LAJMI I FUNDIT:

Intervistë/Florian Bieber: Vuçiq nuk do zgjidhje të qëndrueshme me Kosovën, preferon konflikt të hapur

Intervistë/Florian Bieber: Vuçiq nuk do zgjidhje të qëndrueshme me Kosovën, preferon konflikt të hapur

Florian Bieber, politolog dhe profesor i Universitetit të Grazit, ekspert për Ballkanin, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk është i interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme me Kosovën, pasi preferon konflikt të hapur.

Në një intervistë për Telegrafin, Bieber thotë se duhet të ketë një qeveri të re në Serbi pa Vuçiqin në krye, dhe një nxitje e fortë ndërkombëtare në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare.


Eksperti austriak thekson se Serbia është bërë më armiqësore ndaj Kosovës dhe Perëndimit që kur Vuçiq erdhi në pushtet dhe mediat e tij po propagandojnë çdo ditë lajme anti-perëndimore dhe anti-kosovare.

Duke parë aktualitetin politik, profesori universitar shton se do të duhej që marrëveshjet e arritura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të nënshkruheshin zyrtarisht dhe të bëheshin dokumente detyruese publike.

I pyetur nëse Kosova rrezikohet nga një sulm i ngjashëm më atë të Banjskës, Bieber tha se mund të ndodhë që të ketë kërcënime të serbëve në kufi, por edhe incidente më të mëdhaja duke testuar në një mënyrë të caktuar vendosmërinë e NATO-s për të mbrojtur Kosovën.

Politologu Bieber shton se një bashkëpunim më i madh ndërmjet NATO-s dhe Kosovës mund të sjellë më shumë stabilitet dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Por është shumë e rëndësishme të kihet parasysh se ombrella kryesore e sigurisë për Kosovën është KFOR-i e cila, natyrisht, është shumë pjesë e pranisë së sigurisë së NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë në veçanti”, u shpreh ai.

Sa i përket zgjedhjeve në SHBA, Bieber thotë se në rast se Donald Trump fiton, “duhet të shqetësohemi nëse garancitë e sigurisë të NATO-s do të funksionojnë ende në aspektin e angazhimit të SHBA-së. Dhe kjo, natyrisht, ngre shqetësime serioze, jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet e tjera, anëtare të NATO-s”.

Intervista e plotë

Telegrafi: Cilat janë sfidat kryesore që duhet të tejkalojnë Kosova dhe Serbia për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, dhe si mund të ndihmojnë aktorët ndërkombëtarë në këtë proces?

Bieber: Unë do të thosha se sfidat kryesore janë para së gjithash, mungesa e stimujve për të dyja, por në veçanti për Serbinë. Në përgjithësi, ka më shumë stimuj për Serbinë për të ruajtur status quo-në, pasi supozimi deri më tani ka qenë se anëtarësimi në BE, mjafton për Serbinë, por kjo vështirë se është një motivim për qeverinë aktuale. Dhe së dyti, besoj se qeveria serbe realisht nuk është e interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme, sepse presidenti aktual preferon konfliktin e hapur. Dhe pastaj kjo më sjell në sfidën më të madhe, ndoshta është se si të zhvendoset opinioni publik në Serbi për të qenë më pranues i ekzistencës së Kosovës si shtet. Dhe kjo është diçka që natyrisht kërkon jo vetëm ndërhyrje të jashtme, por edhe ndryshim në politikën e brendshme. Dhe dyshoj se kjo është e mundur me qeverinë aktuale të Aleksandar Vuçiqit. Pasi të ketë një qeveri të re, dhe angazhim më të fortë ndërkombëtarë, një rrugë më e besueshme në BE dhe të gjitha përfitimet do të ishin të dobishme.

Telegrafi: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesën që marrëveshjet e dakorduara me Serbinë të nënshkruhen dhe që Kosovës t’i hiqen masat e vëna nga Bashkimi Evropian, pse asnjëra nuk po ndodh aktualisht?

