LAJMI I FUNDIT:

Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948 (3): Shqiptarët glorifkonin jugosllavët!

Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948 (3): Shqiptarët glorifkonin jugosllavët!

Si planifikohej kthimi i kredisë jugosllave, prej 2 miliardë dollarëve? Si mendohej bashkëpunimi kulturor i Shqipërisë me Jugosllavinë? Cili ishte bashkëpunimi politik, pas luftës, në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë? Telegrafi risjell fejtonin e historianit Agim Zogaj, të bazuar në dokumente arkivore.

Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948 (1): Shqipëria e fuste veten nën varësinë ekonomike të jugosllavëve!
Lexo po ashtu Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948 (1): Shqipëria e fuste veten nën varësinë ekonomike të jugosllavëve!
Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948 (2): Koçi Xoxe e quante fat të Shqipërisë, ekzistencën e Jugosllavisë!
Lexo po ashtu Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948 (2): Koçi Xoxe e quante fat të Shqipërisë, ekzistencën e Jugosllavisë!

MARRËVESHJA MBI AVIACIONIN!


Kjo marrëveshje u nënshkrua në Tiranë, më 11 korrik 1946, prej gjeneral kolonel Enver Hoxhës, për Republikën Popullore të Shqipërisë dhe prej Stanoje Simiq për R.F.P. të Jugosllavisë. Hyri në fuqi më 6 dhjetor 1946 dhe ka vlerë për 5 vjet. Qëllimi i saj është të vendoset midis dy vendeve lundrimi i rregullt ajror civil. Edhe kjo marrëveshje është rezultat i marrëdhënieve të ngushta që po formohen ndërmjet dy vendeve vëllezër, marrëdhënie të cilat nga nevoja e vet e zhvillimit dhe forcimit të tyre i kërkojnë këto marrëveshje.

Kjo marrëveshje vlen vetëm për ajroret civile, kurse ajroret doganore dhe policore konsiderohen si ajrore ushtarake, prandaj këta nuk mund të kalojnë në hapësirën e palës tjetër ose të zbresin në tokën e saj pa një ujdi të veçantë. Secila nga të dy palët ruan sovranitetin e plotë në hapësirën e tokës së vetë dhe ujrave territoriale. Veç këtyre, caktohen edhe një seri rregullash që duhet të zbatojnë të dy qeveritë dhe ekuipazhet e ajroreve.

Prej kohës që ka hyrë në fuqi kjo marrëveshje, ka filluar shërbimi i rregullt i vijës Tiranë-Beograd, shërbim i cili po kontribuon mjaft në marrëdhëniet dhe vëllazërimin e dy popujve.

AKORDI MBI SHKËMBIMET TREGTARE!

Qeveria e R.F.P. të Jugosllavisë angazhohet të furnizojë R.P. të Shqipërisë prej 1 janarit 1947 deri më 31 dhjetor me mallra, sipas listës nr. 1a . Gjithashtu, Shqipëria angazhohet të furnizojë R.F.P. të Jugosllvisë gjatë kësaj periudhe me mallra sipas listës nr. 2 a. Çmimet e mallrave do të kenë vleftën e vendit që i nxjerr duke i shtuar transportin. Mallrat që blen shteti jugosllav për Shqipërinë do të dorëzohen me çmimin e blerjes, plus shpenzimet e transportit.

Ky akord përmban edhe 3 protokole anekse të cilat merren me zbatimin e akordit në fjalë. Kjo marrëveshje është vazhdimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve të cilat me pushtetet e tyre popullore, me bashkëpunimin e ngushtë, po ngrehin ekonominë e tyre.

Me këtë rast del edhe një herë ndihma e madhe e popujve të Jugosllavisë që jo vetëm na ndihmon me ngritjen e ekonomisë sonë me materiale që disponon vetë, po edhe me mallra që ajo nuk i ka, por i merr nga një shtet i tretë duke na i shitur me çmimin e blerjes. Aq më tepër, ajo ka karakterin e një ndihme të sinqertë, në kondita që shtrohen për larjen e saj nga ana shqiptare, duke i kthyer këto për 5 vjet në mallra që vendi ynë i prodhon. Me anë të kësaj kredie i jepet mundësia vendit tonë të ngrejë standardin e jetës dhe të ardhurat e buxhetit të tij; t’i përdorë në sektorë të tjerë për ngritjen e ekonomisë.

AKORDI PËR DERDHJEN E KAPITALEVE NË AKSIONE TË SHOQËRIVE SHQIPTARO-JUGOSLLAVE!

