ka zgjedhur të bëjë.

Është argument bindës dhe i rëndësishëm. Por, ndoshta jo aq i thellë sa duhet.

Në fund të fundit, imigrimi masiv nuk duket se ka ndihmuar në rritjen ekonomike. Shoqëritë tona po rriten më ngadalë se kurrë dhe, gjithsesi, rritja për kokë në Britani është akoma më e ngadalta: sipas OBR-së [Office for Budget Responsibility], ekonomia u zgjerua vetëm vitin e kaluar, por secili prej nesh – individualisht – u bë edhe më i varfër.

Në fakt, ndoshta migrimi i lartë, me kostot e tij fiskale, tendosjen e shërbimeve publike dhe ndikimin në kohezionin social, po e dëmton rritjen? Ndoshta furnizimi në thelb i pakufizuar i fuqisë së lirë punëtore dhe fleksibile, fillimisht nga Evropa dhe tani nga pjesa tjetër e botës, ka dëmtuar performancën tonë të produktivitetit?

Për më tepër, imigrimi mund të mos jetë domosdo rrugë e qëndrueshme për të dalur nga problemi. Nëse sjellim më shumë punëtorë të huaj për të ndalur zvogëlimin e numrit të vartësve për punëtorë, kjo prodhon flukse të jashtëzakonshme hyrëse. Sipas supozimeve të besueshme për lindshmërinë, kjo do të thotë se deri në vitet 2050, diçka si një e treta e popullsisë së Britanisë do të lind jashtë shtetit dhe 40-50 për qind deri në vitet 2080. (Shifra aktuale është 16 për qind.) Analiza e shpejtë e studimit të Morlandit tregon se kjo ndoshta nënkupton imigrimin e gjysmë deri në tre të katërtat e milionit për çdo vit dhe për dekada të tëra.

Kjo do të thotë transformim total demografik, për çdo komb që këtë e provon. Britania do të ishte vend krejtësisht tjetër dhe e ardhmja jonë do të ishte vërtet në duart e atyre që u shfaqën këtu. Nivelet aktuale të ndryshimit të popullsisë në të gjithë Evropën, tashmë janë më dramatiket që nga rënia e Perandorisë Romake në Perëndim. Dyfishimi ose trefishimi i tyre është sigurisht i paqëndrueshëm. Në fund, votuesit thjesht nuk do ta mbështesin këtë dhe nëse politikanët aktualë nuk do ta ndalojnë siç duhet, atëherë ata do të votojnë për ata që këtë do ta bëjnë.

Pra, është përfundimisht e pamundur mbështetja në emigracionin – për të zgjidhur problemet tona. Dhe, ne gjithashtu nuk dimë se si t’i shtyjmë njerëzit të kenë më shumë fëmijë. Ndoshta thjesht do të ndodhë në një nga këto tendencat e paparashikueshme shoqërore. Dhe, ndoshta jo.

Pra, rruga e dytë – përshtatja me situatën siç është – është e vetmja të cilën mund ta planifikojmë në mënyrë të arsyeshme. Të bësh këtë kjo kërkon dy gjëra. Së pari, pothuajse ndalim të niveleve aktuale të imigracionit për një dekadë apo më shumë dhe më pas duke i rritur ato me shumë kujdes. Kemi nevojë për një pauzë për të lejuar që kohezioni social të rindërtohet. Natyrisht, kjo nuk do të ndodhë vetvetiu: duhet të jemi shumë më të sigurt në institucionet dhe qeverisjen tonë në promovimin e besnikërisë kolektive, të historisë britanike dhe mënyrave britanike të bërjes së gjërave. Dhe, së dyti, kemi nevojë për reforma dhe derregullim për t’i kthyer njerëzit në fuqi punëtore dhe për të sjellë produktivitet dhe rritje. Nëse mund të zvogëlojmë numrin e vartësve dhe ta bëjmë çdo punëtor më produktiv, mund të shmangim problemet e rënies demografike. Edhe kjo do të kërkojë përpjekje kolektive kombëtare.

Momentalisht, duket se jemi plotësisht të papërgatitur për këtë. Ata që duan ulje dramatike të imigracionit nuk janë gjithmonë tifozët më të mëdhenj të derregullimit dhe shkurtimeve të shpenzimeve. Ata që duan të nxisin rritjen, duket se shpeshherë e shohin emigracionin si pjesë thelbësore për ta arritur këtë. Dhe, shumica e politikanëve preferojnë të shmangin deklarimin e sinqertë për këtë çështje.

Por, të mos zgjedhësh kjo në vetvete do të thotë zgjedhje. Rruga aktuale na jep më të keqen nga të gjitha botët. Le ta marrim veten, derisa ende mundemi. /Telegrafi/