Bieber: Pajtohem plotësisht se do të ishte me vend që marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të nënshkruhen zyrtarisht dhe të bëhen dokumente detyruese, dokumente publike, pasi deri me tani  Bashkimi Evropian ka treguar njëlloj qasje jo të mirë, të paqartë. Gjithashtu është e nevojshme që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen, veçanërisht duke pasur parasysh çështjet e shumta të muajve të fundit që vijnë nga Serbia, përfshirë incidentin e Banjskës. Kështu që unë mendoj se nga ky këndvështrim, duket e përshtatshme që BE-ja të heqë çdo masë të vendosur ndaj Kosovës. Ndërsa thuhet kjo, mendoj se problemi qëndron kur qeverisë shpeshherë i mungon aftësia dhe vullneti për të komunikuar vendimet me Bashkimin Evropian dhe kështu e përkeqëson situatën për të mbajtur masat dhe gjithashtu për të zhgënjyer partnerët e saj në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Telegrafi:  Vuçiq ka deklaruar se nëse do t’i vendoste sanksione ndaj Rusisë dhe të njohë pavarësinë e Kosovën, ai do të ishte kandidat për çmimin Nobel. A po i bie që Vuçiq ka njëfarë roli jo konstruktiv, pasi ndoshta për shkak edhe të nacionalizmit të tepruar nuk është i interesuar për marrëveshje përfundimtare?

Bieber: Epo, Vuçiq sigurisht që nuk është i interesuar për zgjidhjen e situatës dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Dhe mendoj se kjo është pjesërisht për shkak të atmosferës nacionaliste që ai vetë e bëri në Serbi. Është mjaft e rëndësishme të merret parasysh se qëndrimi në Serbi është bërë më armiqësor ndaj Kosovës dhe Perëndimit që kur Vuçiq erdhi në pushtet dhe mediat e tij po propagandojnë çdo ditë lajme antiperëndimore dhe anti-kosovare. Ai sigurisht nuk dëshiron të ketë një zgjidhje për shkak të pozicionit të tij, por edhe sepse nuk i shërben ndryshe. Atij nuk do t’i shërbente arritja e një zgjidhjeje apo marrëveshjes përfundimtare me Kosovën. Dhe për më tepër, i ndihmon për ta mbajtur atë të hapur dhe për të bërë lëshime graduale, pasi i jep atij më shumë përfitime sepse e lejon ta përdorë për t’i mbajtur bashkëpunimet më të ngushta me Bashkimin Evropian.

Telegrafi: A i bie kjo që nuk do të ketë një proces normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë në një të ardhme të afërt?

Bieber: Nuk besoj se ka shumë progres që procesi i normalizimit të përfundojë saktësisht sepse nuk ka asnjë nxitje në Serbi, me Vuçiqin President, për të cilin kam dyshime në politikat e tij. Dhe, pavarësisht nga parregullsitë zgjedhore në Serbi ai duket se është i vendosur, dhe kështu e bën shumë të vështirë të imagjinohet ndonjë përparim nga ai. Mendoj se i vetmi skenar në të cilin mund të imagjinoja një përparim është nëse do të ketë një ndryshim të qeverisë në Serbi, ose nëse masa e votuesve të Vuçiqit, ndryshon nga pakënaqësia e brendshme, saqë ai mund të përpiqet të bëjë një marrëveshje me Kosovën për të marrë mbështetjen perëndimore, e për të qëndruar në pushtet. Kjo do të ishte sigurisht zgjidhja e tij e fundit, sepse ai do të preferonte të ishte që të përdorte ende këtë lloj loje ndërkombëtare të ndryshimit të aleancave që po luan.

Telegrafi:  Aktualisht kemi një situatë kur është rritur presioni i zyrtarëve amerikanë e evropianë në drejtim të Qeverisë së Kosovës për ta shtyrë vendimin për dinarin serb në Kosovë, si e shihni këtë proces?

