LAJMI I FUNDIT:

Dy fjalë për Ligjin e Gjuhës

Dy fjalë për Ligjin e Gjuhës

Nga: Ledi Shamku

“Njih vetveten dhe mposhte!”


Shkurt, pasi kam shkruar shpesh për këtë përçapje ligjore, e cila ka moshën e tranzicionit, pra ka nja 20 e kusur vjet që propozohet. Mesa duket propozuesit e çdo kohe nuk duan ta pranojnë se nuk është më “ajo kohë”.

1. Ligji propozon të “mbrojë” gjuhën nga përdoruesit e saj. Pra, nga bashkësia shqipfolëse e cila në mënyrë të natyrshme, sociale e demokratike, si çdo bashkësi e kësaj bote, nderon shqipen përditë e përjetë. Ligji kërkon të jetë purteka e thantë e kësaj bashkësie. Thuajani këtë cilitdo gjuhëtar profesionist në Europë dhe do mënjanohet me kujdes për t’i telefonuar urgjencës.

2. Të ashtuquajturit “dëmtues” të gjuhës shqipe kanë qenë nxënës apo jo? Kanë pasur mësues gjuhe. Nxënësit e sotëm kanë mësues apo jo? Të gjithë këta mësues të djeshëm e të sotëm që “prodhokan” shqipe të “dënueshme me ligj” kanë qenë studentë Gjuhë-Letërsie apo jo? Kanë qenë studentë të këtyre ish-pedagogëve që sot propozojnë shkopin e ligjit. Nga se duan ta mbrojnë pra këta propozues gjuhën, nga dështimi i atyre vetë?! Se kanë dështuar ata nëse ajo çfarë kanë mbjellë dje është ajo që korrim sot. “Nosce te ipsum, vince te ipsum” – do thonin në këtë rast romakët, pra njih vetveten dhe mposhte!

3. Shqipja sot ka probleme të ndarjes së regjistrave, të ndarjes së situatave, të të kuptuarit se cili është regjistri i lartë e kur përdoret. Shqipes sot ende nuk ia pranojnë regjistrat e mesëm. Shqipja sot ka probleme serioze të kulturës së gjuhës. Dhe më thoni si rrinë bashkë shkopi i ligjit dhe kultura gjuhësore, përveçse në mendjet e shkoparëve që vijnë nga koha e shkopit.

Shqipja sot kërkon një shkollë të re se është pa shkollë! A doni me e kuptu që shqipja është pa shkollë tash sa dekada? Shkolla e shkopit ka vdekë dhe shkolla e kulturës nuk po bëhet e gjallë. Kaq.