LAJMI I FUNDIT:

Kush është në realitet “Çlirimtari” i serialit “Fc Latta”?

Kush është në realitet “Çlirimtari” i serialit “Fc Latta”?

Për më shumë se një vit seriali “FC Latta” solli të qeshura të shumta e momente argëtuese nga më të ndryshmet për publikun.

E padyshim këtë më të veçantë e bëri Faton Gabrrica, në rolin e ‘Çlirimtarit’, me një dinamikë krejtësisht tjetër me paraqitjen dhe shprehjet e tij.


Aktori nga Kaçaniku në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka rrëfyer se kush në të vërtetë është ‘Çlirimtari’ dhe se sa ka ndryshuar jeta e tij për të mirë.

‘Çlirimtari’ i serialit FC Latta (Foto: Telegrafi)

22-vjeçari tutje ndau shumë gjëra për serialin, jetën e përditshme e gjithashtu edhe për planet e së ardhmes.

“Në FC Latta kam hyrë në prill të vitit të kaluar. Kam rënë në kontakt me Ard Islamin. Me Ard Islamin jemi takuar edhe në seriale të tjera, kam luajtur edhe në filma të tjerë derisa ia ka nisur FC Lata. Seriali ka nisur në muajin janar dhe unë jam bërë pjesë në prill, do të thotë një muaj e diçka përafërsisht dy dhe tani jemi vetëm në FC Lata”, ka thënë Gabrrica për Telegrafin.

Ai thotë se nuk është se ka kryer ndonjë shkollë të aktrimit, por që me profesionin është marrë që moti.

“Profesion nuk mund ta quaj, sikur hobi më shumë sepse unë nuk e kam të kryer shkollën e aktrimit, vetëm Ardi ma ka caktuar këtë rol dhe jam përshtatur shumë mirë në rol dhe vazhdoj të luaj në FC Lata”, u shpreh më tej ‘Çlirimtari’.

‘Çlirimtari’ i serialit FC Latta (Foto: Telegrafi)

Ndonëse e kemi parë në një rol interesant e me shprehje të ndryshme, Fatoni shton se është krejtësisht tjetër në jetën e përditshme.

“Fatoni jashtë serialit është krejtësisht ndryshe. Në serial e luaj një tip pak më nervoz, i maltretoj lojtarët dhe iu them gjithçka, e luaj paksa ‘budallën’ të themi. Kështu në jetën reale jam shumë më i qetë, më i afërt me njerëzit, jam shumë i dashur me njerëzit. Në serial është krejtësisht e kundërta”, tha ai.

E në atë se ku qëndron veçantia e Kaçanikut që përmendet thuajse në çdo episod të serialit, Gabrrica tregon se ka të bëjë me vendlindjen e tij.

“Veçantia e Kaçanikut në këtë serial është se unë vij nga Kaçaniku, vendlindja ime është Kaçaniku dhe në skenar kanë shkruar për Kaçanikun pasi dëshirojnë të bëjnë shaka se nuk njihet për aktorë që ka shumë, përveç meje, për atë bëjmë pak shaka edhe pak është i mirë Kaçaniku e kështu”, thotë më tej aktori.

‘Çlirimtari’ i serialit FC Latta (Foto: Telegrafi)

Siç edhe tani dihet, skenari ka theksuar se shkruhet në bazë të një të vërtete në Kosovë, por vetëm në një anë komike.

“Skenari shkruhet në bazë të një vërtete në Kosovë që është, vetëm e rikthejmë në komedi. Gjithë ajo çka flitet në Kosovë është aktuale në klubet e Kosovës, do të thotë ke gjëra mos të them 100 për qind por 60, 70 për qind të vërteta vetëm i kthejmë në ngjarje komike, edhe përse nuk është mirë që të ndodhin këto gjëra. Klubet e Kosovës duhet të ecin përpara, futbolli por kjo është e vërteta që ne vetëm e pasqyrojmë një të vërtetë jo të mirë të klubeve të Kosovës vetëm në komedi”.

‘Çlirimtari’ i serialit FC Latta (Foto: Telegrafi)

Për ata që nuk kanë njohuri, Fatoni mes tjerash tregoi se është i martuar që një vit e gjysmë.

“Çlirimtari ose Fatoni është në një lidhje, është i martuar tani e një vit e gjysmë dhe nuk po di të tregoj diçka më shumë për jetën private”, vazhdoi ai.

Për fund, edhe ‘Çlirimtari’ nuk mungoi me një mesazh për bashkëmoshatarët e tij, duke thënë se duhet t’i ndjekin ëndrrat e tyre dhe të punojnë sa më shumë.

“Mesazhi im për të rinjtë, unë njoh plot që dëshirojnë të hyjnë në aktrim ose që ta kryejnë shkollën e aktrimit, e kanë pasion, ëndërr, shumica kanë talent, por nuk iu është dhënë mundësia, unë iu them punoni, dilni kryeni shkollën se janë kreativ dhe dinë të bëjnë diçka shumë të mirë. Mos u ndalni, ndiqni ëndrrat dhe zemrën tuaj dhe gjithçka bëhet mirë, arrihet”, përfundon ‘Çlirimtari’ për Telegrafin. /Telegrafi/