LAJMI I FUNDIT:

Lëvizja e guximshme e grave britanike, për të drejtën e votës

Lëvizja e guximshme e grave britanike, për të drejtën e votës
Sufrazhetet duke marshuar në Londër, në vitin 1912 (foto: Hulton Deutsch/Corbis via Getty Images)

Nga: Lindsay Baker / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Lilian Lenton e dinte – që herët në jetën e saj – se si ndihej për pabarazinë. Si fëmijë ishte “shumë e mërzitur për dallimet midis përparësive që kishin burrat dhe djemtë dhe asaj që kishin vajzat”, ka thënë ajo për BBC në vitin 1955. “Të gjithë e donin djalin … dhe, kjo më acaroi, jashtëzakonisht shumë. Më pas, kur dikush u rrit duke parë dallimet në mundësitë që kishin burrat, epo sigurisht që kjo e rriti atë ndjesi”, i tha ajo intervistuesit.


Ajo lindi në Lestër vitin 1891, si më e madhja nga pesë fëmijët; babai i saj ishte marangoz dhe nëna e saj shtëpiake. Pasi u trajnua si balerinë, si e re mori pjesë në një takim të hapur të Unionit Social dhe Politik të Grave (WSPU), ku folësja shpjegoi se “të çmendurit, kriminelët, të varfrit dhe gratë nuk mund të votojnë”. U bashkua menjëherë, thotë ajo, dhe shpejt do të merrte pjesë në “paradat e posterëve” nëpër Londër.

Në mars të vitit 1912, ajo dhe anëtaret e tjera të armatosura me çekanë, morën pjesë në një fushatë të thyerjes së dritareve në Londër – dhe u burgos për dy muaj. Në korrik 1912, pas arrestimit të lideres së grupit, sufrazhetet iu kthyen zjarrvënies. Lenton dhe Olive Wharry kryen një sërë të sulmeve me zjarr dhe u arrestuan. Sulmet e tilla fillimisht ishin të rrezikshme për aktivistet, megjithëse ishin të kujdesshme që të mos e rrezikonin publikun.

Në burg, ajo, së bashku me shumë kolege të saj protestuese, e nisi një grevë urie. I tha BBC-së se e kishte bërë grevën “për t’u liruar, me arsyetimin se nuk kishin të drejtë të burgosnin gratë për shkelje të ligjeve të krijuara nga burrat”.

Ishte e zakonshme ushqyerja me forcë e sufrazheteve – gjatë grevës së urisë

S’kaloi shumë kohë dhe gratë u penguan dhe ushqeheshin me forcë me urdhër të autoriteteve të burgut – një procedurë brutale dhe çnjerëzore. Në intervistë, Lentoni tingëllon e përhumbur nga kujtimi. “Procesi i ushqyerjes me forcë ishte vërtet shumë i pakëndshëm”, thotë ajo. “Nuk më pëlqen të flas për këto gjëra … Nuk ua kam thënë kurrë njerëzve”.

Megjithatë, vazhdonte të përshkruante në detaje procesin barbar i cili – në rastin e saj – e çoi në sëmundjen e rrezikshme me pleurit dhe pneumoni të dyfishtë, të shkaktuara nga grimcat e ushqimit që hynë në mushkëri.

Pamje nga arrestimet a sufrazheteve

Kur u sëmur rëndë, u lirua nga burgu, por rasti shkaktoi zemërim në publikun e gjerë. Ministria e Brendshme mohoi që Lentoni ishte ushqyer me forcë, duke pretenduar se sëmundja e saj ishte shkaktuar nga greva e urisë – një pretendim që u hodh poshtë nga dokumentet zyrtare që regjistronin ushqyerjen e saj me forcë. Zemërimi publik u intensifikua kur një kirurg i shquar i shkroi Times-it duke shprehur shqetësimet e veta etike.

Disa muaj më vonë, përsëri u arrestua për një sulm me zjarr që u krye në Donkaster bashkë me gazetarin lokal 18-vjeçar, Harry Johnson. Në të njëjtin vit, në Parlament u miratua akti i cili u bë i njohur si Akti i Maceve dhe Miut, sipas të cilit çdo grua e burgosur që ishte në grevë urie, duhej liruar kur sëmuret dhe më pas të riarrestohet pasi të jetë shëruar. Lentoni u arrestua disa herë dhe disa herë u lirua për shkak të efekteve të këqija të grevës së urisë.