Duke marrë parasysh dispozitat e artikullit 2 të Konventës mbi koordinimin e planeve ekonomike, bashkëpunimin doganor dhe barazimin e monedhave, të dy qeveritë ranë në marrëveshje që kapitali i shoqërive shqiptaro-jugosllave, që përmban akordi i 27 nëntorit 1946, i cili shprehet në franga shqiptare, do të kthehet në lekë. Derdhja e kapitalit do të jetë definitive kur këto të kenë hartuar shumën korresponduese me lekë nga dy palët. Ky akord është nënshkruar në Beograd më 22 qershor 1947, për R.P. të Shqipërisë nga Nako Spiru dhe për R.F.P. të Jugosllavisë nga Boris Kidriç.

AKORDI PËR KREDINË E DY MILIARDË DINARËVE!

Të dy republikat popullore, të bazuara me marrëveshjet e mëparshme që kanë lidhje me zgjerimin dhe bashkëpunimin dhe të ndihmës reciproke për rimëkëmbjen e vendit të tyre, duke i ndjekur me besnikëri këtë rrugë të filluar, lidhën këtë akord: Qëllimi i këtij akordi është që të krijohen kondita të nevojshme për koordinimin e planeve ekonomike të vendeve aleate dhe një mbështetje materiale për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë në një nivel korrespondues. R.F.P. e Jugosllavisë jep këtë kredi për 2 miliardë dinarë për vitin 1947. Kjo kredi do t’i jepet R.P. Shqipërisë me mallra dhe punime të tjera që kanë të bëjnë me ngritjen ekonomike të saj. Akordi u nënshkrua në Beograd, më 22 qershor 1947, për R.P. të Shqipërisë nga Nako Spiro dhe për R.F.P. të Jugosllavisë nga Boris Kidriq.

Dëshira dhe ndihma e paçmuar e popujve të Jugosllavisë për të rimëkëmbur vendin tonë vazhdon e pandërprerë. Ajo rritet dhe zgjerohet nga dita në ditë. Kjo kredi e cila paraqet 56.73 për qind të të ardhurave të buxhetit tonë kombëtar e tregon fare qartë këtë ndihmë të paçmuar të popujve të Jugosllavisë. Thelbi i kësaj ndihme qëndron në faktin se kjo kredi nuk do të përdoret vetëm për mall konsumi në vendin tonë; do të vijnë motora, pjesë fabrike dhe material tjetër për ngritjen e industrisë sonë.

Të gjitha dorëzimet e mallrave që rrjedhin nga kjo kredi do të bëhen me ndërmjetësinë e “Impeks”-it. Mallrat që do t’i dorëzohen R.P. të Shqipërisë për ngritjen ekonomike të saj do t’i fakturohen “Impeks”-it, sipas çmimeve që vijojnë. Mallrat që rrjedhin nga prodhimi i zakonshëm i R.F.P. të Jugosllavisë do të jepen sipas çmimit të prodhimit që praktikohen në Jugosllavi: Mallrat që tash janë në përdorim në R.F.P. të Jugosllavisë, me çmim të tregut botëror, duke zbritur vleftën e humbjes që rrjedh nga përdorimi; mallrat që R.F.P. jugosllave i blen nga një shtet tjetër për llogari të R.P. Shqipërisë sipas çmimit të blerjes.

Protokoli në fjalë përmban gjithashtu edhe vendin e dorëzimit të këtyre mallrave në porte ose qendra qytetesh afër kufirit. Ky protokol është nënshkruar më 12 qershor 1947, për R.P. të Shqipërisë nga z. Nako Spiro dhe për R.F.P. të Jugosllavisë nga z. Boris Kidriq.

PROTOKOLLI MBI VENDOSJEN E KËSHILLIT TË ARBITRAZHIT!

Me qëllim që të vihet në zbatim akordi në lidhje me kredinë prej 2 miliard dinarë, të caktuar për ngritjen ekonomike të R.P. të Shqipërisë dhe me qëllim që të zhduken mosmarrëveshjet që mund të dalin rreth zbatimit të këtij akordi, të dy qeveritë ranë në ujdi që të krijojnë një këshill arbitrazhi. Këshilli i arbitrazhit përbëhet nga tre elementa: 1 jugosllav, 1 shqiptar dhe nga kryetari që zgjedhet me pëlqimin e të dy palëve nga një nga të dy vendet. Këshilli merr vendim të përbashkët pasi të ketë studiuar çështjen në mbështetje të konventës të koordinimit të planeve të akordit në fjalë dhe dispozitave ligjore të dy republikave. Protokoli është nënshkruar më 12 qershor 1947 në Beograd, për Republikën Popullore të Shqipërisë nga z. Nako Spiro dhe për R.F.P. të Jugosllavisë nga z. Boris Kidriq.

