LAJMI I FUNDIT:

“Ëndërrimet”, përmbledhja e parë poetike e Naimit

“Ëndërrimet”, përmbledhja e parë poetike e Naimit
Naim Frashëri

Nasho Jorgaqi

“Ëndërrimet” (“Tejahylat”) u shkrua nga poeti ynë në persisht dhe u botua në Stamboll më 1884, kur ai ishte në moshën 38 vjeçare. Persishten Naimi e pat mësuar shpejt. Që fare i ri u njoh e u lidh shpirtërisht me poezinë klasike persiane. Dihet se Saadiu dhe Hafizi ishin poetët e tij të dëshiruar, prej të cilëve mori dhe formimin e parë letrar. Akoma gjimnazist, Naimi filloi të vjershërojë persisht. Persishtja ishte atëherë gjuha e kulturës dhe e poezisë në vendet e Lindjes, ashtu siç qe latinishtja në perëndim gjatë mesjetës. “Persishtja, – shkruante Samiu, – është një gjuhë e krijuar për poezi, kurse poezia është e shpikur për atë gjuhë”. Kuptohet se për një njeri që donte të hynte në fushën e poezisë, të vargëzuarit persisht ishte aso kohe një gur prove. Këtë provë, si duket, e kaloi dhe poeti ynë.


Naimi, sipas “Kalendarit kombiar” (1926) kishte gati që kur mësonte në Janinë, një vëllim prej 200 faqesh me vjersha persisht. Këto ishin, me sa duket, ushtrime poetike në këtë gjuhë, të cilat ai nuk i përfshiu në përmbledhjen “Ëndërrimet”. Në vëllimin e tij të parë përmblodhi kryesisht vjersha të shkruara gjatë dhjetëvjeçarit 1873-1883. Pra me sa shihet, këto nuk janë vjersha të rinisë, siç është thënë deri më tani, po krijime që i takojnë një moshe pak a shumë të pjekur, kur ai ka fituar një përvojë jete dhe ka hedhur bazat e kulturës e të formimit të vetë.

Në vëllimin “Ëndërrimet” poeti ynë ka përmbledhur 24 vjersha, të cilat nga idetë e sfera e problemeve, nga figura dhe mënyra e trajtimit janë tipike për fazën e parë të krijimtarisë së tij.

Në to, jo vetëm ndihet ndikimi i drejtpërdrejtë i poezisë klasike persiane, me gjithë ndonjë përpjekje që ai bën për t’u shkëputur prej saj, po ç’është më e rëndësishme, mungon qëndrimi aktiv ndaj problemeve të mëdha të kohës, ajo lidhje e fortë me lëvizjen patriotike, që do të shpërthejë e fuqishme në poezinë e mëvonshme të poetit. Po megjithatë “Ëndërrimet” është pasqyrë e mendimeve dhe interesave të tij, është një pikë krahasimi për të treguar se ç’krah të fortë i dha poezisë së Naimit vala e madhe e lëvizjes kombëtare me ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit.

Në “Ëndërrimet” poeti ynë është akoma në kërkim të poezisë dhe të ideve të veta, ai ende nuk ka gjetur veten e tij. Temat karakteristike të poezisë persiane, format dhe mjetet e saj të njohura, konvencionalizmi, tendenca e të filozofuarit dhe mbi të gjitha shkëputja përgjithësisht nga jeta e gjallë shoqërore, do të gjejnë shprehje në këtë përmbledhje poetike. Shumica e vjershave te “Ëndërrimet” janë vjersha filozofike-meditative, disa herë me përsiatje mistike e metafizike, ndërsa një pjesë i kushtohet natyrës e dashurisë, ose janë thjesht elegji.

“Ëndërrimet” është padyshim pjellë e kohës, e botëkuptimit në formim e sipër të poetit, dhe kjo shpjegon faktin që në vëllim ndeshemi me aspekte të ndryshme të ideologjisë fetare apo me ngjarje e figura nga historia e fesë. Dihet se Naimi qëndron në pozita idealiste, kur njeh ekzistencën e një fuqie hyjnore në krijimin e botës, po duhet thënë se qysh në këtë vëllim, gjejmë përpjekje për të mënjanuar rolin absolute të fesë në interpretimin e dukurive shoqërore e natyrore.