Kur doli nga burgu, Lentoni “u duk si person normal” dhe “përpiqej t’u shpëtonte detektivëve”, tha ajo për BBC-në. “Sa herë që isha jashtë burgut, qëllimi im ishte të digjja dy ndërtesa në javë. Qëllimi ishte krijimi i gjendjes absolutisht të pamundur në vend, për të dëshmuar se ishte e pamundur të qeverisësh pa pëlqimin e të qeverisurve.”

Më vonë ajo mori një medalje për trimëri nga WSPU-ja.

Në vitin 1914, me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, WSPU-ja pezulloi fushatën militante dhe u përqendrua në përpjekjet e luftës. Gjatë luftës gratë morën punët që tradicionalisht kryenin burrat, duke dëshmuar se mund t’i bënin po aq mirë, duke ndihmuar kështu që të heshtet çdo argument kundër të drejtave të grave për të votuar.

Një pankartë gazete që deklaronte rishfaqjen e Lilian Lentonit e cila kërkohej nga policia

Pas përfundimit të luftës në vitin 1918, u miratua Akti i Përfaqësimit të Popullit, duke e lejuar votën për gratë që plotësonin disa kritere pronësie, ose gratë e martuara, apo ato mbi 30 vjeçe. Lentonit nuk i bëri përshtypje. Tha: “Personalisht nuk votova për një kohë shumë të gjatë, sepse nuk kisha as burrë, as mobile, megjithëse isha mbi 30 vjeçe”. Vetëm në vitin 1928 u arritën të drejtat e barabarta për votim.

Taktika e sufrazheteve ishte të kërkonin – jo të luten – për të drejtat. “Vepra jo fjalë”, ishte motoja e WSPU-së, e krijuar në vitin 1903. Themeluesja Emmeline Pankhurst, e cila kishte qenë anëtare e një grupi të sufrazhisteve të Mançesterit, kishte vendosur se, për të siguruar të drejtën e votës, ishte koha për veprim të drejtpërdrejtë nga gratë e klasës punëtore.

Politikanët u dëshpëruan nga shtrirja e protestave në atë kohë dhe kjo “u konsiderua si vërtet e pakëndshme”, ka thënë më 2018, për BBC-në, autorja Elizabeth Crawford. Gjithçka ndryshoi më 1905, kur Christabel Pankhurst dhe Annie Kenney u akuzuan për obstruksion meqë ndërprenë mbledhjen e Partisë Liberale. Dy gratë zgjodhën të shkonin në burg, në vend që të paguanin gjobën, dhe ky veprim u bë frymëzim për grupin.

“Ideja e militantizmit u rrit me kalimin e viteve”, ka thënë Crawford. “Kjo nuk u miratua kurrë haptazi nga kreu, por nuk i dënuan ato. Pak a shumë thanë, ‘bëjeni atë që duhet bërë’”.

Edhe pse e dominuar nga gra të arsimuara dhe të klasës së mesme, lëvizja e grave sufrazhete përfshinte gjithashtu gratë me më pak pasuri. Në Procesionin e Madh të vitit 1910, në demonstratën e madhe në Londër të organizuar nga WSPU-ja, gazeta Votes for Women shënoi se “ka pasur gjithashtu punëtore të djersitura me rroba të varfra dhe qepëset të cilat çdo ditë luftojnë me urinë”. Përpjekjet për të mbledhur mbështetje për procesionin, paraprakisht u bënë në takimet me punëtoret e lavanderisë në veri të Londrës, si dhe duke kërkuar gratë në “fabrikat dhe lavanderitë” të Londrës jugore.

Sufrazhetja nga Mançesteri, Elizabeth Dean, gjithashtu u intervistua nga BBC-ja në vitin 1978. Ajo e bëri të qartë se jo të gjitha koleget e saj aktiviste ishin me arsim të lartë dhe as të pasura. Për të dhe të tjerat, fitimi i së drejtës për të votuar ishte pjesë e qëllimit më të gjerë për të shmangur të qenit thjesht “makineri për të lindur fëmijë”, si nëna e saj – e cila vdiq në fund të të ‘30-ave, pasi kishte tetë fëmijë. “Jo të gjitha gratë në lëvizjen sufrazhiste luftonin për diploma”, ka thënë ajo. “Nuk e kishim shansin për të marrë diplomën, se ishim gra që punonim dhe secila prej nesh kishte mendimet e veta private për atë që donte, atë që mendonte se ishte e drejtë dhe për atë që mendonte se ia vlente të luftojmë”. /Telegrafi/