PROTOKOLLI NË LIDHJE ME KRIJIMIN E NJË KOMISIONI TË KOORDINIMIT!

Ky protokol është nënshkruar për një zbatim të drejtë të akordit mbi koordinimin e planeve ekonomike, bashkimit doganor dhe barazimit të monedhave, si dhe të akordit mbi themelimin e shoqërive shqiptaro-jugosllave dhe të konventës ekonomike, si dhe të konventa tjera ekonomike të përfunduara ndërmjet dy vendeve dhe për një zbatim të mirë të angazhimeve të marra në akordet e ndryshme, përfunduar ndërmjet tyre. Të dy qeveritë me anë të këtij protokoli krijojnë një komision koordinimi. Detyrat e komisionit janë: Të studiojë problemet që dalin nga marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve dhe t’u propozojë qeverive respektive masat që duhen marrë; të kontrollojë zbatimin e detyrimeve të marra nga të dy palët sipas akordeve të marrëveshjeve; të tërheqë vërejtjen e të dy qeverive mbi çrregullimet që mund të ndodhin në zbatimin e angazhimeve.

Komisioni në fjalë përbëhet nga dy përfaqësues të R. P. të Shqipërisë dhe nga dy përfaqësues të R.F.P. të Jugosllavisë. Siç del dhe nga vetë detyrat e Komisionit, ky do të japë një kontribut të madh në zbatimin sa më të mirë të angazhimeve të marra ndërmjet dy vendeve dhe do të shërbejë mjaft në koordinimin e planeve ndërmjet dy vendeve.

MARRËDHËNIET KULTURORE!

Me Luftën Nacionalçlirimtare të dy popujt tanë përmbysën regjimet antipopullore dhe bashkë me të shkatërruan nga themelet çdo gjurmë të tij. Edhe në fushën e kulturës regjimet shtypëse kishin vënë të gjitha fuqitë e tyre që të mbanin popullin e vendit të vet në injorancë, në mbrapambetje, sepse kështu do të bëhet më i lehtë sundimi i tyre, kështu që kultura në këto vende ishte e klasës së privilegjuar, e klasës që sundonte. Por, fitoret e Revolucionit popullor i ndryshuan kryekëput marrëdhëniet edhe në këtë sektor të jetës së tij, menjëherë pas luftës. Kjo u bë e masave të gjëra të populit dhe u vu në shërbim të zhvillimit të shoqërisë. Dhe, jo vetëm kaq, po në këtë sektor u bë një revolucion i madh, u përmbys kultura borgjeze e bazuar në shfrytëzimin dhe shtypjen dhe me reforma të njëpasnjëshme po vendoset kultura e re, kulturë e vërtetë revolucionare e bazuar dhe e vënë në dispozicion të zhvillimit të mëtejshëm të shoqërisë e të mirëqenies së popujve tanë.

Marrëdhëniet dhe vëllazërimi që u krijuan gjatë luftës ndërmjet popujve tanë dhe që u përforcuan dhe më shumë pas luftës nuk mund të ndahen dhe në fushën e kulturës, sepse këto janë të lidhura njëra me tjetrën dhe i kanë rrënjët në të njëjtin qëllim (që të vihet kultura në interes të zhvillimit të shoqërisë në të dy vendet, ku këto qëllime të përbashkëta filluan dhe u zhvilluan marrëdhëniet tona kulturale).

Qeveritë antipopullore në vendin tonë, si në gjithë sektoret e tjera, edhe në fushën e kulturës lanë prapambetjen në një shkallë të gjerë. Rruga që i hapi pushteti i ri i popullit tanë lyp edhe një zhvillim të gjerë kultural, sepse pa të ajo nuk mund të arrihet. Sidomos, sektori ekonomik në vendin tonë dhe në përgjithësi gjithë sektoret e tjerë lypin një kulturë të gjerë të masave, një kulturë revolucionare. Edhe në këtë populli gjeti pengesa të mëdha. Mungonin kuadrot punëtore e fshatare të specializuar të cilët do të shërbenin në ngritjen e ekonomisë, mungonte kultura e përgjithshme e masave të popullit; ajo ishte zhytur në injorancë e paragjykime nga klikët antipopullore. Me një gjendje të tillë do të ishte i pamundshëm zhvillimi i gjithanshëm i vendit tonë; do të ishte e zorshëm arritja e objektivit që caktuan të dy popujt pas luftës. Prandaj, edhe në këtë pengesë të madhe të dy popujt i dhanë dorën njëri-tjetrit, të vendosur për të zhdukur kulturën e vjetër që pengonte zhvillimin e mëtejshëm të dy vendeve dhe të vendosnin kulturën e masave, kulturën revolucionare.