Bieber: Presioni për shtyrjen e vendimit për dinarin, mendoj, nuk është plotësisht i arsyeshëm. Dua të them, bazohet në logjikën e mos përpjekjes për të përshkallëzuar tensionet. Dhe mendoj, përsëri, kemi një situatë ku Kurti jo gjithmonë i koordinon hapat e tij sa duhet me BE-në dhe SHBA-në. Dhe kjo krijon njëfarë befasie dhe gjithashtu skepticizëm nga partnerët e tij. Por në një farë mënyre, duket se për momentin shqetësimi perëndimor është më shumë me mos provokimin e Vuçiqit sesa me trajtimin ose pranimin e vendimeve që përndryshe mund të justifikohen.

Telegrafi: Si e vlerësoni gjendjen aktuale të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe cilat janë kërcënimet kryesore për stabilitetin e këtij rajoni?

Bieber: Në shkallë më të gjerë, në rajon, sigurisht që ka shqetësime të vazhdueshme për sigurinë në Kosovë. Ekziston gjithashtu lloji i paqëndrueshmërisë politike që kemi parë në Bosnje, e cila është përkeqësuar. Unë mendoj se nuk po flasim për një rrezik sigurie atje, por sigurisht për diçka që po përkeqësohet më tej dhe mund të ketë një implikim sigurie në një moment. Dhe pastaj  ne kemi një qeveri serbe e cila është bërë gjithnjë e më shumë nën presion për shkak të rezultateve të zgjedhjeve dhe mendoj se një qeveri e cila është nën presion dhe e cila ka frikë se mund të humbasë mbështetjen popullore, është në rrezik të përdorë ndikimin e saj brenda vendit të saj dhe vendet fqinje për të krijuar telashe.

Kështu që unë mendoj se ne po jetojmë potencialisht në një mjedis që është më i rrezikshëm, veçanërisht nëse ka një ndryshim në mjedisin global të sigurisë ndërkombëtare. Dhe këtu po mendoj për pasojat pas zgjedhjeve në SHBA në nëntor, të cilat mund të kenë ndikime shumë negative për Ballkanin Perëndimor. Kështu për shembull, kur u shfaqën protesta pas parregullsive zgjedhore në dhjetor, Vuçiq pranoi menjëherë targat në një mënyrë për ta hequr qafe Bashkimit Evropian për çështjet e brendshme. Pra, ai nuk ka asnjë arsye për ta zgjidhur plotësisht problemin me Kosovën, sepse Vuçiq nuk do të marrë një çmim Nobel për këtë. Dhe, ju e dini, pasi ai të zgjidhë çështjen me Kosovën, atëherë do të ketë më shumë vëmendje për çështje të tjera si abuzimi në familje me sistemin politik.

Telegrafi: A rrezikohet Kosova nga një sulm tjetër “Banjska” në veri?  Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se prapa sulmit fshihet direkt presidenti, Aleksandar Vuçiq. Sipas Osmanit këtë informatë ia kanë dhënë aleatët ndërkombëtarë…

Bieber: Tani sa i përket incidentit në Banjskë, është shumë e qartë se ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, saktësisht. Dhe duket shumë e mundshme që plani nuk ishte planifikuar mirë, pasi diçka shkoi keq.Nuk ka dyshim se pas incidentit kemi një person të afërt me kasapin i cili është përfshirë në sulm, Milan Radoiçiq. Dhe hapur ai grup gjuajti me armë, duke vepruar në mënyrë të paligjshme sipas të gjitha standardeve. Andaj duhet të kishte fillimisht një hetimit më të madh se kush ishin me të vertetë ata që kryen atë akt, dhe një dënim për përgjegjësit. Pra, duhet të ketë një qëndrim të qartë ndërkombëtar për këtë çështje. Ne kemi parë incidente më të shpeshta dhe më të rënda në veri të Kosovës gjatë vitit apo një viti e gjysmë se sa në 10 vitet e kaluara. Pra, duket se mund të pritet që ne të shohim një vazhdimësi të kësaj, duke përfshirë kërcënimet serbe në kufi, duke testuar në një mënyrë të caktuar vendosmërinë e NATO-s për të mbrojtur Kosovën. Vuçiq heshti shumicën e ditës pas incidentit te armatosur. Pra kjo tregon se këto incidente mund të ndodhin kur aksionet e nivelit të lartë me grupet ushtarake, grupet paraushtarake, dalin jashtë kontrollit.

