Handikos në bashkëpunim me UNICEF-in , ka hartuar planin avokues për fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Hartimi i këtij plani është bërë nga ekspertja e Handikos-it, Albana Zogu. Ajo ka treguar se çfarë synojnë nga ky plan avokues.

“Qëllim përfundimtar i këtij plani të avokimit është që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë të gëzojnë të drejtat e tyre të përcaktuara me Konventën Ndërkombëtare të Drejtave të Fëmijëve, si dokument më i lartë juridik, i cili është në Kosovë. Me siguri shumica prej jush e dini që përveç ligjeve Kosova, e ka të ratifikuar edhe Konventën për të drejtat e njeriut, kështu që është obligative, që institucionet të gjejnë zbatimin edhe të Konventës të të Drejtave të Njeriut”, tha Zogu.

Drejtori i Handikos-it Afrim Maliqi, tha se fëmijët me aftësi të kufizuara, po konsiderohen si grupi më i margjinalizuar në vend.
“Fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë, ende llogariten si grupi më i margjinalizuar apo më i rrezikum në vend edhe përkundër faktit se viteve të fundit është arritur një progres i vogël në përmirësimin e situatës së fëmijëve me aftësi të kufizuar, duke pa një plotësim të disa ligjeve, gjithashtu rritjen apo ngritjen e fëmijëve të përfshirë në institucione arsimore, dhënien e disa granteve nga institucionet e nivelit qendror apo lokal në ofrimin e shërbimeve të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Mirëpo, kjo ende nuk mjafton që fëmijët me aftësi të kufizuara të jenë të barabartë sikur gjithë fëmijët tjerë”, tha Maliqi.

Maliqi ka shtuar se është vështirë të përcaktohet se sa është numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë, e po ashtu të dihet saktë se cilat lloje të shërbimeve janë më se të nevojshme për ta.

Kryetari i Forumit Kosovar për Persona me Aftësi të Kufizuara, Bujar Kadriu tha se për trajtimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara më shumë ka pasur regres se progres. Për këtë ai ka kërkuar një qëndrueshmëri legjislative.

“ Nuk është i thjeshtë sot integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara pa një qëndrueshmëri legjislative, kur them qëndruëshmëri legjislative nënkuptoj zbatimin e legjislacionit aktual dhe hartimin e legjislacionit të ardhshëm, i cili prek drejtpërdrejt jetat e fëmijëve dhe prek drejtpërdrejt interesin e familjarëve që kanë këta fëmijë. Neve na mbetet që ky plan i veprimit edhe si forum edhe si kolegë të organizatave për personat me aftësi të kufizuara, ta marrim seriozisht këtë çështje dhe të bëjmë adresimin e duhur në vendin e duhur dhe të mos rreshtemi duke avokuar, duke lobu, sepse mendojmë që pa respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, do të kemi shumë vështirë respektimin e personave me aftësi të kufizuara në përgjithësi”, tha Kadriu.

Kadriu mes tjerash ka shtuar, se si kategori, nuk janë plan i Qeverisë.

Ndërsa, përfaqësuesja e UNICEF-it, Feride Dashi ka thënë se situata e këtyre fëmijëve është shumë e rëndë, dhe se ligjet e hartuara, po mbeten gjithmonë të tilla- të pa imlementuara.

Legjislacioni në Kosovë është mjaft mirë i hartuar, mirëpo kur vjen puna tek implementimi është i mangët dhe çfarë është më e keqja, është që si familjet, ashtu si edhe fëmijët, nuk gëzojnë shërbimet që ekzistojnë edhe ato të pakta, faktikisht për fat të keq, sepse ka një mungesë të dukshëm të shërbimeve gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara që do të duhej jo vetëm një sektor, por duhet të jetë një qasje multidisiplinare prej të gjithë akterëve, nga gjitha fushat me qëllim që të përmirësojmë pak situatën e fëmijëve”, ka thënë Dashi.

Ajo ka shtuar se UNICEF-i gjithmonë mundohet të jetë përkrahës, për përmisimin e situatës, duke lobuar edhe avokuar.

Ndryshe, plani avokues është i shtrirë për një periudhë pesë vjeçare, duke synuar kështu arritjen e ndryshimeve në fushën e edukimit, legjislacionit, shëndetësisë, mbrojtjes së fëmijëve dhe mbledhjen e të dhënave statistikore për fëmijët me aftësi të kufizuara. /KP/