LAJMI I FUNDIT:

Letra (e padërguar) e Françesk Radit për Adriano Celentanon

Letra (e padërguar) e Françesk Radit për Adriano Celentanon

Një letër që s’u dërgua kurrë, ka nisur të zverdhet nga vitet. Në rreshtat e saj ka ndjenjë, emocion. dashuri ndaj një artisti për artistin. Është e shkruar për këngëtarin e madh italian Adriano Celentanon nga një “Adriano Celentano” shqiptar që rrëmbeu zemrat e publikut në vitet 1970 të shekullit të kaluar.

Është Tefta Radi, bashkëshortja e këngëtarit tashmë të ndjerë, që ruan me kujdes këtë letër.


“Të takonte Celentanon apo të fliste me të, ka qenë gjithmonë një ëndërr për Françeskun”, rrëfehet ajo. “Këtë letër e ruaj si një nga emocionet e tij të çmuara. E ka shkruar me nxitim, por edhe shkrimin ai vetë e ka pasur pak të çrregullt. Pasi e mendoi se çfarë do t’i shkruante, është matur shumë herë që t’ia niste Celentanos pasi ta përkthente dhe në italisht”.

Në vitet ’70, Celentano nuk kishte pushtuar vetëm zemrën kantautorit të shquar Françesk Radi, por të të gjithë shqiptarëve që me shumë sakrifica do ta ndiqnin duke penetruar ilegalisht në valët televizive të shtetit fqinj, të ndaluara nga diktatura. Ata përdornin mjete teknologjike “shtëpiake”, si kanaçe të bëra antena apo objekte të tjera metalike, dhe dëgjonin muzikë italiane me këngëtarët si: Adriano Celentano, Fabrico De Andre, Georgo Gaber, Mina etj. Këngët e tyre i këndonin me zë të ulët në ambiente të fshehta, mes miqve më të ngushtë.

Pavarësisht motivit për të cilën e shkroi letrën dhe dëshirës që ta takonte qoftë edhe njëherë të vetme Celentanon, Radi nuk guxoi kurrë që t’ia dërgonte drejt Italisë.

“Celentano ka mijëra fansa, i dërgojnë qindra letra, dedikime. Pse ta shqetësoj”, pati thënë ai.

Përmbajtja e letrës është si më poshtë:

“I dashur Adriano!

Asnjëherë nuk ka qenë e lehtë të flasësh për ty, sepse madhështia juaj nuk ka kufi, nuk ka moshë, por vetëm pafundësi. Ti për ne shqiptarët ke qenë dhe mbetesh figura më demokrate e kohës. Ishe Ti, shpirti yt, që me këngët  e tua ushqente dhe vuloste në shpirtrat tanë, atë që quhet të qenët i lirë. Ne e dinim që muzika jote ishte një mollë e ndaluar për ne në atë kohë, por ky fenomen nuk na shqetësonte. Ne ishim gati edhe të sakrifikoheshim, vetëm e vetëm që të mbanim gjallë shpirtin, mos ta linim atë të vdiste.

Në qoftë se u përmbys regjimi totalitar, një meritë të madhe kishit edhe Ju Adriano, sepse ishte kënga dhe zëri yt që shqiptarët të shpërthenin zinxhirët e diktaturës antishpirtërore. Ata e dinin se muzika ishte shumë e rrezikshme për ta dhe donin ta prangosnin atë. Por fatkeqësisht nuk e dinin se tingujt nuk mbahen dot në pranga. Me dhjetëra herë na kanë dërguar në polici, sepse këndonim këngët e tua nëpër parqe, lulishte, plazhe, mbrëmje rinore. Ishe Ti Adriano që më dhe frymëzimin e parë për të kënduar dhe kompozuar. Sa herë ulesha për të krijuar, përpara meje shfaqej imazhi yt dhe kjo ma bënte më të sigurt dhe të garantuar suksesin tim. Më vjen keq që nuk e kam patur mundësinë të takohem me ty Adriano, me gjithë përpjekjet e mia të çiltra. Por siç duket ka qenë më e lehtë të këndoj këngët e tua të bukura dhe të vështira, se sa të takohem me ju”. /Shqiptarja/