LAJMI I FUNDIT:

Kosovës nuk i duhet patriotizmi folklorik

Kosovës nuk i duhet patriotizmi folklorik

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ishte këto ditë për një vizitë zyrtare në Athinë. Vizita fokusonte mundësitë për zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve në fusha shumë të rëndësishme. Por, ajo çka ka tërhequr vëmendjen nga kjo vizitë është një intervistë që kryediplomatja e Kosovës i ka dhënë gazetës greke “To Vima”. Sipas saj, Kosova “nuk i lutet Greqisë për ta njohur atë”, pasi ajo “është njohur nga shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”. Është ky një lapsus apo ashtu, sikundër e jep dhe media kosovare dhe disa media të huaja?

Nga ana tjetër, po sipas shtypit grek, cituar dhe nga mediat në Prishtinë, shprehet bindja se vendimi i duhur i Greqisë për Kosovën, si një shtet i rëndësishëm, do të ishte kontribut historik për një stabilitet në rajon dhe jo vetëm. Çka dashur të thotë zonja Gërvalla, nëse është kështu, përderisa nuk është përgënjeshtruar me “nuk po lusim Greqinë për njohje”, të cilën shtypi grek nxiton ta bëjë titull të intervistës së saj? Misioni i kryediplomates është për afrimin më tepër të dy vendeve apo për distancim të tyre? As për të qenë fodull e për t’i fërkuar krahët një patriotizmi folklorik që shfaqet jo rrallë te ne, sidomos në politikanë të ndryshëm dhe ithtarë të tyre.


Kosova, si një shtet i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë, ka nevojë për Greqinë, për njohjen prej saj dhe të katër anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë dhe Qipros, të cilat nuk e kanë njohur atë, duke mos iu bashkuar grupit të shteteve të tjera, anëtare të BE-së. Sigurisht, një mbarëvajtje e dialogut Prishtinë-Beograd mendojmë se do ta inkurajonte këtë njohje nga ana e tyre.

Greqia është një aktor real tepër i rëndësishëm për rajonin e Ballkanit në veçanti, por edhe më tej. Ajo është një vend me jetëgjatësi të njohur në NATO dhe në BE. Greqia ka gjithashtu përvojë të pasur diplomatike për të ndihmuar që rajoni ynë t’i bashkohet familjes evropiane, duke dëshmuar kështu rolin e saj aktiv në konsolidimin e këtyre vendeve.

Në një nga takimet e dy kryesuesve të qeverive në Prishtinë dhe në Athinë, Kurti dhe Mitsotakis, ky i fundit i ka rikonfirmuar homologut të tij politikën e qeverisë greke për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në rrugën e perspektivës evropiane të rajonit tonë në tërësi. Gjatë kësaj kohe, ky konstruktivitet i Athinës ka rënë më tepër në sy, sikundër pohon dhe kreu i ekzekutivit të Kosovës. Pavarësisht që kjo, siç vihet re, mund t’i shërbejë dhe një ridimensionimi të rolit të Greqisë në rajon. Por, ajo do të kërkonte normalisht njohjen e Kosovës dhe për rrjedhojë, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, si me të gjitha shtetet ballkanike, larg çdo vakumi. Ndryshe, ky rol apo aspiratë do të ngrihej mbi mure të lëkundura. Mbështetja që po i jep Greqia liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës apo qëndrimet e qarta, pa ekuivokë, për anëtarësimin e shtetit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare nuk mund të mbeten jashtë vëmendjes.

Është e vërtetë që Greqia ka aktualisht Zyrën e vet të Ndërlidhjes në Prishtinë, sikurse e ka dhe Kosova në Athinë. Praktika e marrëdhënieve midis vendeve e njeh këtë, por kjo nuk mund të zgjasë me vite. Interesi i të dyja palëve duhet të sfumojë çdo pengesë që frenon në këtë drejtim, interes që ka gjithë përkrahjen e SHBA-së dhe shteteve më të fuqishme të BE-së.

Nisma e ditëve të fundit e Odës Ekonomike të Athinës për nxitjen e njohjes së Kosovës nga shteti i saj, i shërben këtij qëllimi, rrit bashkëpunimin në fushën ekonomike, krijon një klimë afrimi për investuesit etj. Dhe, Kosova, sidomos në fushën ekonomike, ka çfarë t’i ofrojë Greqisë.

Njohja e shtetit të pavarur të Kosovës nga Greqia nuk mund të mos jetë tregues i qartë i ecurisë së marrëdhënieve të saj me Shqipërinë, e cila, siç dihet, e ka obligim kushtetues çështjen kombëtare, duke i bërë këto marrëdhënie edhe më të shëndetshme, me një frymëmarrje më të gjerë, larg atavizmave të djeshme. Duke iu kthyer fillimit të shkrimit, e tërë kjo klimë nuk mund të durojë një gjuhë të drunjtë diplomatike, sikurse përmendëm dhe më lart për palën kosovare, aq më keq kur ajo përzihet dhe me arrogancë, larg etikës së njohur, por dhe mos kontinuitetit në qëndrime. Për të qenë më të hapur me njëri-tjetrin.