Në vjershat e këtij vëllimi natyra paraqitet si objekt frymëzimi dhe vëzhgimi nga ana e poetit. Çdo mendim , çdo ide ai do ta lidhë me natyrën; kulti i natyrës është në bazë të poezisë së tij dhe kjo shpjegohet me pikëpamjet panteiste të Naimit, që do të zhvillohen gjerësisht më vonë në veprat e tij.

Përmbledhja “Ëndërrimet” nuk hapet me vjershën drejtuar zotit, siç i hapnin zakonisht vëllimet e tyre poetët arabo-persianë, po me një vjershë kushtuar “Qiellit”, që shpreh mahnitjen e poetit para madhështisë së natyrës. Natyra është e mbushur plot të fshehta, ajo flet, thotë Naimi, me gjuhën e erës, të reve, të detit, të malit, të yjeve dhe këtë gjuhë përpiqen ta zbulojnë dijetarët, ta njohë shkenca (“Gjuha e zemrës”). Ai pranon haptazi mundësinë e njohjes së botës dhe entuziazmohet nga mendja e njeriut që arrin të depërtojë në thellësi të natyrës. Është interesant të vihet në dukje që Naimi, duke pohuar mundësinë e njohjes së ligjeve të natyrës, duke e dhënë këtë ide nëpërmjet vargjeve të tij përhap pikëpamje të drejta, që ngjallin besim në forcën e mendjes dhe të dorës së njeriut, vihet kështu në kundërshtim me interpretimin fetar. Kuptimplotë për këtë është vjersha “Filozofi” ku ai orvatet të bëjë portretin e filozofit, të japë botën e shqetësuar dhe kërkimet e tij të vazhdueshme për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të panumërta që zgjon natyra e që kanë të bëjnë me ligjet e saj objektive. Propagandimit të diturive të këtilla i shërbejnë dhe vjershat “Lulja”, “Dielli”, “Hëna”, etj.

Vlen të shënohet se vëmendja e poetit drejtohet jo vetëm nga gjithësia, po dhe nga jeta e njerëzve mbi tokë, nga gjendja e shoqërisë njerëzore, sado që në një kuadër shumë të ngushtë. Ai ankohet për jetën që nuk plotëson dëshirat e njerëzve, e quan atë zuzare, e përfytyron si det që përpin pamëshirë njerëz dhe shpresat e tyre i quan mirazhe (“Durimi dhe shpresa”).

Në vjershën “Hëna” poeti e kalon shpejt përshkrimin e bukurisë e hijeshisë së hënës, ai e shikon atë më shumë si dëshmitare të përjetshme të vuajtjeve e të padrejtësive që ndodhin mbi tokë:

“Sa përleshje, moj në tokë ti ke parë?
Sa trazime, sa mjerime, sa llahtarë… ”

Dhe fill pas tablosë së mjerimeve mbi tokë, ai gjen rast të përmendë me respekt Rusoin dhe Volterin, këta filozofë të iluminizmit europian.

Poeti pikëllohet për vuajtjet e jetimit, i cili “dridhet si plepi në mes të erës”, i qan hallin dhe merr anën e tij (“Jetimi”). Ai i këndon pranverës, si stinës së varfanjakëve (“Pranvera”). Por në këto lloj vjershash ndihet më shumë dëshira, keqardhja e poetit që nuk i kapërcen kufijtë e konstatimit të dhimbshëm dhe të humanizmit fetar.

Naimin, si çdo poet, e ka tërhequr bukuria e peizazhit. Ai na e përshkruan peizazhin në formë të përgjithshme, Pa ngjyra konkrete, na e jep atë në dimër e në pranverë, natën dhe ditën. (“Dimri”, “Bilbili”, “Pranvera”, “Anës lumit” etj.); Poezia e peizazhit të Naimit është më shumë meditative se sa përshkruese, ai përmes natyrës gjen shkas të na zbulojë mendimet dhe shqetësimet e veta.

“Ç’më fsheh zemra e dëgjoj në tënden valë
Të shoh ty dhe nyjen time zgjidh ngadalë!”

Kështu i drejtohet detit Naimi më shpirt të trazuar, në vjershën “Në breg të detit”. Ai i këndon me ndjenjë të hollë bukurive të lumit, e bën për vete lëvizja e përhershme e tij dhe thotë:

Herë shkon duke dredhur, herë drejtë,
herë shkon duke çaluar, herë shpejtë,
herë rrjedh me kaq naze tatëpjetë
herë hovshëm si të ishte një shigjetë,
herë shkon përmes lugajës që bleron,
herë nën të drunjtat degë gjarpëron,
herë shkon me vrull si kali që s’ka fre,
me rrëmbim, i shkumëzuar si vare,
herë vjen me këngë, herë vjen me valle,
herë shpejt si zog dhe herë me ngadalë.

