LAJMI I FUNDIT:

Gratë dhe letërsia

Gratë dhe letërsia

Nga: Virginia Woolf (pjesë nga vepra Një dhomë më vete)
Përktheu: Engjëllushe Shqarri

Kur më kërkuat të flisja për “gratë dhe letërsinë”, shkova dhe u ula në breg të lumit dhe fillova të vrisja mendjen se ç’kishit parasysh me këto fjalë. Ndoshta prisnit që unë të thosha disa mendime për disa autore gra, si Fanny Burney e Jane Austen, të shprehja nderim për motrat Brontë, të bëja një përshkrim të famullisë së tyre në Hauorth mbuluar nga dëbora, të thoja disa fjalë të mençura, po të qe e mundur për zonjën Mitford, të përmendja me respekt George Eliottin si dhe zonjën Gaskell dhe me kaq ta mbyllja këtë punë. Por, duke u menduar pak më gjatë këto fjalë nuk po më dukeshin aq të thjeshta.


Duke u menduar gjatë, kuptova se kaq nuk do të mjaftonte për të plotësuar detyrën e parë të çdo lektori e cila me sa di është t’ju jepja pas një ore leksioni, një grimcë të vërtete të pastër që ju pastaj ta ruanit në fletët e fletoreve dhe ta mbanit mbi parvazin e oxhakut për gjithmonë.

E vetmja gjë që mund të bëja është të shprehja mendimin tim për një pikë të dorës së dytë; në qoftë se ka ndër mend të shkruajë letërsi gruaja, duhet pikësëpari të ketë para dhe një dhomë vetëm për vete.