LAJMI I FUNDIT:

Kombinati Trepça pret milionat e premtuara për rimëkëmbje

Kombinati Trepça pret milionat e premtuara për rimëkëmbje
Foto: Arkiv

Pa investime milionëshe, kombinati metalurgjik Trepça në Kosovë, nuk mund të rimëkëmbet dhe vështirë se do të mund të funksionojë tutje, thonë udhëheqës të kësaj ndërmarrjeje.

Planet për kombinatin metalurgjik Trepça për vitin 2020 janë të shumta, thonë drejtuesit e ndërmarrjes, por që asnjëra nga to nuk mund të realizohet nëse Qeveria e Kosovës, si aksionare e këtij kombinati, nuk i bën investimet e duhura.


Drejtori menaxhues në Trepçë, Basri Ibrahimi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë vitit 2019 janë bërë përpjekje të mëdha për të vënë në funksion më të madh këtë ndërmarrje, por, sipas tij, problemet janë të mëdha dhe të grumbulluara ndër vite.

“Trepça sot ballafaqohet me shumë probleme, duke filluar nga punëtorët e vjetër që vetëm deri në vitin 2022 duhet të pensionohen rreth 250 veta, që do të thotë se ata janë 63-vjeçarë dhe kontributi i tyre në minierë është në pikëpyetje të madhe, pasi që duhet të ketë një forcë fizike. Kur e kemi parasysh edhe teknologjinë e vjetërsuar, kjo e vështirëson edhe më shumë situatën”, thotë Ibrahimi.

Syla: Trepça u regjistrua me të gjitha njësitë dhe asetet sipas ligjit dhe statutit
Lexo po ashtu Syla: Trepça u regjistrua me të gjitha njësitë dhe asetet sipas ligjit dhe statutit

Trepça llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e 80-ta, aty punonin mbi 20 mijë punëtorë. Ndërkaq, vitet e fundit, ajo e kaloi fazën e mbijetesës dhe aktualisht nuk numëron më shumë se 1 mijë e 300 punëtorë dhe mosha mesatare e tyre është 58 vjeç.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit, kurse sot, nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.

Ibrahimi thotë se gjatë vitit 2019, prodhimi është rritur për 20 për qind, por nuk është arritur ajo që kishin synuar si ndërmarrje.

Për vitin 2020 objektivat, thotë ai, janë të shumta, por që duhen investime ose nga Qeveria e Kosovës ose nga burime tjera financiare.

“Domosdoshmërish duhet të nxirret Ligji për pensionimin e parakohshëm të minatorëve, pasi që nuk kemi mundësi ta rifreskojmë fuqinë punëtore. Të investohet në teknologji, në minierën e Stantërgut në veçanti me të cilën ne do të kemi mundësi të prodhojmë më shumë. Të investohet në flotacion edhe në atë të Stantërgut edhe atë të Kishnicës dhe synimi ynë është ta aktivizojmë minierën në Hajvali”, thotë Ibrahimi.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se viti 2019-ta do të jetë vit kur do të fillohet me zhvillimin dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes Trepça.

Lluka: Përfshirja e kapitalit privat i domosdoshëm për zhvillimin e Trepçës (Video)
Lexo po ashtu Lluka: Përfshirja e kapitalit privat i domosdoshëm për zhvillimin e Trepçës (Video)

Por, përveç miratimit të statutit të Trepçës si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve i bën të qeverisë dhe 20 për qind punëtorëve, kjo ndërmarrje nuk arriti të vihen në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të zgjidhë problemet më të cilat përballet ndërmarrja.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se patën paralajmëruar se vetëm ndryshimi i statusit nga një ndërmarrje shoqërore në një ndërmarrje publike nuk do të ndihmon vetvetiu në rivitalizmin e Trepçës.

