LAJMI I FUNDIT:

Fshati i braktisur Semenisht i Epërm, fëmijët ecin 2 km për në shkollë! (Video)

Fshati i braktisur Semenisht i Epërm, fëmijët ecin 2 km për në shkollë! (Video)

Jemi rrugës për në fshatin Semenisht të Epërm, në komunë të Sarajit.

Rruga në të cilën po kalojmë, sikur të kthen në kohë: shtëpi të ndërtuara me tulla balte, disa pa kulme dhe shumica dyer me dry.


Pronat prej kohësh kanë mbet pa zot shtëpie, të cilët emigruan kryesisht në Turqi dekada më parë, si pasojë e mungesës së perspektivës në vendlindje, raporton TV 21.

Fenomeni i shpërnguljes ka prek edhe rajoni i Dervenit, të cilët janë shpërndarë në qytetet si Zejtinburnu, Esenleri, Bajrampasha (Stamboll), Bursa, Adapazari e në shumë vende tjera në Turqi.

“Ky është fshati Semenisht i Epërm ku dikur kishte afër 50 familje në këtë fshat, mirëpo tani jeton vetëm një familje.”

Në mes të fshatit takuam 85 vjeçarin Rasim Jahiu, i cili na tregoi nga shkuan bashkëfshatarët e tij.

Nga ky fshat, banorë kemi në Turqi në Shkup kemi, në Saraj! Prej këtij fshati, kanë emigruar edhe në Tetovë.

G: A kthehen ato familjet që kanë emigruar nga ky fshat?

B: Po, varrezat i kanë këtu, vijnë kur kanë rast vdekjeje. Prej vendeve tjera vijnë i varrosin këtu.

Në fshat familja Jahiu ka katër shtëpi, në të cilat jetojnë 30 veta!

Xhamia e këtij fshatit mendohet të jetë ndërtuar para tre shekujve.

Në oborrin e xhamisë, dikur ka qenë e vendosur edhe shkolla e fshatit.

Mixha Rasim kujton kohën, kur ai vet mësonte në hapësirat e asaj shkolle.

G: A keni mësuar ju tek ky vendi këtu?

B: Kur kanë hyrë partizanët mua më kanë nxjerrë prej shkollës se ne atëherë kemi qenë kundër partizanëve. Babai im e ka varrin në fshat.

Përderisa tregon për historinë e fshatit, plaku kujton me nostalgji kohën kur kishte aq shumë njerëz, sa që nuk gjeje vend për t’u lut brenda xhamisë.

Mixha Rasim shfaq droje se pas tij, nuk do të ketë më kush të kujdeset për këtë objekt të kultit.

Po si nuk u mbushte xhamia! Ne jemi falur edhe jashtë xhamisë. Në atë vakt 80 shtëpi kemi qenë tash jemi vetëm 4-5 shtëpi.

Xhamia 300 vjeçe, siç shpjegon ai, i ka muret gatu 1 metër të gjera, dhe me dritare të vogla.

Për ndërtimin e saj është përdorur dru, baltë dhe gur. Për mirëmbajtjen e kësaj xhamie kujdeset vetëm kjo familje e cila ka mbetur si e izoluar në këtë fshat që gjendet 25 kilometra, larg qendrës së Shkupit.

G: Cili është elementi më i vjetër në këtë xhami?

B: Po hudbja nuk është e prekur dhe kështu ka qenë para 300 vjetëve.

Deri sa po dilnim nga xhamia, fëmijët e fshatit po bëheshin gati për të shkuar në shkollë.

Përveç izolimit, edhe ata pak banorë të mbetur të fshatit, druajnë se fëmijët do t’u mbesin të pashkolluar.

Ata janë në hall me rrugën që ua bëjnë fëmijët çdo ditë, meqë ecin gati 2 kilometra deri te shkolla.

Fëmijët kanë shumë rrëfime për të treguar për peripecitë që u kanë ndodhur në të kaluarën.

Frikën thonë se nuk mundet askush me ua “largu nga mendja”.

Po është larg ne udhëtojmë në këmbë dhe duhet të shkojmë nëpër baltë dhe derisa të arrimë tek shkolla, na duhet të bëjmë 20 min rrugë.

Përderisa po i përcjellim fëmijët për në shkollë, disa prej tyre fillojnë të ikin me vrap. Thonë se këtë gjë e bëjnë rregullisht, në vendin e njëjtë, meqë është një qen i lagjes, të cilit ia kanë frikën.

Isma që është në klasën e gjashtë bashkë me shoqet e saj po kthehet nga shkolla.

Ajo përshkruan rrugëtimin e saj të përditshëm për t’u kthyer në shtëpi.

Derisa arritëm e kishim shumë vështirë, ka shumë qen dhe shumë baltë dhe kemi frikë, kurse tek shkolla kushtet i kemi shumë të vështira, kur bie shi uji hyn brenda në klasa.

Këtë brengë na e tregon edhe banori Zudi Jahiu.

Fëmijët 2 kilometra udhëtojnë në këmbë, në mëngjes herët, dimrit edhe kur ishte bora shumë e madhe e kemi pastruar pak rrugën me mjetet tona me vetiniciativë. Njëri prej fëmijëve të mi shkon edhe në punë dhe nuk ka as autobus këtu! Unë shkoj dhe e priti që të vijmë bashkë në shtëpi.

Pasuria e këtij fshati është edhe uji i pijshëm ku sipas banorëve ai rrjedh nga gurët dhe shkëmbinjtë që e rrethojnë fshatin. Kjo çezma këtu mund të jetë edhe më e vjetër sesa vetë xhamia e fshatit.

E sheh këtë të qarën këtu, këtu ka shumë ujë prej nga midisi i verës ndalet deri në muajin prill kur vjen muaji prill këtu ka shumë ujë.

Në fshat takuam edhe Rizvan Jahiun një prej banorëve të paktë që ka mbetur në Semenishtë të Epërme. Ai me dorën në zëmër na përshëndeti dhe na ftoi në oborr për të na treguar histori të katundit të tij. Rizvani i lodhur nga vetmia dhe mungesa një jete më normale, thotë se as ai nuk e ka larg, dhe do të braktisë vendlindjen.

Fshati ka qenë shumë mirë këtu ka pasur banorë, dhe ka pasur afër 100 shtëpi dhe kanë emigruar disa kanë shkuar në Shkup, Saraj dhe kanë shkuar sa më afër rrugës kryesore. Po kemi edhe në Turqi që kanë shkuar. Po kontaktojmë ato i kemi kushëri. Arsyet pse shkuan ishin kushtet jo të mira fëmijët shkonin në shkollë nuk kishte transport. I kanë lënë këto shtëpia dhe nuk interesohen më. Edhe në kemi me e lanë shtëpinë edhe ndonjë ditë kemi mbetur pa fqinjë pa askënd.