Telegrafi: Institucionet e Kosovës kanë shtuar përpjekjet që t’iu bashkohen strukturave të aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, NATO, duke nisur nga Partneriteti për Paqe. A do të krijonte kjo stabilitet më të qëndrueshëm nëse Kosova do të bëhej pjesë e kësaj?

Bieber: Në përgjithësi, sigurisht që bashkëpunimi më i madh ndërmjet NATO-s dhe Kosovës mund të sjellë më shumë stabilitet dhe siguri. Por është shumë e rëndësishme të kihet parasysh se ombrella kryesore e sigurisë për Kosovën është KFOR-i, i cili është pjesë e pranisë së sigurisë së NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë në veçanti. Dhe fatkeqësisht, çdo garanci më e fortë e sigurisë në kuadrin e anëtarësimit në NATO është shumë e vështirë për shkak të mungesës së njohjes nga katër shtete anëtare të NATO-s. Megjithatë, unë do të thosha se do të ishte e pakuptimtë që NATO  të mos jepte një garanci ekuivalente për Kosovën përmes pranisë së saj me KFOR-in. Sepse përsëri, nëse NATO përmes KFOR-it nuk është e besueshme në Kosovë, si mund të jetë e besueshme diku tjetër?

Telegrafi: A do të ndryshonte kjo qasje e SHBA-së, nëse Donald Trump do të rizgjidhej president?

Sigurisht, testi kyç do të vijë në nëntor kur të zhvillohen zgjedhjet amerikane. Dhe në rast se Donald Trump fiton, duhet të shqetësohemi nëse garancitë e sigurisë të NATO-s do të funksionojnë ende në aspektin e angazhimit të SHBA-së. Dhe kjo, natyrisht, ngre shqetësime serioze, jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet e tjera, anëtare të NATO-s. Pra, kjo është me të vërtetë sfida kryesore. Dhe atje, mendoj se Kosova do të ishte e këshilluar mirë për të ndjekur një strategji sigurie e cila nuk mbështetet vetëm në Shtetet e Bashkuara, por gjithashtu siguron që të ketë një angazhim shumë të fortë të sigurisë nga shtetet kyçe të BE-së përmes NATO-s.

Në trend Lajme

Më shumë
Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Drejtësi
Stano për strukturat paralele: BE në Kosovë mbështet një strukturë të vetme institucionale sipas kornizës së saj ligjore

Stano për strukturat paralele: BE në Kosovë mbështet një strukturë të vetme institucionale sipas kornizës së saj ligjore

Lajme
Arrestohet i riu nga Klina, dyshohet se abuzoi seksualisht me një fëmijë - videon e publikoi në

Arrestohet i riu nga Klina, dyshohet se abuzoi seksualisht me një fëmijë - videon e publikoi në "TikTok"

Kronika e Zezë
Prokuroria Speciale e fton në intervistë zëvendësministrin e Mjedisit, Hysen Durmishin

Prokuroria Speciale e fton në intervistë zëvendësministrin e Mjedisit, Hysen Durmishin

Lajme
Flet e dhunuara gjatë lųftës në Kosovë: Nuk kam familje dhe askush nga të afërmit nuk di për rastin tim

Flet e dhunuara gjatë lųftës në Kosovë: Nuk kam familje dhe askush nga të afërmit nuk di për rastin tim

Lajme
Haradinaj-Stublla: As NATO e BE nuk do të ishin fitore për Kosovën, nëse çmimi është defunksionalizimi i saj i brendshëm përmes Asociacionit

Haradinaj-Stublla: As NATO e BE nuk do të ishin fitore për Kosovën, nëse çmimi është defunksionalizimi i saj i brendshëm përmes Asociacionit

Lajme
Kalo në kategori