Duke i kënduar jetës mbi tokë, si jetës së vërtetë të njeriut në vjershën “Toka dhe njeriu” Naimi, dashur padashur, i kundërvihet konceptit sundues të kohës, sipas të cilit jeta e njeriut mbi dhe është një gjë kalimtare dhe se jeta e vërtetë e tij fillon në botën e përtejme. Për poetin Toka është një trup qiellor, një yllth, si gjithë trupat e tjerë “bijtë eterit”, që ka si nënë “diellin zjarrpërhapës”. Nga drita e diellit lindi jeta mbi tokë, dolën frymorët e parë, prej të cilëve “u shfaq dhe ky njeriu i mbarë”.

Naimi, në kundërshtim me asketizmin fetar, bën thirrje: Pranë tokës rri, gëzohu, o njeri!

Edhe pse njerëzit mbi tokë vdesin e shkojnë, prapë na thotë poeti: “Për njerinë vdekje kurrë s’do ketë”

Për Naimin toka është e dashur, po “më i dashur sa më s’ka” është atdheu:

“Më je mëmë, më je motër më je vlla.
Nga çka rrotull më i shtrenjti ti më je!
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe!”
(“Atdheu”)

Në këtë vjershë gjejmë vargun: “Hi u bëfshin gjithmonë armiqtë e tij!

Poeti nuk na e thotë se për cilët armiq të atdheut e ka fjalën për armiqtë në përgjithësi apo për ata, kundër të cilëve ka filluar të angazhohet në luftë bashkë me të vëllezërit. Sidoqoftë, kjo është kënga e parë, me sa dimë, që i këndon atdheut poeti ynë, një këngë pak e përgjithshme, konvencionale, sepse akoma nuk e ka atë vizion konkret të atdheut, që do të përvijohet më vonë aq bukur në poezinë e tij patriotike.

Motivi erotik prek në “Ëndërrimet” vetëm dy vjersha: “Dashurija” dhe “Vasha nazemadhe me të ecur të këndshëm”. Në rast se në të parën i këndon ndjenjës së zjarrtë të dashurisë, duke e pleksur me pikëpamjet panteiste, në të dytën, kemi një vjershë të frymëzuar drejtpërdrejt nga jeta, me vargje optimiste, që rrëfejnë për gëzimin e jetës mbi tokë. Poeti na vizaton portretin delikat të vajzës nazike, duke i qëndruar besnik konceptit dhe mjeteve figurative, karakteristike për poezinë orientale të kohës. Ai i këndon me frymëzim tipareve fizike të vajzës, që përbëjnë bukurinë dhe nurin e saj dhe shpreh në fund keqardhjen qw kjo bukuri nuk është e përjetshme.

“S’janë sy, por dy yje ata dy,
është hënë, s’është ballë ai mbi ty
ajo gojëz, ato faqet sy e flokë
dritë qiejsh janë rënë te kjo tokë“.

Jetën e poetit, veç të tjerash e tronditën dhe disa fatkeqësi familjare, të cilat nuk kaluan pa lënë jehonë dhe në poezinë e tij. Në “Ëndërrimet” gjejmë disa vjersha të shkruara në vdekje të vëllezërve, të motrave e të bijave të tij. Ato janë të vetmet krijime me adresë të caktuar në jetën e poetit tonë në këtë fazë. Në vjershat “Mbi varret e motrave dhe vëllezërve” dhe “Mbi varrin e sime motre” duke marrë shtytje nga fatkeqësia, Naimi, me ton elegjiak shpreh dhimbjen e thellë dhe jep mendime mbi jetën dhe vdekjen, që arrijnë deri në shfaqje të hapura mistiko-fetare.

Një pikëllim të fortë ka zgjuar te Naimi vdekja e së bijës, të cilën ai e shpreh thekshëm, me vargje të vetvetishme e plot sinqeritet, sa të kujton vajtimin e popullit:

“Mjeri unë, vaj moj bijë, mjeri unë!
Moj e dashur, moj e ëmbëla aq shumë!”

Zemra e babait është shumë e tronditur dhe në këtë gjendje, ai shpërthen në mallkime të fuqishme, duke mos i kursyer edhe kundër qiellit:

“Pa ty mbeta, pa ty mbeta, moj me lotë!
U shkretofsh, o qiell, moj zuzarja botë!”
(“Mbi trupin e bijës sime të vdekur”).

