LAJMI I FUNDIT:

Për herë të parë në gjuhën shqipe, vepra “Kapitalizmi, socializmi dhe demokracia”

Për herë të parë në gjuhën shqipe, vepra “Kapitalizmi, socializmi dhe demokracia”

Një ndër 10 librat më të mirë në historinë e ekonomisë dhe të shkencës politike, “Kapitalizmi, socializmi dhe demokracia” e ekonomistit të famshëm Joseph A. Schumpeter, u botua në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Alphabet J&H”. Vepra është përkthyer nga Blerina Braho.

“A mund të mbijetojë kapitalizmi? Jo. Nuk mendoj se mundet. Por. ky mendim i imi, si ai i çdo ekonomisti tjetër që është shprehur mbi këtë temë, është në vetvete plotësisht jointeresant. Ajo që ka rëndësi në çdo përpjekje për prognozë sociale nuk është po-ja ose jo-ja që përmbledh faktet dhe argumentet që çojnë në të, por vetë ato fakte dhe argumente”.


“Çdo socialist dëshiron të revolucionarizojë shoqërinë nga këndvështrimi ekonomik dhe të gjitha bekimet që ai pret do të vijnë përmes një ndryshimi në institucionet ekonomike. Kjo sigurisht nënkupton një teori rreth shkakësisë sociale – teorinë se modeli ekonomik është elementi me të vërtetë operativ në shumën totale të fenomeneve që ne i quajmë shoqëri”.

“Dhe, ne përcaktojmë: metodë demokratike është ai rregullim institucional për arritjen e vendimeve politike, në të cilat individët fitojnë fuqinë për të vendosur me anë të një lufte konkurruese për votën e popullit”.

Janë këto disa nga mendimet e shprehura në libër, të kundërshtuesit të nazizmit dhe marksizmit për të cilin besonte se do të kalonin në diktaturë.

“Kapitalizmi, socializmi dhe demokracia” është botuar për herë të parë në ShBA më 1942, kohë kjo kur autori ligjëronte në Universitetin e Harvardit. Vepra është ribotuar, në gjuhë të ndryshme të botës, dhe është një prej veprave më të cituara. Vepra po ashtu nxit debate, sidomos me parashikimin e autorit se socializmi do ta zëvendësojë kapitalizmin.

“Problemi qendror me kapitalizmin, megjithatë, nuk ishte ekonomik, por kulturor: ai do të prodhonte një klasë të privilegjuar njerëzish që do të refuzonin burimet e pasurisë së tyre dhe do të kërkonin rend socialist. Me këtë kishte të drejtë për shumë vjet, meqë intelektualët dhe artistët në Perëndim luftuan kundër sistemit që e bënte të mundur këtë diskurs. Gjërat nisën të duken ndryshe pas revolucioneve të Reaganit dhe Thatcherit në vitet 1980 dhe pas kolapsit të mëpasshëm të komunizmit. Por, libri i Schumpeterit përmban atë që është ndoshta përkufizimi më realist, megjithëse minimalist, i demokracisë si garë mes elitave për besnikërinë e njerëzve”, ka thënë Francis Fukuyama për këtë vepër.

Redaktorë të këtij botimi që vjen për herë të parë në shqip, janë Kristë Shtufi dhe But Dedaj.