KONVENTA PËR BASHKËPUNIM KULTUROR!

Edhe në këtë sektor populli ynë gjen mbështetjen e madhe në popujt e Jugosllavisë dhe ndihmën efektive të saj. Përveç qindra kuadro të specializaura jugosllave që erdhën në vendin tonë për të na ndihmuar në punën tonë ndërtuese, shkuan për specializim gjatë kësaj kohe 648 punëtorë e fshatarë të cilët të nesërmen do të bëhen kuadro drejtuese në të gjithë sektorët e jetës sonë.

Veç kësaj ndihme efektive në këtë fushë janë hartuar edhe rezultate të tjera sidomos në njohjen e vëllazërimit ndërmjet dy vendeve. U krijuan menjëherë pas çlirimit shoqëritë për bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve. Këto shoqëri me aktivitetin e tyre kanë bërë që popujt tanë ta njohin më mirë njëri-tjetrin, të njohin luftën e tyre, të kaluarën dhe punën ndërtuese. Me iniciativën e tyre janë mbajtur me qindra konferenca me një karakter të tillë, janë shkëmbyer grupe teatrale, folkloristike, të cilat kanë kontribuar në njohjen e artit ndërmjet dy vendeve; janë hapur kurse për mësimin e gjuhës serbokroate në vendin tonë dhe për këtë qëllim kanë ardhur me dhjeta profesorë gjuhe. Gjithë ky aktivitet prej shoqërive në të dy vendet hudhën një kontribut të mirë në njohjen dhe vëllazërimin sa më të ngushtë midis dy popujve.

Për formimin e vëllazërimit midis dy vendeve kanë kontribuar shumë dhe vizitat ndërmjet organizatave të ndryshme, sidomos organizatat e rinisë dhe të sindikatave, me anë të delegacioneve të vazhdueshme, kampeve të verimit për fëmijët, vizitat e sulmuesve tanë në Jugosllavi. Brigadat e punës së rinisë në Kukës e hekurudhë etj. e kanë forcuar edhe më shumë vëllazërimin ndërmjet dy vendeve dhe kanë ndihmuar në shkëmbimin e eksperiencës në çdo drejtim të aktivitetit të tyre.

Të dy qeveritë, të frymëzuara nga dëshira për të zhvilluar lidhjet ndërmjet tyre në një shkallë edhe më të gjerë, në konformitet me artikullin 5 të traktatit të miqësisë dhe ndihmës reciproke, lidhën një konventë mbi bashkëpunimin kultural, e cila ka për qëllim të zhvillojë bashkëpunimin miqësor në lëmin e shkencës të shkollave, të arteve, të kulturës, të arsimit dhe të kulturës fizike.

Të dy palët angazhohen t’ju sigurojnë shkollave të larta dhe instituteve të tjera arsimore mundësitë për të zhvilluar në to aktivitete që ka për qëllim të njohë vendin tjetër. Të dy palët do të organizojnë një koordinim pune në të gjitha fushat e kulturës. Për t’u njohur më mirë të dy vendet midis tyre në Konventë parashikohet që të dy palët janë të lira të ngrehin në palën tjetër ekspozita, biblioteka, salla leximi etj.

Palët kontraktuese do të organizojnë një bashkëpunim të përgjithshëm të punës në fushën kulturale me qëllim që të përhapin kulturën në masa të gjëra të popujve për njohjen reciproke të dy vendeve. Për këtë qëllim krijohet një komision me 12 anëtarë, të ndarë në dy nënkomisione, njëri me qendër në Beograd dhe tjetri në Tiranë. Ky komision ka për qëllim të vërë në zbatim këtë konventë. Konventa në fjalë ka fuqi së paku 5 vjet. Kjo marrëveshje është nënshkruar në Tiranë më 9 korrik 1947, për palën shqiptare nga z. Manol Konomi dhe për palën jugosllave nga z. Marja Stilinoviq.

MARRËDHËNIET NË FUSHËN POLITIKE!

