LAJMI I FUNDIT:

Hasani e Janjiq: Nuk ka Asociacion pa dekret të Qeverisë së Kosovës

Hasani e Janjiq: Nuk ka Asociacion pa dekret të Qeverisë së Kosovës

Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të krijohet pa një dekret të Qeverisë së Kosovës, vlerësojnë Enver Hasani, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës dhe Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 qershor, ka deklaruar se serbët në Kosovë do të marrin “vendime aktive” në periudhën e ardhshme, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.


Ai ka theksuar se në kremten ortodokse Shën Vidi (Vidovdan) që shënohet më 28 qershor, serbët “në mënyrë paqësore, do të ndërmarrin hapat e tyre në rrugën drejt lirisë”.

Më 17 qershor, e përditshmja serbe “Blic”, duke u thirrur në burime, ka raportuar se serbët në Kosovë do të nisin në mënyrë të pavarur të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas këtij mediumi serb, planifikohet që në të ardhmen të mbahet një kuvend i popullit serb në Kosovë, në të cilin do të shpallet Asociacioni dhe do të krijohen organet e tij.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës që të japë një koment lidhur me deklaratat e Vuçiqit, si dhe për pretendimet në mediat serbe se më 28 qershor mund të shpallet njëanshëm formimi i Asociacionit. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje.

BE-ja dhe SHBA-ja: Veprimet e njëanshme të panevojshme

Në debatin e Këshillit të Atlantikut, i cili është mbajtur të martën në Uashington, është ngritur edhe pyetja lidhur me mundësinë që serbët e veriut të shpallin njëanshëm formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës insiston në modelin kroat për Asociacionin
Lexo po ashtu Qeveria e Kosovës insiston në modelin kroat për Asociacionin

I dërguri i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se veprimet e njëanshme janë burim i tensioneve.

“Si ndërmjetësues i dialogut, dua të dekurajoj fuqishëm të dyja palët që të mos marrin vendime të njëanshme, sepse kemi parë që veprimet e njëanshme prodhojnë më shumë tensione, më shumë konfrontime dhe dhunë”, ka theksuar Lajçak.

Ai ka shtuar se tashmë ekziston dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja ndërmjet dy vendeve, duke iu referuar marrëveshjes së Brukselit drejt normalizimit, e arritur më 27 shkurt dhe dakordimit më 18 mars në Ohër, për aneksin e zbatimit të saj.

Kjo marrëveshje parasheh zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme të Brukselit, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit.

“Nëse nuk do të kishte marrëveshje, atëherë palët do të mund të tentonin të bënin diçka vetë. Por, tani ne e kemi një rrugë të qartë drejt normalizimit. Mënyra e vetme logjike është që t’i kthehemi kësaj dhe të vazhdojmë me zbatimin. Asnjë lëvizje e njëanshme me potencial për të destabilizuar edhe më tej situatën mes tyre”, ka përfunduar Lajçak.

Me këtë qëndrim është pajtuar edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin perëndimor, Grabriel Escobar.

“ Nuk shohim nevojën për veprime të njëanshme”, ka thënë Escobar.

Hasani: Asnjë marrëveshje nuk lejon formimin e njëanshëm të Asociacionit

Përderisa presidenti serb, Vuçiq, nuk i ka specifikuar hapat që do të ndërmarrin serbët në Ditën e Shën Vidit, mbetet e paqartë se cili veprim eventual i tyre mund të pasojë, thotë Enver Hasani, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Por, sipas tij, e sigurt është se pa një dekret nga ana e Qeverisë së Kosovës, Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të formohet, madje as në mënyrë të njëanshme.

“Statuti, i cili është akti themeltar i Asociacionit ose struktura normative më e lartë brenda tij, merr jetë ose frymë me një vendim të Qeverisë. Pastaj, shkon në Gjykatë Kushtetuese për t’u konfirmuar nëse është në pajtim me Kushtetutën. Kjo procedurë figuron në të gjitha marrëveshjet – edhe në atë të fundit në Ohër, në atë të Brukselit të vitit 2013 dhe atë 2015 – dhe nuk ka alternativë tjetër”, thotë Hasani.

Escobar: Po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit
Lexo po ashtu Escobar: Po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit

Ai shton se strukturat që e përbëjnë Asociacionin, nuk mund të formohen pa marrë fuqi juridike statuti.

Fuqia juridike e statutit të Asociacionit, siç thotë Hasani, mund të sigurohet vetëm me një akt të Qeverisë dhe me “lejen” nga Gjykata Kushtetuese, “ e cila do të nënkuptonte se statuti dhe akti, me të cilin ai hyn në fuqi, nuk janë kundër-kushtetuese”.

Në të kundërtën, siç thotë profesor Hasani, në rast se serbët e shpallin njëanshëm formimin e Asociacionit, kriza do të thellohej edhe më tej.

