LAJMI I FUNDIT:

Kerkezi premton “revolucion” në teatër

Kerkezi premton “revolucion” në teatër

Ka katër ditë që provat për shfaqjen “Gjashtë persona ndjekin autorin”, nën regjinë e Orhan Kerkezit, shfaqje kjo që do të jetë premiera e radhës në Teatrin Kombëtar të Kosovës, janë duke u zhvilluar deri në kujdesin e detajeve më të vogla të saj. Regjisori thotë se po kujdeset duke punuar deri në perfeksion me secilin aktor, me secilën lëvizje, me secilën lojë.

“Loja me 24 aktorë ka qenë shumë e vështirë të arrihet deri këtu ku jam sot. Për mua më lehtë do të ishte t’i bëja pesë filma se këtë shfaqje, nëse e krahasoj me filmat e mi, për këtë periudhë sa kam punuar në këtë shfaqje”, ka thënë Kerkezi, derisa ka thënë se janë duke ushtruar 14 orë në ditë.

Kur flet për shfaqjen e tij, Orhan Kerkezi e krahason me komunikacion.


“Kur ka shumë komunikacion, ka edhe aksidente. Mosrespektimi i trafikut ekziston edhe tek njerëzit të cilët janë të angazhuar në shfaqje”, është shprehur ai, derisa ka thënë se është shfaqje e vështirë të realizohet. “Shfaqja është shumë e rëndë, ka peshë shumë të madhe të rëndësisë, të lojës, të dramaturgjisë dhe adaptimit për Teatrin Kombëtar.

“Largimi i 30 përqindëshit ka qenë për mua një periudhë goxha e rëndë, por dramaturgjikisht është bërë operacion shumë i mirë, sikur operacioni i zemrës, nuk vërehet, është prapë Pirandello”, ka thënë Kerkezi për “Zërin”, teksa ka shtuar se duhet të kalohen disa faza të çmendurisë, derisa të arrihet te çmenduria e Pirandellos.

Ai ka thënë se vështirësitë me të cilat janë përballur kanë qenë të shumta, ndërsa ndarja e buxhetit ende nuk është bërë për këtë shfaqje.

“Menaxhmenti merret me buxhetin, e vetmja detyrë e imja është të bëj shfaqjen sa më mirë. Ashtu siç kam premtuar: të rikthej shikuesit në teatër. Kjo është e vetmja detyrë e imja”, ka thënë Kerkezi, duke shtuar se pret që Ministria t’i lëshojë mjetet që të kompletohet skenografia dhe kostumografia.

Nga ndarja e buxhetit varet kostumografia, për të cilën Orhan Kerkezi ka angazhuar Flutura Dedinjën, dhe skenografia, të cilën do ta realizojë Faton Asimja.

“Besoj që është njëra nga skenografitë më origjinale që ka ekzistuar nëpër teatro te ne dhe në rajon me siguri. Skena është funksionale, ka lojë brenda skenografisë, lidhet me rolet. Flutura Dedinjën e kam marrë si disenjatore, sepse më është dashur për shkak të sensit të modernitetit”, ka thënë Kerkezi, derisa ka premtuar një shfaqje krejt ndryshe nga shfaqjet që kam parë deri më tani.

“Emocionalisht jam shumë bosh. Nuk e di, nuk kam më ushqim, brenda jam i zbrazët deri në fund, por besoj që kjo zbrazëtia ime të shpërblehet kur publiku do ta shikojë shfaqjen”, është shprehur Kerkezi, derisa ka thënë se në TKK do të ndodhë diçka e re.

“Ajo çfarë më bën të lumtur është se një shpikje e re për teatrot botërorë, që do të ndodhë në Teatrin Kombëtar gjatë shfaqjes “Gjashtë persona…”, diçka që nuk është parë deri më tani. Ajo është ushqim për publikun”, ka treguar regjisori, duke shtuar se në botë kurrë nuk ka ndodhur diçka e tillë dhe, sipas tij, është dashur të ndodhte moti.

“Kam pasur shumë vështirësi në realizimin e shfaqjes. Besoj që çdo artist e kalon krejt këtë kur e ndjen që aktorët e tij duartrokiten shumë dhe unë e pres me shumë dashuri”, ka thënë Kerkezi. /Zeri/