Që në ditët e para të rezistencës popujt e Jugosllavisë e shikonin me admirim luftën tonë. Ata flisnin për të dhe për zhvillimin e saj njësoj si flisnin për luftën dhe sukseset e tyre. Kjo simpati i kishte rrënjët e thella në qëllimet e përbashkëta që ndiqnin të dy popujt në këtë luftë për çlirimin e tyre në vendosjen e pushtetit popullor. Mbi këto qëllime u çimentos vëllazërimi gjatë luftës së përbashkët dhe me fitoren mbi fashizmin këto u realizuan. Mbi këto baza dhe qëllime vazhduan dhe po vazhdojnë marrëdhëniet tona edhe pas luftës, për t’i mbrojtur këto fitore të popujve tanë. Simpatinë dhe dashurinë që e tregoi populli jugosllav për popullin tonë gjatë luftës po e tregon dhe pas saj. Jugosllavia ishte i pari shtet që e njohi zyrtarisht qeverinë tonë më 1 maj 1945. Sa e sa herë burrat e shtetit jugosllav kanë folur për luftën tonë dhe për gjendjen e tashme; vetë Mareshali Tito ka shprehur simpatinë dhe dashurinë për popullin tonë. Por, ndihma e Jugosllavisë në fushën politike bëhet edhe më e madhe në arenën ndërkombëtare. Siç dihet, Shqipërisë pas luftës së madhe që bëri dhe kontributit të saj që dha në shkatërrimin e fashizmit nuk iu dha vendi që meritonte në fushën ndërkombëtare për të vetmen arsye se Shiqpëria nuk iu nënshtrua shfrytëzimit imperialist, por i mbrojti me vendosmëri dhe pa frikë fitoret e luftës, qëndroi besnike e kampit demokratik për konsolidimin e paqes. Kërkesa e drejtë e popullit tanë për të qenë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka gjetur përkrahjen e plotë me popujt e Jugosllavisë, të cilët kërkojnë me vendosmëri të drejtat tona.

Më 14 janar 1946, me rastin e çështjes së Asamblesë së Përgjithshme, gjen. kol. Enver Hoxha, me anën e një telegrami, më 16 janar 1946, i drejtoi një kërkesë presidentit të Komisionit përgatitor të Kombeve të Bashkuara për të pranuar Shqipërinë në OKB. Më 25.I.1946, kryetari i Këshilli të Sigurimit, Makin, njoftohet mbi kërkesën e Shqipërisë, së bashku me një rekomandim të delegacionit jugosllav, të kryesuar nga Eduard Kardeli, e cila përkrahte pranimin e Shqipërisë. Me gjithë kundërshtimet e delegatëve amerikanë dhe anglezë, u vendos që kjo çështje të vihej në rendin e ditës. Kur po diskutohej ky problem, imperialistët angloamerikanë kishin kurdisur me anë të veglave të tyre mënyra që të ndalonin pjesëmarrjen e Shqipërisë. Kështu, zëvendësministri i Jashtëm grek, Rendis, me anë të një letre i kërkon Këshillit që kjo çështje të shtyhet pasi Greqia ka disa çështje të pazgjidhura me Shqipërinë. Më në fund, pasi u vu në votë, u aprovua që të shtyhet për t’u studiuar më vonë.

Më 10 gusht po të këtij viti, përfaqësuesi i Jugosllavisë në UN, Pavlo Lukin, i dorëzoi zv. sekretarit të përgjithshëm, A. Sobolev, një memorandum mbi të drejtat e R.P. Shqiptare për t’u pranuar në OKB. Në memorandum përshkruheshin të drejtat e popullit shqiptar, lufta e tij kundër fashizmit etj. Në saj të këtij kontributi të dhënë për kauzën e përbashkët, memorandumi rekomandonte që Shqipëria e meriton plotësisht një vend në OKB.

Delegacioni jugosllav edhe në mbledhjen e dytë të Asamblesë së Përgjithshme, kur po shtohej prapë çështja e pranimit të 5 shteteve të reja, në mes të cilave edhe Shqipëria, mbron me këmbëngulje të drejtat tona, duke demaskuar qëllimet provokuese të delegacionit grek dhe duke e quajtur mospranimin e Shqipërisë në OKB si një dhunim të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Mbrojtja e të drejtave të Shqipërisë nga Jugosllavia shikohet edhe më shumë në Konferencën e Parisit. Aty delegacioni jugosllav u ngrit me të gjitha fuqitë e tij kundër padrejtësive që i bëheshin popullit tonë, dhe demaskoi hapur manevrat dhe qëllimet e imperialistëve dhe shërbëtorëve të tyre grekë. /Telegrafi/

– Vijon –

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Politikë
Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Siguri
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori