LAJMI I FUNDIT:

A mund të përballet Maqedonia e Veriut me ardhjen e nacionalistëve në pushtet?

A mund të përballet Maqedonia e Veriut me ardhjen e nacionalistëve në pushtet?

Në një deklaratë të këtyre ditëve të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, para gazetarëve të mediave të huaja në Bruksel, paralajmërohet se një shtyrje e vendimit për negociatat nga Bashkimi Evropian me vendin e tij, e vë në rrezik këtë të fundit dhe mund të kthejë në pushtet forcat nacionaliste. Sipas Zaevit, ai do të ishte i gatshëm të këmbente dy çmime “Nobel” për këtë vendim të Këshillit të Evropës. Pas tri ditësh, të enjten, pritet që ai të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në një kohë që është i njohur fakti që nuk ka qëndrim të përbashkët të vendeve anëtare të BE-së për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Dilemat e Gjermanisë, Francës dhe Holandës tani janë prezente.

Nga takimi i Zaevit me Merkelin, mendojmë se nuk pritet ndonjë gjë e veçantë. Në këtë kuadër, impakti i këtij takimi do të jetë, me sa duket, te fakti që pritet tetori i ardhshëm për negociatat. Kjo do të bëjë, nga ana tjetër, që Zaev të mos i kthehet sërish dorëheqjes së premtuar dhe Maqedonia e Veriut të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në rast se deri në fund të vitit nuk hapen këto bisedime. Por zgjedhjet, të cilat aktualisht i kërkon edhe opozita, nuk e favorizojnë shtetin e sotëm maqedonas. Një situatë e tillë mendojmë se do të kishte të gjitha shanset ta çonte vendin në një krizë të re.


Rënia e qeverisë së Zaevit do t’u hapte rrugën pasojave të dëmshme. Pse e themi këtë? Se e tërë kjo është e lidhur me tkurrjen e shumicës në Parlament. Mosrealizimi i premtimit të deritanishëm të qeverisë dhe kreut të saj për hapjen e negociatave me BE-në, ka pas kësaj të gjitha shanset negative që të sjellë firo në krahun e deputetëve të Zaevit. Le të kujtojmë faktin sesi u krijua shumica në anën e kreut të ekzekutivit për kalimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese.

Tetë deputetë u shkëputën nga VMRO-ja. Në këtë situatë të re, këta të tetë e kanë më të lehtë të kthehen në origjinë, duke marrë me vete dhe ndonjë tjetër, të zhgënjyer nga premtimi i Zaevit. Në këtë mënyrë, humbja e shumicës në Kuvend u shkon për shtat kundërshtarëve aktualë të partisë në pushtet. Kjo opozitë, e përfaqësuar nga VMRO-DPMNE, e ka sulmuar vazhdimisht qeverinë e Zaevit, si të paaftë për progresin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe se caktimi i datës shihet prej saj si i pamerituar. Ndaj, edhe një deklaratë e këtyre ditëve e ish-presidentëve dhe kryeministrave të rajonit, të mbledhur në Shkup, si Klubi i Podgoricës, e sheh me rëndësi fillimin e negociatave dhe çdo shtyrje të tyre me ndikim negativ në plan të brendshëm dhe atë rajonal.

Maqedonia e Veriut ka pesëmbëdhjetë vjet që e pret atë. Tejkalimi i ngërçit prej kaq vitesh, lidhur me emrin, përmes Marrëveshjes së Prespës, i hapi dyert Maqedonisë së Veriut për integrimin e saj në BE dhe në NATO. Një fitore jo e vogël për të, por edhe për Greqinë. Komisioni Evropian, ditë më parë, rekomandoi fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë në BE. Pritet që Këshilli i Evropës, përmes përfaqësuesve të 28 vendeve anëtare të BE-së, të marrë vendimin përfundimtar në Samitin e tij të 18 qershorit, duke përcaktuar një datë për hapjen e negociatave me këto vende.

Ndërkohë, Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, e shikon Maqedoninë e Veriut si “shembull i shndritshëm për të gjitha shtetet e tjera” lidhur me marrëdhëniet me fqinjët. Sikurse kemi thënë dhe në një shkrim të mëparshëm, me titull “Negociatat përballë mundësive dhe pamundësive”, Maqedonia ka më tepër progres, përveç sa thamë më lart, në rrugën e zbatimit të reformave në fusha të ndryshme, në krahasim me Shqipërinë.

Por, premtimet e BE-së, ndaj këtyre vendeve dhe vendeve të tjera të rajonit tonë, me sa duket, kanë qenë më shumë në plan inkurajues. Dhe kjo motivohet me atë që, vetë BE-ja, me mungesën e reformave brenda vetes, nuk mund të kish një vizion të qartë për procesin e integrimit të tyre. Dhe nuk dihet sa do të vazhdojë kjo, pa folur për përmbushjen e kritereve nga vetë vendet përkatëse. Qysh vitin e kaluar u rekomandua për to hapja e bisedimeve. Por, edhe tani në qershor, nuk shihet ndonjë shpresë. Sa do të vazhdojë pritja? Vjeshta që vjen mund të jetë një nga opsionet e mundshme. Sepse sinjali për këtë u dha më herët nga grupi parlamentar i CDU-së në Gjermani, që ecte krah për krah skepticizmit të Francës dhe Holandës. Kjo është konfirmuar dhe nga kancelarja Merkel, në një nga takimet e komisionit parlamentar të Bundestagut, sipas së përditshmes gjermane “Suddentsche Zeitung”. Brukseli dhe më tej do të kërkojë vijueshmërinë e reformave; Këshillit Evropian do t’i duhen prova të tjera.

Duke iu kthyer fillimit të shkrimit, mendojmë se kjo nuk i ndihmon situatës në këto vende, stabilitetit të tyre dhe konkretisht asaj në Maqedoninë e Veriut. Është një shqetësim i justifikuar i Kryeministrit Zoran Zaev, pavarësisht edhe dozave të një presioni që mund të ketë ndaj Brukselit dhe që vështirë të bindin Gjermaninë, Francën dhe Holandën. Forcave nacionaliste në vend, përballë, sidomos premtimeve të qeverisë, të ushqyera dhe nga Brukseli, me “hiq e mos e këput”, u vjen kështu më për shtat. Opozita i kthen këto në dështime të qeverisë. Kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Miçkoski, përmes sulmeve të tij, i kujton këto ditë Zaevit, se, në vend që ai ta dërgojë Maqedoninë e Veriut në Evropë, po e largon atë çdo ditë e më shumë prej saj. Përballja e Maqedonisë së Veriut me ardhjen në pushtet të nacionalistëve, edhe pse kjo sot për sot nuk duket aq e konturuar, nuk mund të përjashtohet përsëri. Megjithatë, rruga e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të rajonit tonë në strukturat euroatlantike, duke përmbushur kriteret e nevojshme, është e vetmja alternativë për stabilitet dhe zhvillim, por dhe për t’i prerë rrugën ardhjes së nacionalistëve në pushtet.