“Pastaj nuk bëhet më fjalë për strukturë normative vetë-organizuese, por bëhet fjalë për prodhim të një krize, e cila e ka një dimension tjetër prej kësaj që e shohim sot dhe me të cilën duhet të merret Brukseli (BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi) dhe palët”, thekson Hasani, duke shtuar se megjithatë, nuk beson që pala serbë do të hyjë, siç e quan ai, në “një aventurë të tillë”.

Janjiq: Shpallja e Asociacionit do të ishte farsë

Edhe Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, vlerëson se serbët nuk mund ta formojnë njëanshëm Asociacionin, pa një dekret të Qeverisë së Kosovës dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura, qoftë në Bruksel, qoftë në Ohër, nuk e parashohin ndryshe.

Sipas tij, deklaratat e presidentit Vuçiq se serbët “do të ndërmarrin hapat e tyre në rrugën drejt lirisë” në ditën kur shënohet festa e Shën Vidit, më 28 qershor, është vetëm shfrytëzim politik i mitologjisë për retorikë nacionaliste.

Janjiq thotë se shfrytëzimin politik të kësaj mitologjie e kishte bërë edhe ish-lideri serb i dy dekadave të fundit të shekullit të kaluar, Sllobodan Millosheviq, më 28 qershor të vitit 1989, në Gazimestan, për homogjenizimin e serbëve në ish-Jugosllavi.

Më pas, nisën luftërat e përgjakshme në ish-hapësirën e atij shteti, të cilat brenda një dekade rezultuan me shpërbërjen e tij.

Janjiq thekson se deklarata e Vuçiqit është vazhdimësi e asaj politike, e cila, siç thotë ai, ka për interes territorin dhe jo njerëzit që jetojnë aty.

Ai thotë se nuk ka informacion, nëse serbët në veri të Kosovës do të shpallin njëanshëm formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, siç thotë ai, nëse e bëjnë këtë, “do të ishte gabim i madh”.

“Në qoftë se do të ndodhte vetë-shpallja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – unë nuk kam informacionet që i ka gazeta Blic – për mua do të ishte një farsë. Kjo nuk është përgjigja e duhur në situatën që është krijuar në veri të Kosovës. Situatën në veri të Kosovës e shoh – së paku, unë e shoh ashtu – si ‘përgjigje vëllazërore’ të (kryeministrit të Kosovës, Albin) Kurtit, të cilit gjithashtu, në veri i intereson vetëm territori”, thotë Janjiq.

Ai shton se Vuçiqi e ka humbur hapin për kthimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës, të cilat ata i braktisën në nëntorin e vitit të kaluar.

Serbët i braktisën të gjitha institucionet në veri të vendit, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa jolegale të Serbisë, në targa RKS-Republika e Kosovës.

“Serbët do t’i riaktivizojnë komunat paralele”

Kthimi i serbëve të veriut në institucionet e Kosovës, siç thotë Janjq, tashmë nuk është i thjeshtë sepse Qeveria e Kosovës nuk lejon një gjë të tillë me automatizëm, pa u zbatuar procedurat ligjore, e të cilat marrin kohë.

Në këtë pikë, siç thotë Janjiq, Vuçiqi mund të ndërmarrë hapa të tjerë në veri të Kosovës.

“Unë mendoj se ata do të kenë një deklaratë, me të cilën do të shpallet diçka, por të cilën Blic e ka interpretuar si vetorganizim të Asociacionit. Mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Një pjesë e komunitetit serb do të shpallë se nuk ka vdekur Këshilli Kombëtar Serb. Ndërkaq, pjesa tjetër (e serbëve) në veri, do të bëjnë një koordinim të ri të komunave (paralele, sipas sistemit serb), të cila tashmë i kanë, por vetëm do t’i aktivizojnë. Ato tashmë i kanë, që nga viti 2015”, thekson Janjiq.

Këshilli Kombëtar Serb ka nisur të funksionojë qysh nga periudha pas luftës në Kosovë dhe qëllimi i saj ka qenë mbrojtja e interesave të serbëve. Ky këshill përbëhej nga politikanë dhe aktivistë të ndryshëm nga komuniteti serb në Kosovë.

Që nga viti 2013, kur u formua Lista Serbe – partia më e madhe serbëve të Kosovës – e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, puna e këtij këshilli ishte pasivizuar.

Po atë vit, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ishte arritur edhe marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq parimet për të u dakorduan në vitin 2015.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por marrëveshja mund të harmonizohet përmes akteve ligjore.

Që atëherë, qeveritë e Kosovës, përfshirë edhe aktualen, në vazhdimësi janë përballur me kërkesën e palës serbe dhe me presionin e faktorëve ndërkombëtarë për formimin e Asociacionit.

Zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë edhe formimin e Asociacionit, e parasheh edhe marrëveshja e fundit drejt normalizimit të marrëdhënieve mes palëve, e arritur më 27 shkurt në Bruksel, si dhe pajtimi për aneksin e zbatimit të saj, që u arrit më 18 mars në Ohër.

Bashkimi Evropian ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve.

Presidenti i Serbisë tashmë ka deklaruar se refuzon të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Lajme
“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

Lajme
Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

Lajme
Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Lajme
Kalo në kategori