LAJMI I FUNDIT:

Marrëdhënia e veçantë me hebrenjtë e poliglotit dibran, Riza Teufiku

Marrëdhënia e veçantë me hebrenjtë e poliglotit dibran, Riza Teufiku

 “Le Journal de Salonique”, me 1 shtator 1908, në faqen e tretë ka botuar një shkrim për raportet e veçantë me hebrenjtë të filozofit dibran, Riza Teufik Beu (1869-1949). Shkrimi është si më poshtë.

“E njoftuam mbërritjen, me Xhavit Beun, të doktor Riza Beut me nofkën Filozof Rizai. Ky emër ishte i mjaftueshëm për të provokuar kureshtjen tonë dhe dëshirën për të parë sot këtë specie të rrallë të njeriut filozof, dy terma që kundërshtohen (përjashtohen) reciprokisht.


Fati na vendosi në praninë e filozofit Riza, të dielën e kaluar. Ishte në bordin e anijes që na çoi të takonim studentët e drejtësisë. Në harkun e ndërtesës, një grup njerëzish po bisedonin të lumtur. Dhe, në mesin e të gjithëve, një burrë në moshë mesatare, serioz, tha gjërat më gazmore, edhe më të thella, pa iu dredhur qerpiku.

– Vë bast që ju jeni doktor Riza Beu, i thashë, duke iu afruar ndërsa i gjithë grupi kishte nxituar për në port për të parë Marmarën dhe u gjend i vetëm në shoqërinë e qetësisë të tij të dukshme.

– Dhe unë vë bast që nuk ju kam parë kurrë.

– Jam gazetar.

– Atëherë, unë e kuptoj dëshirën tuaj për të vënë bast. Gazetarët kanë akoma një numër bastesh për të bërë. Uluni.

Biseduam rreth një gjysmë ore, por një gjysmë ore të këndshme, sepse doktor Rizai nuk është vetëm mendjemprehtë, por gjithashtu ka një kulturë shumë të larmishme, një depërtim të thellë që i vjen nga njohuritë e tij të përsosura të disa gjuhëve.

Dhe, a e dini cila është gjuha e parë e mësuar nga doktor Rizai? Unë po ua them troç, po ua plas në ballë. Idioma e parë, përveç turqishtes dhe shqipes, është Yéga, në të cilën filozofi ynë u bë i njohur … judeo-spanjishtja.

Mos qeshni, nuk po ju them një shaka. Riza Beu flet dhe shkruan judeo-spanjishten dhe madje hebraishten të cilës nuk i humbet asnjë intonacion, as nuancën më të vogël. Dhe, ajo që është më e jashtëzakonshme për këtë poliglot është se ai flet secilën prej gjuhëve që njeh me një pastërti (qartësi) të jashtëzakonshme. Duket sikur është marrë me to tërë jetën e tij.

Preferenca e Riza Beut shkon për judeo-spanjishten, te shokëve të tij të vjetër të shkollës që tani janë zhdukur. Ai flet me butësi të pafund për kujtimet e tij, për kohën që lanë tek ai një gjurmë të pashlyeshme. Pra, kemi të drejtë kur themi se kujtimet e fëmijërisë janë më të qëndrueshmet.

Për njohuritë e tij për judeo-spanjishten, filozofi Riza na tregoi një anekdotë të lezetshme :

– U njoha një ditë me Z. David Fresco, drejtor i gazetës El Tiempo. Folëm për judaizmin. I fola atij për të gjithë rabinët që kisha njohur, për sistemin e gabuar të mësimit hebraisht, për mënyrat e vjetra për të mësuar për tokë pa stola dhe karrige dhe për të marrë udhëzime dhe goditje me shkop që ndonjëherë ishin më të shumtë se vargjet e Biblës. Për një orë kohë u bëmë, z. Fresco dhe unë, një palë miqsh të shkëlqyeshëm.

‘Ora për anijen u afrua dhe shoku që më prezantoi më tha: Riza, është e ëmbël të bisedosh, por është e vështirë të humbasësh anijen.

– Pse ju thërrasin Riza, pyeti z. Fresco ?

– Sepse ky është emri im ?

– Pse zgjodhët këtë emër të çuditshëm ?

– Sepse kështu dëshiroi babai im.

– Çfarë mize e pickoi babanë tuaj? Si quhej ai vetë ?

– Ai quhej Mehmet efendiu.

– Ah! Edhe kjo, po talleni me mua apo jeni një familje fantazishtës.

– As njëra, as tjetra. Ne jemi një familje shqiptare.

– Shqiptarë apo të krisur.

– Jo zotëri. E kuptoj habinë tuaj. Ju kujtoni se jam një bashkëfetar. Unë jam një mysliman … që njeh judeo-spanjishten, e i cili bëri arsimin e tij të parë në një shkollë izraelite, nga e cila mban kujtimet më të mira dhe që i do shumë shokët e tij hebrenj.

E gjitha kjo u tha menjëherë. Unë u largova, duke e lënë z. Fresco të shtangur; dhe ndoshta akoma vazhdon të mbetet i tillë pasi pa një mysliman i cili flet judeo-spanjishten dhe kujton faljet (urdhërimet) biblike më me besnikëri sesa një izraelit praktikues’.

– Unë e kuptoj shtangien e tij, i them, dhe nuk mund ta besoni timen.

Ne biseduam për diçka tjetër dhe pasi intervista duhej të ruante një ton origjinal deri në fund, dhe të përfundonte me një fund absolutisht të paparashikuar, ramë dakord që doktor Rizai … të jepte një konferencë të shtunën e ardhshme në judeo-spanjisht. Ah, sikur të gjendej një izraelit që mund të jepte një konferencë në shqip; me këtë rast do të thërrisnim të gjithë delegacionin e Dibrës. Sidoqoftë, do të ketë një folës (orator), kolegu ynë Nissim efendi Rousso, i cili do të flasë në turqisht dhe një i tretë në frëngjisht. Max Yvel”. /Darsiani/

Në trend Kultura

Më shumë
PERËNDITË

PERËNDITË

Poezi
POETI

POETI

Poezi
Për herë të parë në gjuhën shqipe, vepra

Për herë të parë në gjuhën shqipe, vepra "Kapitalizmi, socializmi dhe demokracia"

Kulture
Romët

Romët

Kulture
ATDHEU

ATDHEU

Poezi
BABAI, BIRI

BABAI, BIRI

Poezi
Kalo në kategori