LAJMI I FUNDIT:

Është e pashuar etja për liri në Bjellorusi

Është e pashuar etja për liri në Bjellorusi
Një grua mban flamurin bardh-e-kuq në një protestë antiqeveritare në Minsk (foto: Sergei Gapon/AFP/Getty)

Nga: Tony Barber / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Protestat paqësore pro demokracisë që përfshinë Bjellorusinë në gusht të vitit 2020, zgjuan kujtimet për Solidaritetin – për lëvizjen masive që 40 vjet më parë kishte lindur në Poloninë fqinje. Fokusi i pakënaqësisë ishte identik: regjimi represiv i lidhur me Moskën, që keqtrajtonte qytetarët dhe që ia solli turpin kombit. Edhe ngjyrat patriotike të shfaqura në protesta ishin të njëjta si në Minsk si në Varshavë – e bardha dhe e kuqja.


Dy vjet më vonë, duken edhe më të habitshme paralelet mes Bjellorusisë dhe Polonisë. Ashtu si në dhjetor të vitit 1981 kur autoritetet komuniste polake e shtypën Solidaritetin me ligjin ushtarak, ashtu edhe regjimi i Alexander Lukashenkos udhëhoqi goditjen e egër ndaj opozitës demokratike të Bjellorusisë. Perspektiva e çdo lehtësimi duket po aq e largët sa në Poloninë e katër dekadave më parë, kjo jo vetëm për shkak se marrëdhëniet e tashme mes vendeve perëndimore dhe Kremlinit janë po aq të këqija sa në fillim të viteve 1980 – ose edhe më keq, kur kemi një luftë të ndezur në Ukrainë.

Megjithatë, në vitin 1989 Polonia u çlirua prej komunizmit pa asnjë pikë gjaku të derdhur. Ishte preludi i një “pranvere të kombeve” në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, popujt e së cilës u ngritën për pavarësinë kombëtare dhe për liritë qytetare. Duke pasur parasysh perspektiva e sotme dëshpërimisht të zymtë, a ka ndonjë shans që diçka e ngjashme të mund të ndodhë në Bjellorusi deri në fund të viteve 2020?

Meqenëse ngjarjet në Poloni dhe në Bjellorusi ngjajnë me njëra-tjetrën, dallimet janë të rëndësishme. Parakusht për kthesën e Polonisë drejt lirisë ishte ngjitja në pushtet, më 1985, e Mikhail Gorbachevit – një lider sovjetik i cili, ndryshe nga paraardhësit e vet, nuk e shtypi me tanke disidencën e vendeve formalisht miqësore, si në Budapest më 1956 dhe në Pragë më 1968. Për aq kohë sa Vladimir Putini sundon me Rusinë, nuk ka gjasa të ndryshojnë kushtet e ngjashme me burgun që tash për tash mbizotërojnë në Bjellorusi.

Një tjetër ndryshim është cenueshmëria ekstreme strategjike e Bjellorusisë. Ajo ka qenë e mbyllur në një “shtet të bashkuar” me Rusinë që nga viti 1999. Lukashenko dy vjet më parë mori mbështetjen financiare dhe politike ruse për t’i shuar protestat që pasuan fitoren e tij të rreme në zgjedhje. Si rezultati i kësaj, ra në borxh ndaj Putinit – më shumë se në çdo kohë tjetër, që nga fillimi i diktaturës së tij më 1994. Së bashku me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Putini e ka vendosur Bjellorusinë nën kontrollin ushtarak rus.

Pika e tretë është se edhe pse Wojciech Jaruzelski – gjenerali që shërbeu si lider i Partisë Komuniste të Polonisë – u kritikua për vendosjen e ligjit ushtarak, ai nuk i përdori metodat e sundimit si gangsterët e Lukashenkos. Vitin e kaluar, tirani i Bjellorusisë urdhëroi rrëmbimin e një aeroplani të Ryanair-it për ta arrestuar një aktivist të opozitës. Në kufirin e Polonisë e orkestroi shtimin e emigrantëve irakianë, sirianë dhe të tjerë.

Teksa burgjet e Bjellorusisë janë përplot me kritikë të Lukashenkos, në korrik të vitit 1984 Jaruzelski e ka shpallur amnistinë që i liroi qindra të burgosur politikë. Për të qenë të saktë, ishte masë e kufizuar. Disidentët si Adam Michnik shpejt janë kthyet në burg. Policia sekrete e regjimit e rrëmbeu dhe e vrau priftin më të njohur të pro-Solidaritetit të Polonisë.

Por, amnistia i parapriu epokës së liberalizimit sovjetik nën Gorbachevin. Ishte shenjë se me shoqërinë polake Jaruzelski kërkonte rrugëdalje prej ngërçit të krijuar nga ndalimi i Solidaritetit. Asgjë e ngjashme nuk pritet nga Lukashenko.

Në të njëjtën kohë, ka arsye për të mos i humbur të gjitha shpresat për popullin e Bjellorusisë. Dëshira e tyre për ndryshim paraqet zgjimin e vonuar të një kombi, për të cilin pavarësia erdhi si diçka befasuese kur Bashkimi Sovjetik u shemb më 1991. Ky proces tashmë është i pakthyeshëm. Për më tepër, nuk është anti-rus disponimi anti-Lukashenko i shoqërisë bjelloruse. Këtë mund ta kuptojë një udhëheqës më i kthjellët në Moskë.

Janë për mësim dallimet me Poloninë e viteve 1980-‘81. Ndryshe nga opozita demokratike bjelloruse, nën ndikimin e aktivistëve radikalë Solidariteti u bë gjithnjë e më i shprehur. Në një kongres kombëtar në shtator të vitit 1981, Solidariteti lëshoi thirrje për punëtorët e Evropës Lindore që ta ndiqnin shembullin polak dhe që t’i krijonin sindikatat e lira. Tass – agjencia zyrtare sovjetike e lajmeve – e denoncoi apelin si vepër të “një konglomerati të tërë kundërrevolucionarësh, përfshirë këtu agjentë të shërbimeve sekrete imperialiste”.

Edhe pse liderët e saj janë ose në burg ose kanë ikur jashtë vendit, opozita bjelloruse nuk është e radikalizuar. Kërkesat e saj themelore janë zgjedhjet e lira, liria individuale dhe drejtësia. Sot këto të drejta duken shumë të paarritshme në Bjellorusi. Por, ato nuk janë përgjithmonë të paarritshme. Nëse ndryshimi do të vijë, ndoshta do të ndodhë sepse ato janë të njëjtat të drejta për të cilat vetë Rusia ka shumë nevojë. /Telegrafi/