“Ne patëm propozuar që të krijohen mundësi për investime nga sektorin privat, në rend të parë investime të huaja në ndërmarrjen Trepça si e vetmja mundësi që ne e kemi parë për futjen e kapitalit të ri në Trepçë dhe ajo që është më e rëndësishmja futja e teknologjisë dhe njohurive të reja që janë të nevojshme për ndërmarrje të tilla”, thotë Zeka.

Partia Vetëvendosje e cila ka dalë fituese e zgjedhjeve parlamentarë të 6 tetorit ka paraparë një model të ri të qeverisjes së kësaj ndërmarrjeje.

Ringritjen dhe avancimin teknologjik të Trepçës e kanë paraparë në tre faza, që sipas tyre, kalojnë nëpërmjet riparimit të mjeteve ekzistuese, futjes së teknologjisë së re në flotacion dhe xehetari, dhe zhvillimin e metalurgjive e kimisë.

Po ashtu është ka paraparë ta shtohet prodhimi dhe kualifikimi i punëtorëve.

Gjatë vitit 2019, ndërmarrja Trepça u përballën me probleme financiare dhe si rrjedhojë, minatorët nuk i morën pagat me rregull.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, njëherësh anëtar i bordit mbikëqyrës në këtë ndërmarrje, në deklarimet e tij për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare dhe se në këtë ndërmarrje është bërë menaxhim jo i duhur.

Minatorët e kombinatit 'Trepça' ndërpresin grevën
Lexo po ashtu Minatorët e kombinatit 'Trepça' ndërpresin grevën

Sadiku prodhimin aktual në Trepçë e kishte vlerësuar të ulët dhe atë vetëm deri në 10 mijë tonë xehe në muaj me të cilët sipas tij, nuk arrihet të mbulohen pagat e rreth 1 mijë e 300 minatorëve të kombinatit.

“Trepça ka nevojë për një menaxhim të mirë, për shkak të keqmenaxhimit, korrupsionit dhe nepotizmit Trepça ka ardhur në këtë gjendje ku nuk po arrihet të sigurohen as pagat e minatorëve. Ka vonesa në pagesën e pagave. Me këtë prodhim nuk arrihen të mbulohen as shpenzimet dhe pagat e minatorëve”, pati thënë Sadiku.

Gjatë vitit 2019 në Qeverinë e Ramush Haradinaj ishte përfolur privatizimi i pjesshëm i kombinatit metalurgjik Trepça, si forma më e mirë e rimëkëmbjes së kësaj ndërmarrjeje.

Por, një ide e tillë ishte kundërshtuar nga përfaqësuesit e punëtorëve, të cilët njëherësh janë edhe aksionarë në këtë ndërmarrje.

Kosova ka 180 prona në republikat e ish-Jugosllavisë, vlera e tyre është rreth 800 milionë euro
Lexo po ashtu Kosova ka 180 prona në republikat e ish-Jugosllavisë, vlera e tyre është rreth 800 milionë euro

Profesori universitar në fushën e ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se në ekonominë e tregut nuk ekzistojnë mekanizma që qeveria duhet t’i mbajë gjallë ndërmarrjet, prandaj sipas tij, në disa segmente mund të futet kapitali privat.

“Të gjitha kompanitë në një shtet duhet t’i nënshtrohen transformimit, respektivisht privatizimit. Për të ardhur akterët e privatizimit në Trepçë, është një punë e vështirë. Kosova duhet të bëhet një shtet miqësor për investime, duhet të fuqizohet shteti ligjor, duhet ditur kush për momentin mund të qeverisë këto proces ndërkombëtar. Shpëtimi nuk mund të vjen nga shteti. Shteti duhet të sigurojë legjislacionin, shteti duhet të sigurojë shtetin ligjor, duhet të sigurohet barazia e gjithë akterëve në treg, duhet të rritet transparenca dhe brenda kësaj platforme mund të vijnë investitorët në Trepçë”, ka deklaruar Sadiku.

Kombinati metalurgjik Trepça, gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Përveç aseteve në Kosovë, dhjetëra prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera. Trepça ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. /REL/Telegrafi/