Po këtë qëndrim të poetit shohim dhe te vjersha “Ne vdekje të vëllait” kur përsëri i drejtohet qiellit me varg të rreptë, plot zemëratë:

“Ku e ke, o qiell vallë drejtësinë?
Ku e ke mëshirën, hirin, bujarinë?”

Me “Ëndërrimet”, Naimi bëri hapin e parë në fushën e poezisë, prandaj ishte e natyrshme që kjo përmbledhje barti, nga një anë kufizimet e fazës së hershme të jetës së poetit, po nga ana tjetër tregoi qartë talentin e tij, pasqyroi përpjekjet për t’u shkëputur nga tradita sunduese. Këtë shkëputje sikundër dihet, ai do ta realizojë më vonë me veprat e tij madhore, pikërisht kur do të bëhet kryekëngëtari i lëvizjes për çlirimin kombëtar.

Anës lumit…
Ç’më tërheq, o lumë, mërmërimi yt,
Lajkat, lodrat dhe e fshehta, vaji yt!
Dhe pse zemrën ma lëndon ti me këto,
Nga lëndimi e kënditur (1) është kjo.
Nëpër gurët shkon si reshme (2) shkon me nxit,
I shushatur, plot me lotë ligjërit.
Herë shkon duke dredhuar, herë drejt,
Herë shkon duke çaluar, herë shpejt,
Herë rrjedh me kaqë naze, tatëpjetë,
Herë hovshëm si të ishe një shigjetë,
Herë shkon përmes luginës që bleron,
Herë nën të drunjve degë gjarpëron,
Herë shkon me vrull si kali që s’ka fre,
Me rrëmbim, i shkumëzuar, si vore,
Herë vjen me këngë, herë vjen me valle,
Herë shpejt si zog dhe her’ dalengadale.
Që kur ike nga i dashur zemërdlirti,
Për atë që aqë fort ta donte shpirti,
Ti nxiton pa këmb’ e kokë… si kusari,
Her ’i qeshur, her’ i shkrirë krejt së qari.
Zjarr’ i diellit ty të ndau nga ai,
Re e krismë u bë ahu yt i zi.
Dhe nga ahu i ndarjes sate, o qyqar,
Dhe nga lotët që të rrjedhin kalivar,
Re të zeza e mbulojnë gjithë qiellin
Dhe e zënë, dhe e fshehin fare diellin.
Anembanë ngryset, nxihet hapësira
Posi zemrat plot mëkate të pështira.
Dhe papritur nëpër qiellin si skëterrë
Vetëtima shkreptijnë me poterë.
Flakë ndizet tani qielli anembanë,
Dridhet bota nga llahtara që ka pranë.
Nuk shikon veç re të zeza, shi, rrëmujë,
Nuk shikon veç shkreptima, tym e ujë.
Dhe kështu me këto lodra, me stuhi,
Ti në tok’, o nazemadh, vjen përsëri,
Që ajo të çelet shpejt nga hiri yt,
Me gaz të vishetë nga takimi yt.
Digjen lulet që të shohin vetëm ty,
Dorën tënde shoh kudo me këta sy.
Tok’ e çelur nga ti çelet e merr jetë,
Bëhet kopsht edhe lulishte e vërtetë.
Er’ e ngjyrë sjell nga qielli ti këtu,
Si parajsë e bën dheun ti kështu.
Herë bëhesh borë, herë shi e re,
Herë bëhesh ujë, avull e rrufe,
Herë shkon nga qielli, herë poshtë zbret,
Bëhesh lumë dhe me kaq vërtik rrëshqet.
Si ke ngjallur e pastruar dhen’ e tharë
Dhe mbasi kaq male e fushëza ke çarë,
Pranë mikut shkon tani ti i gëzuar,
Pa u ndalur, me nxitim, duke kënduar.
Gjersa të mos kesh takuar mikn’ e ndjerë,
Në rënkim do jesh e vaj ti kurdoherë.

1). i kënditur – i ngopur.
2). reshme – ortek bore.

Në trend Kultura

Më shumë
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
XHUBLETA

XHUBLETA

Poezi
FRIKË

FRIKË

Poezi
Didaktikë historie

Didaktikë historie

Kulture
Vepra poetike Kadare!

Vepra poetike Kadare!

Analiza
Shqipja e kërcënuar!

Shqipja e kërcënuar!

Analiza
Kalo në kategori